Home / Sporti / Konferenca për shtyp, Panuçi: Nuk e jap kurrë dorëheqjen, tani barka po lëkundet më pak

Konferenca për shtyp, Panuçi: Nuk e jap kurrë dorëheqjen, tani barka po lëkundet më pak

Faleminderit dhe shumë probleme. Pas një viti në drejtimin e Kombëtares, Kristian Panuçi tha fjalët e para në shqip. Fitorja e qetëson trajnerin, por thotë se nuk i largon problemet që ka. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai thotë se nuk ka ndërmend ta japë dorëheqjen.

Skuadra duket se reagoi në këtë ndeshje dhe arriti të kalonte momentin e vështirë pas humbjes me Skocinë…

Më në fund gjetëm shpirtin e duhur, dëshirën për të vuajtur në fushën e lojës dhe dëshirën për t’u larguar nga ky moment negativ. Jam shumë i lumtur për djemtë sepse e arritën këtë gjë duke vuajtur. Sepse në fund edhe Uellsi donte të barazonte ose ta fitonte ndeshjen, sepse në futboll askush nuk do të humbasë, edhe pse është miqësore.

Si ka qenë fryma e grupit dhe e skuadrës gjatë këtyre ditëve që ishin të vështira?

Ne u përballëm me njëri-tjetrin dhe folëm për të zgjidhur problemet. Nuk e mbyllëm mirë Ligën e Kombeve. Duhet të reagonim, duhet të jepnim një sinjal pozitiv.

Marsi është i largët apo i afërt?

Për të rikuperuar ndonjë lojtar që na mungon në këto momente, është më mirë që të  jetë larg.

A ishte kjo ndeshje një përgjigje e lojtarëve ndaj pyetjes nëse e duan apo jo trajnerin?

Jo, për mua nuk duhet të japin përgjigje. Unë e di që i kam djemtë në anën time. Sepse nëse do të kisha idenë dhe ndjesinë që nuk më ndjekin, atëherë do të isha larguar.

Si e vlerësoni ndeshjen e Ismajlit. Ishte një bast i fituar?

Jam shumë i lumtur. Është një djalë serioz dhe do të na japë një dorë në të ardhmen. Është një profesionist që i duhet këtij grupi.

A kishte frikë trajneri në këtë ndeshje dhe prandaj bëri vetëm 2 zëvendësime në formacion?

Nuk ndryshova sepse ishim mirë kështu dhe po luanim mirë me kundërsulm. Mëkat sepse patëm 3-4 raste të tjera dhe nëse ishim pak më të vendosur në sulm mund të kishim shënuar golin e dytë.

Çfarë do të ndryshojë në Kombëtaren shqiptare kjo fitore kur askush nuk e priste dhe kë lojtarësh kemi fituar për të ardhmen?

E rëndësishme është të jepnim një sinjal pas asaj paraqitjeje të shëmtuar në Ligën e Kombeve. Kam ndërruar pak lojtarë për t’i dhënë pak më shumë ekuilibër skuadrës. Jam i lumtur për djemtë për sa i përket kësaj fitoreje, për federatën, sepse ne të gjithë vuajmë kur nuk fitojmë. Por nuk duhet të mendojmë se nuk kemi probleme, sepse kemi akoma shumë probleme. (E thotë shqip: shumë probleme).

Fituat duke u kthyer te Shqipëria e vjetër, me një mbrojtje të mirë dhe duke përfituar nga kundërsulmi…

E thashë një ditë më parë që ishte faji im dhe duhet të ndryshoja diçka. Mendoj se djemtë u ndien më mirë, edhe pse ishte një miqësore. Në pjesën e dytë më pas hyri Bejl, Ramsej dhe atyre nuk u pëlqen të humbasin.

A mjafton një fitore me Uellsin për të ndryshuar atmosferën në Kombëtare, si edhe të ardhmen tuaj?

E ardhmja ime… Është e qartë që fitoret të japin atmosferë. Sa për të ardhmen time, është normale të vihet në diskutim edhe ato që janë thënë para kësaj ndeshjeje. Por, djemtë kanë punuar me qetësi dhe seriozitet.

Para ndeshjes kishte lajme që do largoheshit nga Shqipëria. Cilat janë të rejat e fundit?

Unë dorëheqjen nuk e jap kurrë, në sensin që më pëlqen të luftoj edhe kur barka po lëkundet. Në këtë moment barka është në det të trazuar. Ishte më shumë, tani më pak. Gjithmonë në lëvizje në Shqipëri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: