Kronika

Bitraj: Do të tregoj sekretet e Thesarit

Organizatori i supervjedhjes, mesazh grupit hetimor, kërkon të rimerret në pyetje

Nga Sokol Çobo

thesari-i-shtetitOrganizatori i supervjedhjes në Thesarin e Shtetit, Ardian Bitraj, i ka dërguar ditët e fundit grupit hetimor të kësaj çështjeje një mesazh, teksa kërkon që të ripyetet, pasi ka “kujtuar” të tjera detaje. Prokuroria kërkon me ngulm se ku shkuan mbi 7 milionë eurot e vjedhura në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, ndërsa nisur nga faktet e zbuluara kohët e fundit, ka ngritur dyshime se përfitues të këtyre vlerave monetare mund të jenë edhe zyrtarë të lartë të BSH-së. Megjithatë, pa gjetur më parë ndonjë gjurmë nga 50 mijë lekëshet që mungojnë në Thesar, akuza e ka të vështirë të përcaktojë se ku përfunduan këto të holla, janë në ndonjë bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, të transferuar jashtë vendit, u investuan në prona të patundshme apo … mund të jenë groposur. Për të mësuar këto detaje, hetuesit e çështjes kanë marrë një mesazh pikërisht nga Ardian Bitraj, i cili ka kërkuar që të ripyetet më gjerësisht, pasi mund të zbulojë ndonjë sekret.

Burime nga akuza e kryeqytetit thanë për gazetën “Shqip”, se në ditët në vijim, prokurori i çështjes, Ramadan Troci, do t’i bëjë një tjetër vizitë në qeli Bitrajt. Krahas destinacionit të parave, akuza synon që të mësojë se cilët kanë qenë përfituesit e vërtetë të vjedhjes së Thesarit, vetëm ai, siç dhe ka deklaruar deri më tani, apo edhe persona të tjerë, kryesisht drejtues të Thesarit dhe të BSH-së. Burimet nga akuza konfirmojnë se edhe më parë, Bitraj ka treguar detaje të rëndësishme të kësaj çështjeje, madje dëshmia e tij ka fundosur deri më tani 18 persona të tjerë, ku nën akuzë u vu edhe guvernatori Ardian Fullani. Rrëfimi i Bitrajt shkaktoi një tërmet në BSH, ndërsa akuza nisi hetimet edhe për disa skandale të tjera nga ky institucion i pavarur, që edhe buxhetin e ka më vete nga qeveria.

Tashmë, pas rrëfimit të ri të Bitrajt, mund të ketë të tjera zhvillime për zbardhjen e plotë të vjedhjes apo të përfituesve të tij. Nën akuzë mund të vihen zyrtarë apo persona të tjerë, ndërsa edhe të arrestuarit apo të tjerët me masë sigurie, mund t’u ndryshohet akuza. Burimet jo zyrtare nga prokuroria kanë deklaruar edhe më parë se Bitraj ka kërkuar disa herë statusin e të penduarit, i cili deri më tani nuk i është dhënë. Por, nëse tregon përgjegjësit konkretë, a mund t’ia japë këtë status prokuroria? Kjo ngelet për t’u parë, megjithëse të dhënat e para flasin se organizatori i supervjedhjes është lëkundur shumë nga qëndrimi i deritanishëm, ku deklaronte se: lekët i vodha vetëm unë!

Para disa ditësh, prokuroria ka ndryshuar akuzat ndaj Bitrajt, Bruzias dhe Bejtajt. Ata do të hetohen tashmë për vjedhje të bankave në bashkëpunim, ndërsa rrezikojnë dënimin nga 10 deri në 20 vite heqje lirie. Pak ditë më parë, akuza e hetonte Bitrajn dhe Bruzian për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, ndërsa Bejtajn për moskallëzim krimi. Provat e mbledhura së fundmi kanë bindur grupin hetimor të rikualifikojë edhe veprën penale, duke rënduar pozitat e tre të pandehurve. Hetuesit e çështjes i kanë bërë një vizitë në qeli Bitrajt, duke ia komunikuar akuzën, ndërsa mësohet se organizatori nuk e ka pritur mirë këtë ndryshim të akuzës. Madje, mësohet se ai ka qarë pasi ka mësuar se mund të dënohet deri në 20 vite burg. Ai është vetëdenoncuar dhe duket se kërkon me ngulm statusin e të penduarit, ku rrëfimi i tij mund të vërë në përgjegjësi penale shumë persona të tjerë, apo mund t’u rëndojë akuzat të pandehurve. Akuza dyshon se vjedhje ka pasur edhe më parë, madje edhe në bashkëpunim apo nga administratorët e Bankës së Shqipërisë. Lekët që duhet të asgjësoheshin nuk u merrej kodi i serisë, duke hedhur dyshime se ato janë ricikluar. Madje, edhe paratë e reja që vinin nga Zvicra nuk u merrej ky kod sigurie, por vinin “me kile” apo me koli. Këto mënyra e kanë bërë të pamundur gjurmimin e këtyre lekëve.

Rekursi

Prokuroria kërkon burg për Ardian Fullanin

Prokuroria kërkon riburgosjen e Ardian Fullanit, ish-guvernatori i arrestuar për shpërdorim detyre, në lidhje me vjedhjen e mbi 7 milionë dollarëve nga Thesari i Shtetit në Linzë. Akuza qendrore konfirmon se nuk është dakord me vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila dha masën e sigurisë arrest shtëpie për Fullanin, duke e ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë. Akuza thotë se ka dorëzuar rekurs edhe për të pandehurit e tjerë. Më parë, edhe avokati mbrojtës i ish-guvernatorit Fullani ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, për ndryshim të masës së sigurisë të caktuar nga Gjykata e Apelit. Fullani u vu në pranga më 5 shtator në zyrën e tij. Ai qëndroi në qeli vetëm 10 ditë, si pasojë e shpejtimit të procedurave të këtyre gjykatave, ku në një vendim normal, zhvillimi i gjyqit mund të vononte deri në tri ose katër javë. Apeli e la në arrest shtëpie Fullanin, duke i ndaluar komunikimin me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjeton.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button