Home / Rajoni / Maqedonia / Ish-ministrat e burgosur, Janakieski dhe Ristovski përfshihen në përleshje fizike
SHKUP (AA) - Drejtoria e burgut hetimor Shkup ka konfirmuar incidentin e sotëm, ku ishin të përfshirë ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, të cilët gjatë shëtitjes së rregullt të të arrestuarve brenda burgut janë përfshirë në përleshje fizike me dy persona të tjerë. foto: Gjoko Kotevski, drejtor i burgut hetimor Shkup ( Vedat Abdul - Anadolu Agency )

Ish-ministrat e burgosur, Janakieski dhe Ristovski përfshihen në përleshje fizike

Drejtoria e burgut hetimor Shkup ka konfirmuar incidentin e djeshëm, ku ishin të përfshirë ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, të cilët gjatë shëtitjes së rregullt të të arrestuarve brenda burgut janë përfshirë në përleshje fizike me dy persona të tjerë.

Drejtori i burgut hetimor Shkup, Gjoko Kotevski, në një konferencë për media para burgut konfirmoi incidentet dhe theksoi se dhuna nuk do të tolerohet dhe se fajtorët do të sanksionohen. Ai theksoi se pas incidentit ish-ministrave menjëherë u është siguruar kontroll dhe kujdes përkatës nga mjeku i burgut.

Duke shjeguar incidentet, Kotevski tha se në mesditë ish-ministri Ristovski gjatë shëtitjes së rregullt ka ardhur në incident verbal të shkaktuar me një person tjetër dhe më vonë edhe në përleshje fizike të lehtë, e cila është ndërprerë menjëherë nga shërbimet e burgut. Më pak se një orë më vonë, shtoi ai, edhe ish-ministri Janakieski është përfshirë në një tjetër incident verbal të shkaktuar me një person tjetër dhe ka kaluar në përleshje fizike, që është ndërprerë menjëherë nga shërbimet e burgut.

“Nga ajo që shohim, koha e reagimit nuk ka qenë më shumë se 2-3 minuta, që do të thotë se reagimi ka qenë mjaft i shpejtë. Procedura e hetimit të këtij incidenti tashmë ka filluar dhe mendoj se për një kohë të shpejtë do të kemi zbardhjen e plotë. Të gjithë ata që kanë vepruar kundër standardeve apo protokolleve të këtyre ngjarjeve apo kanë bërë diçka që ka kërcënuar sigurinë e të arrestuarve do të sanksionhen”, deklaroi Kotevski.

Siç tha ai, Ristovski nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore shtesë, ndërsa Janakieski është ankuar për dhimbje dhe është dërguar në spitalin “8 Shtatori” në Shkup, por është kthyer në burg, pasi nga spitali konstatuan lëndime të lehta.

Kujtojmë se ish-ministrat, Janakieski dhe Ristovski, së bashku me ish-kryeparlamentarin dhe deputetin e tanishëm të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, Trajko Veljanovski, u arrestuan para dy ditësh nën dyshimin për përfshirje në ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvend, kur si pasojë e dhunës së ushtruar nga qindra protestues, të cilët me forcë hynë në godinën e Kuvendit, pësuan rreth 100 persona, përfshirë deputetë, policë dhe punonjës të medias.

Prokuroria Publike njoftoi se Janakieskit dhe Ristovskit iu caktua paraburgim 30-ditor dhe u dërguan në Burgun hetimor Shkup pasi ka dyshime se mund të ikin nga drejtësia, ndërsa Veljanoski pas marrjes në pyetje u lirua duke u thirrur në imunitetin e deputetit.

Në mesditë, Gjykata Penale e Shkupit dërgoi kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit Veljanovski deri në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa kryeparlamentari Talat Xhaferi të njëjtën e ka dorëzuar te Komisioni kuvendor për çështje të rregullores së mandatit dhe imunitetit, i cili në afat prej dy ditëve duhet të dorëzoj raport deri te kryeparlamentari.

Pas raportit të marrë nga Komisioni, Kuvendi duhet ta vendos kërkesën e Gjykatës Penale në seancë plenare, ku me një votim do të vendoset për heqjen ose jo të imunitetit të Veljanovskit. Vendimi merret me shumicë të thjeshtë nga numri i përgjithshëm i deputetëve ose me 61 vota nga gjithsej 120 sa i ka Kuvendi.

Me kërkesë të Gjykatës Penale deri më tani përbërja aktuale e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për heqjen e imunitetit të shtatë deputetëve, përfshirë edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili është në arrati.

Mbrëmjen e 27 prillit të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferi në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit e kryesuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët ishin tubuar para Kuvendit, me forcë hynë brenda godinës dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve, pjesëtarëve të policisë, si dhe punonjësve mediatik.

Për dhunën në Kuvend janë gjykuar dhjetra persona, përfshirë edhe deputetë të VMRO-DPMNE-së, ndër të cilët edhe Veljanovski, Janakieski dhe Ristovski.

Leave a Reply

%d bloggers like this: