Kronika

Ministrja Xhaçka në Shkup: Maqedonia e Veriut në NATO, garanci për një rajon më të sigurt

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO garanton një rajon më të sigurt. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u shprehu urimet e Shqipërisë drejtuesve më të lartë të shtetit më të ri të Aleancës së Atlantikut të Veriut, gjatë një vizite zyrtare ditën e hënë, më 25 shkurt 2019,  në Shkup.

Nënshkrimi i Protokollit të Anëtarësimit në NATO nga Republika e Maqedonisë së Veriut është vërtet një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Nga sot, i gjithë rajoni do të jetë më i sigurt, me më shumë stabilitet dhe unë jam e bindur, që të gjithë së bashku mund të shohim drejt së ardhmes me më shumë optimizëm“, u shpreh ministrja Xhaçka, gjatë Konferencës së Përbashkët me homologen Ludmila Sekerinska. Ministrja Xhaçka foli në deklaratën e saj edhe për kërcënime që më së shumti shteteve po u vijnë nga brenda tyre. “Siç na tregoi edhe kalvari i vështirë që përjetoi Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit, shpesh kërcënimet më të mëdha me të cilat na duhet të përballemi në punën tonë, nuk janë ato të jashtme, por ato që vijnë nga brenda. Sepse fatkeqësisht, siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut, e siç po ndodh sot në Shqipëri, në vendet tona ka jo rrallë forca që për interesat e tyre të ngushta, që s’kanë asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve apo vendeve tona, janë gati të rrezikojnë edhe stabilitetin, edhe zhvillimin, edhe të ardhmen tonë evropiane“, – u shpreh më tej ministrja Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes theksoi më tej: “Unë jam besimplotë, që për aq kohë sa shumica e qytetarëve të vendeve tona besojnë tek ideali euroatlantik dhe tek ato dëshira e ëndrra që përmenda më lart, rruga jonë drejt Evropës, një rrugë që kalon përmes modernizimit të vendeve tona, e mbi të gjitha përmes vendosjes së sundimit të ligjit e drejtësisë, është e pandalshme dhe këto forca janë të destinuara të dështojnë. Ashtu siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut e ashtu siç do të ndodhë edhe në Shqipëri“.
Gjithashtu ndër të tjera ministrja e Mbrojtjes Xhaçka ka deklaruar se ndihet mirë që  faktori shqiptar, politik dhe qytetar, luajti një rol aq konstruktiv, duke u kthyer në një nga promotorët e këtyre zhvillimeve.

Ndërsa ministrja e Maqedonisë Radmilla Sheqerinska, theksoi se Shqipëria çdo herë ka mbështetur Maqedoninë dhe se kjo mbështetje nuk do të harrohet. Ajo nënvizoi edhe aktivitetet ku dy vendet do të bashkëpunojnë si aleate. “Pjesëtarët e Armatës sonë do të jenë pjesë e ushtrimit multinacional që do të mbahet këtë vit tek fqinjët tonë, ndërsa këtë vit po ashtu me arsye dhe argumente plotësuese do të marrim pjesë në iniciativën Bashkëpunimi i Adriatikut – SHBA të cilën do ta kryesojë pikërisht Republika e Shqipërisë”, deklaroi Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministrja Radmilla Shekerinska, uroi Ministren Xhaçka për shënimin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. 

Të pyetura për qëndrimin e Serbisë për mosanëtarësim në NATO, ata thanë nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në punët e brendshme të shteteve fqinje dhe se dëshirojnë që aspiratat euroatlantike t’i kenë të gjitha shtetet.

Gjatë qendrimit në Shkup, Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Olta Xhaçka u prit edhe nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri. Ministrja Xhaçka është ministrja e parë e vendeve të NATO që viziton Maqedoninë pas nënshkrimit të Protokollit të Pranimimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button