Home / Ekonomia / Vijon rindërtimi rrugës Qafë Thorë-Theth, pjesë e masterplanit të Alpeve

Vijon rindërtimi rrugës Qafë Thorë-Theth, pjesë e masterplanit të Alpeve

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) vijon punën për rindërtimin e rrugës Qafë Thorë-Theth.

Aktualisht FShZH-ja, po punon në të dy segmentet e kësaj rruge, ku një pjesë e ndërhyrjes po kryhet në shkëmb dhe me një volum ditor gërmimesh, rreth 1500 m3.

Kjo rrugë me gjatësi 16 km dhe gjerësi asfalti 4 – 4.75 m do të jetë një “kalim turistik në veri” të vendit që lidh Bogën, Qafë Thorën dhe Thethin.

Gjithashtu në projekt janë parashikuar dhe ndërtimi i 3 tuneleve, për mbrojtje nga ortekët gjatë periudhës së dimrit.

Me financim të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore, ndërtimi i këtij aksi synon zhvillimin e turizmit të zonave të përfshira dhe ekonomisë lokale për banorët.

Investimi përveç lehtësimit të qarkullimit edhe gjatë stinës së dimrit kur fshati bllokohet nga dëbora, rruga do të ofrojë siguri më të lartë.

Sipas FSHZH, projekti për rrugën Qafë Thore – Theth është pjesë e investimeve që rrjedhin nga Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare. Dokumenti në fjalë, bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve dhe që u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit vitin e kaluar.

Krahas qasjes së integruar të investimeve për të gjithë rajonin, Masterplani përcakton qartësisht kornizën e rregullave të zhvillimit, duke e futur të gjithë rajonin në një cikël të ri zhvillimi me impakt afatgjatë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: