Politika

Europa dhe SHBA refuzuan maskaradën politike të opozitës në Shqipëri

“Opozita kujtoi se do të hutonte dhe trondiste Europën dhe Amerikën duke djegur mandatet dhe duke veshur jelekët e destabilizatorit të Shqipërisë, por në këmbim kanë marrë vetëm refuzimin e një maskarade politike të pashoqe në historinë e vendeve demokratike dhe po vazhduan kështu, do të marrin bashkë me refuzimin edhe izolimin total nga gjithë bota demokratike”.

Kështu deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama, i cili theksoi se “i ka ardhur qartësisht fundi variantit të lojës në gjuhë të huaj të opozitës”.

“Nuk kanë mbetur më në Europë njerëz që i besojnë katranprodhuesve tanë, që kanë shpërndarë në këto vite baltë e zift për Shqipërinë nëpër zyrat dhe vrimat e Europës, më shumë se sa kanë mundur të shpërndajnë në dhjetëra vjet, të gjithë armiqtë e vendit të mbledhur së bashku”, shtoi Rama.

Rama tha se “opozita po të ngre njerëz për të shkatërruar dhe djegur godinat e institucioneve, duke shpresuar se do të prodhojnë dëshmorë të revolucionit të tyre imagjinar”. “Kjo si pasojë e reagimit të pritshëm prej tyre disporpocional të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, që në kohën e tyre u përgjigjeshin me kallashnikov protestuesve paqësor, por gjetën vetëm disa të verbër që sot janë në burg për shkak të tyre dhe morën mbrapsht përgjigjen proporcionale të forcave të rendit”, tha Rama.

Atyre u gënjen mendja, – vijoi Rama -, se do ta ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta, sepse ende kujtojnë se do të gjejnë budallenj që do të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve, pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës.

“Nuk kanë gjetur asnjë ‘budalla’ në botë që t’i mbështesë, apo t’i kuptojë në këtë përpjekje të marrë, ndërkohë që pa pikë dyshimi nuk do t’i takojë e dëgjojë askush nëse nuk i japin fund para se të jetë shumë vonë kësaj marrëzie”, theksoi Rama.

Kryeministri komentoi po ashtu edhe të gjitha pretendimet se gjatë qëndrimit në Berlin i është kërkuar shtyrja e zgjedhjeve.

“Në të gjithë broçkullat që u thanë me rastin e Samitit të Berlinit u tha edhe që mua do të më kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve apo do të më tërhiqnin veshin për zgjedhjet pa pjesëmarrjen e humbësve të arratisur nga procesi për të mos u përballur me votë në 30 qershor. Nuk më zuri veshi asnjë kërkesë apo kapje të kësaj natyre dhe asnjë fjalë, zero”, tha Rama.

Ai theksoi se “në demokraci askush nuk është i detyruar të hyjë me zor në zgjedhje”. “Kushdo është i lirë të hyjë a të mos hyjë në zgjedhje dhe nuk është as detyra e qeverisë të fusë me zor në zgjedhje partitë që nuk duan të votohen nga populli, as e drejta e shumicës qeverisëse të shtyjë zgjedhjet përtej afateve kushtetuese sepse disa parti nuk duan të hyjnë në zgjedhje”, tha Rama.

Po ashtu ai kujtoi se për parti apo individë që i bien ndesh Kushtetutës dhe ligjit duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal.

“Duhet ta informojmë në vijimësi publikun për përmbajtjen e këtij kapitulli që t’i dalim borxhit deri në fund kujtdo që mund të bjerë pre e padijes së vetë, duke shkuar pas ‘berihajt’ ditën e zgjedhjeve. Në këtë aspekt Kodi Penal nuk ka nevojë për asnjë ndryshim sepse ashtu si e kemi votuar kur në maxhorancë dhe qeveri ishte PD, përbën një bazë solide ligjore në funksion të mbrojtjes së procesit zgjedhor nga çdo lloj keqbërësi”, shtoi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button