Home / Rajoni / Maqedonia / Norvegjia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Norvegjia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Ministrja e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide, po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur nga homologu i saj, Nikolla Dimitrov.

Dimitrov dhe Søreide fillimisht kishin një takim dypalësh, pas çka pasoi takimi i delegacioneve nga të dyja vendet. Pas takimeve, shefat e diplomacive mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për media, ku theksuan raportet miqësore mes dy vendeve.

Ministri Dimitrov tha se ndonëse me homologen e tij norvegjeze takohen shpesh në organizime ndërkombëtare, mirëpo siç theksoi ai, kjo është vizita e saj e parë në Shkup.

“Biseduam për rajonin, biseduam për marrëdhëniet tona dypalëshe. Jemi mirënjohës për mbështetjen norvegjeze për axhendën tonë reformuese. Në përgjithësi jemi mirënjohës për interesin dhe prezencën e Norvegjisë jo vetëm tek ne, por në gjithë rajonin”, tha Dimitrov, i cili po ashtu falënderoi Norvegjinë për nënshkrimin e protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ministrja Eriksen Søreide tha se Norvegjia është mike e afërt dhe partnere e Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se vendi i saj është i përkushtuar në zhvillimin e tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, për çka siç u shpreh ajo, në dy vitet e fundit është dyfishuar ndihma për këtë rajon.

“Gjithashtu shpresoj që të ulem afër Nikollës në NATO. Gjeografikisht jemi paksa larg, por do të jemi fqinj në masën e rrumbullakët. Kështu që, ai do të ulet mes mua dhe Holandës”, tha Eriksen Søreide.

Ajo theksoi se Norvegjia nuk është vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE), por tha se është në interes të BE-së që të ketë nivel sa më të lartë të integrimit, varësisht nga vullneti i shteteve.

Gjatë vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut, ministrja Eriksen Søreide do të takohet edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe me zv/kryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Leave a Reply

%d bloggers like this: