Kronika

Mësuesit jashtë profilit do të transferohen në shkolla të tjera

lindita-nikolla-320x213Vendimi

Nikolla: Do i punësojmë në një tjetër shkollë, në varësi të diplomimit  

Nga Shpresa Mezini

Mësuesit që japin mësim jashtë profilit, nuk do të shkarkohen, por do të japin mësim ato lëndë, për të cilat janë diplomuar. Largime nga detyra do të ketë vetëm për ata mësues, të cilët në provimin që do të zhvillohet në mes të muajit nëntor, do të vlerësohen me notë të dobët. Ky është vendimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit, e cila brenda datës 15 tetor, do të zbardhë të dhënat e plota të inspektimit të bërë në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, në nivel kombëtar. Kështu, vendimi për transferimin e mësuesve nga zhvillimi i njërës lëndë në tjetrën, në përputhje me profilin e diplomimit, do të ndodhë pas publikimit të rezultateve të arritura në monitorimin e MAS, ndërsa vendimi për largimin e arsimtarëve nga puna, do të ndodhë vetëm pas rezultateve të arritura në provimin që do të zhvillohet në nëntor, për rreth 39 mijë mësues, me qëllim verifikimin e njohurive të tyre. “Nëse një mësues në një shkollë vepron jashtë profilit, ne do ta evidentojmë se cili është mësuesi i kësaj shkolle që është jashtë profilit, për të mësuar punësimin e tij në një shkollë tjetër, por ama brenda profilit. Mësues jashtë profilit përpara fëmijëve të shqiptarëve nuk do të ketë, sepse nuk ofrojnë absolutisht pikën e cilësisë në arsim”, sqaron ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Sipas saj, problem shqetësues mbeten mësuesit në zonat rurale, ku pjesa më e madhe e shkollave funksionojnë me klasa të përziera. “Në bashkëpunim të plotë edhe me partnerë tanë të rëndësishëm, siç është Banka Botërore, e cila ka realizuar një studim për rrjetëzimin dhe mënyrën e rajonalizimit të shkollave shqiptare, por edhe në kuadër të reformës territoriale, besoj që do të kemi një situatë të re, duke u dhënë fund shkollave me dy-tre nxënës dhe me pesë mësues, por edhe duke mundësuar transportin e mirë për këta fëmijë, për një cilësi të re të mësimdhënies dhe mësimnxënies së tyre”, tha ministrja e Arsimit.

Transferimi

Në kuadër të reformës që do të prekë në vijimësi sistemin parauniversitar në vend, me urdhër të Ministrisë së Arsimit, do të testohen rreth 39 mijë mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Zyrtarisht mësohet se në Ministrinë e Arsimit është ngritur tanimë një grup, i cili prej ditësh ka dalë në terren për të verifikuar situatën në çdo shkollë, lidhur me problematikat apo fushat ku nevoja për të ndërhyrë është emergjente. Në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, në qytet apo edhe në zonat më të thella të vendit, nuk do të punojnë më mësues pa arsim të lartë. Ata që nuk kanë kryer provimin e shtetit, do të shkarkohen, ndërsa ata që japin mësim jashtë profilit do të transferohen në një tjetër shkollë, për të zhvilluar mësim lëndën për të cilën janë diplomuar. Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga Drejtoria Arsimore, Tiranë, drejtoritë e tjera rajonale apo zyrat arsimore, numri i arsimtarëve që japin mësim jashtë profilit është te rreth 3900. Megjithatë, shifrat e sakta dhe të dhënat konkrete mbi situatën në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme pritet të bëhen publike deri më datë 15 tetor, pasi të ketë përfunduar zyrtarisht kontrolli në çdo institucion të sistemit parauniversitar.

Testimi

Paralelisht me procesin e kontrollit do të zhvillohet edhe testimi i mësuesve, pjesë e të cilit do të jenë edhe drejtuesit e shkollave. Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se provimi i tyre do të bëhet me dosje të veçanta, pa emra, me numra identiteti, me qëllim ruajtjen e të dhënave të tyre personale. Të pakualifikuarit që deri tani e kanë siguruar vendin e punës nga bindjet politike, jo si pasojë e kualifikimit të tyre, gjithashtu do të jenë pjesë e kontingjentit që do të largohen nga detyra. Autoritetet e arsimit sqarojnë se kandidatët që do të jenë në listat e rekrutimeve për të punuar si mësues, brenda profilit për të cilin është diplomuar, në shkollat 9-vjeçare apo të mesme, do t’i nënshtrohen një testimi specifik sipas degës së gjithsecilit. Provimi do të hartohet, monitorohet dhe vlerësohet nga një komision i posaçëm, i përbërë nga ekspertë të fushës, të cilët fillimisht do të bëjnë vlerësimin e dosjeve të të interesuarve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button