Home / Bota / Endrra e pamundur e Matteo Salvinit për një aleancë nacionaliste ndëreuropiane

Endrra e pamundur e Matteo Salvinit për një aleancë nacionaliste ndëreuropiane

Nacionalistët kanë tendencë të mos pajtohen me njëri-tjetrin

Një nacionalist italian që bashkon forcat e tij me ato gjermane për të premtuar “realizimin e një ëndrre europiane”, ishte përshkrimi që Matteo Salvini i bëri situatës aktuale, edhe pse kjo shkaktoi padyshim përbuzjen e shumë personave.

Por indiferent dhe moskokëçarës ndaj situatave të tilla, kreu i Ligës së Veriut të Italisë, Matteo Salvini, ishte entuziast kur në fillim të prillit u ul në të njëjtën platformë në Milano përkrah Jörg Meuthen të Partisë gjermane Alternativa për Gjermaninë, ku njoftoi formimin e një aleance të re në Parlamentin e ardhshëm europian. Z. Meuthen tha se ajo do të quhet Aleanca Europiane për Popullin dhe Kombet.

Ndërsa z. Salvini, tha se qëllimi i aleancës ishte të bënin pjesë të saj grupe me të cilat ata nuk kishin bashkëpunuar më parë. Gail McElroy, një shkencëtar politik në Trinity College, në Dublin, i cili ka bërë një studim të Parlamentit Europian, tha se ka shumë mundësi që e djathta radikale do të fitojë disa poste në zgjedhjet europiane të 23-26 majit.

Por, për fatin e keq të z. Salvini, asnjë prej liderëve të partisë që ai shpresoi të tërhiqte në grupin e tij të ri nuk ishte i pranishëm në Milano. Lëvizjet e krijuara për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të lartësuar identitetin kombëtar shpeshherë kanë gjasa që të tërheqin aleatët jo të duhur. Qeveria e Jaroslaw Kaczynskin në Poloni dhe ajo e Viktor Orban në Hungari nuk i kanë parë asnjëherë me interes kërkesat e qeverisë italiane për një rishpërndarje brenda BE-së të azilkërkuesve që vijnë nga Afrika. Sipas partitë populiste italiane, problemi mund të shmanget duke mbyllur kufijtë e Europës.

Por, sa i përket rënies dakord të politikës ekonomike, kjo po që do të jetë e vështirë për t’u realizuar. Partia Alternativa për Gjermaninë dhe grupe të tjera të djathta në Europën e Veriut, mbështetin pikërisht llojin e masave shtrënguese fiskale që z. Salvini pretendon se po e pengojnë ekonominë italiane. Shifrat industriale inkurajuese të arritura në muajin shkurt dhe të botuara në fillim të prillit, rritën shpresat se pas dy tremujorësh të rritjes negative në gjysmën e dytë të vitit 2018, Italia tani mund të dalë nga recesioni teknik. Por pamja mbetet e zymtë.

Kabineti qeveritar italian e uli parashikimin e rritjes për vitin 2019, nga 1% në 0.2%. Ai pranoi se, si rezultat, Italia do të dështonte në përmbushjen e objektivave me të cilat ra dakord me Komisionin Europian për deficitin buxhetor dhe borxhin publik.

Sipas qeverisë, ajo mund të shënojë këtë vit një deficit fiskal prej 2.4% të PBB-së në vend të atij prej 0.2% të PBB-së dhe një rritje në nivelin e borxhit publik të Italisë, i cili edhe aktualisht është në nivele të larta, duke u rritur nga 132.2% në 132.6%. Ngadalësimi mund të shpjegojë shenjat e para të dobëta që rritja e mbështetjes për z. Salvini, e nxitur kryesisht nga qëndrimi i tij i ashpër mbi imigracionin, mund të ketë arritur kulmin.

Që nga zgjedhjet e përgjithshme në mars të 2018, kur Liga e Veriut fitoi më pak se 18% të votave, sondazhet vijuese kanë treguar se popullariteti i saj ka shënuar rritje vazhdimisht. Por sipas një sondazhi të fundit të publikuar në fillim të muajit prill, u zbulua se ajo kishte shënuar një rënie prej gjysmë pikë përqindje. Deri tani, z. Salvini, ministri i Brendshëm dhe një zëvendëskryeministër në qeverinë e koalicionit të Giuseppe Conte, nuk e kanë marrë asnjëherë përsipër përgjegjësinë e tyre në lidhje me rënien.

