“Prokuroria më akuzon mua për 4 episode trafikimi droge. Por akuzat nuk kanë logjikë. Prokuroria më akuzon për raste të trafikimit në vitet; 2013, 2014, 2015. Ndërkohë që dy hetimet kronkrete, ndaj Taulant Haxhirajt dhe Moisi Habiljat kanë nisur në 2016”, ka thënë Tahiri. Po ashtu ish-ministri pyeti prokurorët se “si ka mundësi që prokuroria mund të më akuzojë për sasi droge të kultivuara para se të merrja detyrën e ministrit?”.
Sipas tij, prokuroria duhet t’i publikonte faktet qartë dhe mos të thoshte gënjeshtra. Lidhur me akuzën që ish-ministri ka favorizuar Habilajt, duke u garantuar atyre mbrojtje, Tahiri e kundërshtoi ashpër këtë fakt.
Ai tha se Policia e Shtetit më 2/ 10/2013, fill pas episodit të parë kur akuzohet të jetë përfshirë se ka favorizuar Habilajt, kishte dërguar procedim penal ndaj shtetasve Moisi dhe Florian Habilaj për akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë. “Si mundet që unë t’i dërgoja ata në procedim për sa kohë i favorizoja në trafikun e drogës?!”, -mësohet të jetë shprehur Tahiri para trupes gjykuese.
Sipas prokurorisë, trafikimi është kryer me një peshkarexhë me emrin ‘Fatima’. “Prokuroria”- tha Tahiri, “e lë të mjegullt faktin se asokohe janë fikur radarët. Por unë në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar as kohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punon radarët”, tha Tahiri.

Tahiri, së bashku me Jaeld Celën, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Sokol Boden, ish-oficer policie, dhe Gjergj Kohilën, ish-oficer policie, akuzohen për “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.