Ekonomia

Unaza e Madhe, banorët marrin qira të plotë deri në strehimin nga programet sociale

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në vendimin për trajtimin me pagesë të qirasë të disa familjeve që preken nga zbatimi i projektit “Unaza e Madhe Tiranë, segmenti Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës”.

Në mbështetje të Kushtetutës për programet sociale të strehimit Këshilli i Ministrave vendosi që pas lidhjes 2/2 të shtohet lidhja 2/3 me listën emërore të subjekteve që do të trajtohen me qira. Lista emërore sipas lidhjes 2/3 dhe lista emërore e familjeve që nuk janë paraqitur për tërheqjen e qirasë të verifikohen nga Enti Kombëtar i Banesave dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me njësinë administrative që mbulon zonën.

Po ashtu u vendos që personat që përfitonin pagesën e qirasë për një periudhë dyvjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të vendimit, tashmë “përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e plotë të qirasë, nga momenti i mbarimit të afatit të përcaktuar deri në sistemimin me strehim në një nga programet që parashikon ligji për strehimin”.

Financimi i qirasë për familjet përfituese të mbulohet 50% nga buxheti i shtetit, që akordohet për strehimin, 50% nga buxheti i bashkisë Tiranë dhe zbatimi të bëhet nga Enti Kombëtar i Banesave. Për vitin 2018, familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë nga bashkia Tiranë përfitojnë vetëm diferencën ndërmjet qirasë së vlerësuar nga EKB-ja me shumën e bonusit që kanë përfituar nga bashkia Tiranë.

Financimi i qirasë të bëhet pas verifikimit nga bashkia Tiranë të gjendjes ekonomike dhe sociale të familjes, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë, Enti Kombëtar i Banesave, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe bashkia Tiranë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button