Politika ekonomike është kryesisht përgjegjësi e ministrit të Financave, Giovanni Tria dhe e Luigi Di Maio, kreut të lëvizjes anti-establishment Pesë Yjet (M5S). Së fundmi Kapiteni, ashtu siç e quajnë mbështetësit e tij, ka këmbëngulur se ministri i Financave, z. Tria duhet të prezantojë një taksë të sheshtë për familjet më të varfra dhe që sipas tij një normë prej 15% do të ishte e duhura për ata me të ardhura prej më pak se 50,000 eurosh. Objektivi ashtu si me buxhetin ekspansionist të Italisë për 2019, është të nxisë rritjen nëpërmjet rritjes së kërkesës së brendshme. Z. Salvini po ndërmerr një rrezik shumë të madh, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.

Duke vepruar në këtë mënyrë, ai ka frymëzuar miliona italianë, duke u rritur shpresat dhe të cilët do të zhgënjehen shumë, në rast se ai nuk do të arrijë t’i realizojë ato që ka premtuar. Ka pak mundësi për uljen e taksave, si pasojë e një marrëveshjeje të arritur me Komisionin Europian në 2011 në kulmin e krizës së euros, sipas së cilës qeveria duhet të gjejë të paktën 23 miliardë euro të ardhura shtesë, ose ulje të shpenzimeve për të shmangur rritjen e normës së TVSH-së, e cila është aktualisht në nivelin e lartë prej 22%.

Nicola Nobile nga Oxford Economics, një firmë konsulence, ka vlerësuar se pas marrjes në konsideratë të një rritjeje më të ngadaltë në krahasim me atë që pritej dhe nëse qeveria italiane do të qëndrojë nën objektivin e deficitit të Eurozonës dhe nëse ajo nuk mund të gjejë para diku tjetër, atëherë për realizimin e taksës së sheshtë nuk do të ketë aspak hapësirë. Z. Salvini shpreson se atij nuk do t’i duhet që të respektojë edhe për shumë kohë rregullat e stabilitetit fiskal të Eurozonës.

Ai ka parashikuar në mënyrë të vazhdueshme një fitore populiste në votimin e muajit të ardhshëm, e cila do të transformojë opinionin e Komisionit dhe do të shkaktojë një reduktim të kufizimeve fiskale, të cilat rëndojnë shumë mbi Italinë. Por ka disa pengesa në këtë drejtim. Baza për bllokun e tij të ri është një aleancë ekzistuese që përfshin Ligën dhe Frontin Kombëtar të Marinë Le Pen në Francë. Sipas sondazhit të BE-së, ajo mund të fitojë 61 nga 705 vende në Parlamentin e ardhshëm Europian (me përjashtim të Britanisë).

Partia Alternativa për Gjermaninë ndoshta mund të kontribuojë edhe me shtimin e 13 vendeve të tjera. Nëse z. Salvini do të arrijë të marrë mbështetjen e partisë Fidesz të z. Orban në Hungari që është pezulluar nga blloku kryesor konservator në Parlamentin Europian dhe atë të Partisë polake për Ligj dhe Drejtësi të Z.Jaroslaw Kaczynski, ai mund ta çojë në 100 numrin e vendeve të fituara në Parlament. Por edhe në rastin më të mirë të mundshëm, sikur të dyja partitë e mësipërme do t’i bashkoheshin z. Salvinit, aleanca e tij e re, gjithsesi do të mbetej shumë prapa grupeve konservatore dhe atyre socialiste.

Një pengesë tjetër është se qeveritë kombëtare dhe jo Parlamenti, zgjedhin kandidatë për Komisionin, edhe pse është Parlamenti ai që duhet t’i miratojë ato. Që nga hyrja në qeveri, z. Salvini ka treguar veten si një njeri të zotin dhe mbi të gjitha të shkathët, prandaj ai duhet që të tregohet i kujdesshëm në javët e ardhshme që të mos jetë pjesë e një dështimi të mundshëm.

Leave a Reply

%d bloggers like this: