Home / Bota / Gara për liderin konservator, Hunt: Brexit pa marrëveshje, vetëvrasje politike!

Gara për liderin konservator, Hunt: Brexit pa marrëveshje, vetëvrasje politike!

Kandidati për kreun e konservatorëve në Britaninë e Madhe, Jeremy Hunt ka paralajmëruar se partia e tij do të kryejë “një vetëvrasje politike” nëse përpiqet të shtyjë më tej drejt një Brexit-i pa marrëveshje. Sekretari aktual i Jashtëm është një prej 10 kandidatëve që kërkojnë të zëvendësojnë Theresa Mayn në krye të ekzekutivit britanik, pas dorëheqjes së paralajmëruar të saj pak ditë më parë. Michael Gove, nga ana tjetër, ka nisur fushatën me angazhimin për të lejuar shtetasit e vendeve të BE-së, që ndodheshin në Britani në momentin e referendumit, të aplikojnë për nënshtetësi pa paguar hiçgjë.

Sekretari ambjentalist dhe mbështetës i Brexit-it pritet ta bëjë publike këtë ofertë “të hapur dhe tepër bujare”, sipas disa burimeve. Një tjetër rival konservator, Sekretari për Zhvillimet Ndërkombëtare, Rory Stewart premton të “dëgjojë më shumë opinione” mbi Brexit-in. Por, të kthehemi te Hunt. Duke shkruar për “Daily Telegraph”, ai thotë se konservatorët do të “asgjësoheshin” dhe “përballeshin me zhdukjen”, nëse do të mbaheshin zgjedhje të përgjithshme përpara se të ndodhë Brexit.

Hunt thotë se, gjithmonë ka besuar se dalja pa marrëveshje është më e mirë sesa moszbatimi i Brexit-it, por paralajmëron më tej se, një kryeministër që bën thirrje për daljen pa marrëveshje do të rrezikonte të humbiste përballë një mocioni mosbesimi në Parlament, duke shkaktuar kështu zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. “Të përpiqesh të arrish shkëputjen pa marrëveshje përmes zgjedhjeve të përgjithshme nuk është një zgjidhje, madje është vetëvrasje politike”, shkruan ai. Ndaj, ai zotohet të negociojë një marrëveshje të re me Bashkimin Europian, nëse ai fiton garën për kreun e partisë. Në kundërpërgjigje ndaj tij, një prej rivalëve të Huntit, Esther McVey tha se “vetëvrasje politike” do të ishte në fakt mosshkëputja nga BE-ja në fund të tetorit, siç është planifikuar. Në garën për lidershipin e konservatorëve, për të zëvendësuar kryeministren në largim Theresa May janë 10 kandidatë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: