Politika

Shengeni Ballkanik, Rama: SHBA në mbështetje të procesit, samiti i hapur për të gjithë

Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e sotme në një intervistë televizive në sallën e Hartave në Kryeministri të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, se tryeza e radhës për projektin e Shengenit Ballkanik është pjesë e një procesi ku veç ëndrrës ka dhe një plan konkret pune të mirëstudiuar. Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se mospjesëmarrja e Kosovës në këtë tryezë, e cila pranohet dhe nga SHBA dhe Europa, e nxjerr humbëse politikën e Kosovës në sytë e vëllezërve amerikanë.

“Ne kishim rënë dakord që do bënim këtë samit në Durrës dhe përkon koncerti me një ditë përpara samitit, ku s’do jenë vetëm Presidenti i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por do të jenë dhe të tjerë. Do vijë nga SHBA, nuk e di nga Kosova. I dërguari special, Palmer, më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do dërgojë dy persona të posaçëm nga DASH në mbështetje të këtij procesi”-, tha Rama.

“Do vijnë nga Komisioni Europian, do vijnë nga BERZH, do vijnë nga Banka Botërore. Pra do vijnë të gjithë. Pse? Sepse ky është një proces që e mbështesin të gjithë”-, vijoi Rama.

Rama duke iu referuar politikës që po ndjek Kosova theksoi se, “s’ka gjë më të gabuar sesa fitimtari (Kosova është fitimtare e luftës) ta kthejë veten në humbës dhe të izolohet dhe të kërkojë edhe nga ne, që jemi me mish e me shpirt bashkë, që të izolohemi nga procese që janë dhe rruga për zgjidhjen përfundimtare të problemeve”. “Dhe çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhet përmes konflikteve, përmes taksave, por përmes dialogut”-, theksoi Kryeministri

“Takimi është një iniciative trilaterale, jo ekskluzive, jo përjashtuese, por është e hapur për të gjithë. Unë nuk bëj asnjëherë gjëra që nuk besoj, nuk them gjëra që s’i besojë. Unë besoj shumë se kjo është rruga, dhe e di dhe këtë, që kur udhëheq ke dhe koston që ata që duhet të ndjekin pas, mund të mos e pëlqejnë atë që po bën, por di një gjë që nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe më bënë hero më pas, dhe nuk jam tradhtar sot që po bëj këtë”, tha Rama.

“Isha dhe jam unë që bëjë gjërat që besoj dhe i bëj me bindje. Unë i kuptoj shumë mirë emocionet e Kosovës me Serbinë dhe  ato që janë objektivisht probleme të krijuara dhe të pazgjidhura dhe nga Serbia, me të cilat mund të bëhen politikë në Kosovë për të marrë votat, mund të bëhet politikë edhe me mua me sytë e Kosovës. Dhe me këtë mund t’i them që sytë e Kosovës mund t’i shikoni duke hapur horizontin e shikimit tuaj, pasi horizonti juaj i shikimit është sa niveli i një partie politike”-, tha Rama.

“SHBA është nxitëse e këtij procesi deri në nivelin më të lartë, se s’dua të flas më shumë. Kosova e pagoi më shtrenjtë tarifën 100% të vënë në drejtim të Serbisë. Serbia u shit si viktimë e e saj, duke pasur vetëm kosto financiare, por nga ana politike fitoi Beogradi. Ishte një mundësi e artë në Berlin, kur Macron i tha Ramushit, më jep katër muaj, ma jep mundësinë mua dhe kësaj, për Merkelin, suspendoje katër muaj taksën dhe unë sot deklaroj se heq veton për liberalizimin e vizave. Sot pra, do lëviznit të lirë në të gjithë Europën, duke e përdorur si instrument taksën, e jo si qëllim, por sot fitoi Serbia dhe jo Kosova”-, shtoi Rama.

“Kështu është kur bëhet politikë në emër të syve të Kosovës e duke i patur sytë miop. Duke bërë politik te katundi jonë me emocione patriotike”-, vijoi Rama.

“Vuçiç ishte skandaloz në drejtim të deklaratave për “Kaçakun”, unë  e thashë me zë të lartë. Kjo ishte vërtet një simptomë e faktit se Serbia nuk është shkëputur deri në fund nga e shkuara e saj. E dyta, unë se dua paqen, dhe nuk e dua Shengenin rajonal dhe nuk e dua transformimin historik për t’i bërë Serbisë ndonjë nder apo për të mirë të Serbisë. Unë e dua për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët”.

“De Gol nuk shkoi të bëjë marrëveshje pas luftës për interesin e  Gjermanisë, por për interes të Francës pasi kuptoi se interesi i Francës ishte paqja, dhe e ardhmja e Francës ishte e përbashkët me atë të Gjermanisë”.

Duke iu rikthyer Shengenit Rajonal, Rama tha se “unë e kam kërkuar këtë i pari në funksion të njerëzve. Nga izolimi, nga barrierat tarifore dhe jo tarifore, humbasim të gjithë dhe humbet më shumë ai që është më i dobët. Nga liria e lëvizjes, nga liria fitojnë të gjithë dhe fiton më shumë ai që ka nevojë më shumë, kjo nuk diskutohet. Ne kufirin për shembull nuk e heqim dot se nuk na lejon askush, jo Serbia, por s’na lë as BE, s’na lë as SHBA. Sa herë ka dalë një deklaratë për heqjen e kufirit kanë dalë deklarata në Bruksel, Uashington,  kanë ardhur dhe te unë se kjo është vija e kuqe, se shihet si një provokacja e Shqipërisë së madhe”.

“Ndërsa marrëveshja rajonale e heq kufirin. Për të bërë këtë duhet bërë pjesë e marrëveshjes. Kosova luftonte për t’u ulur në tryeze, kur serbët vraponin të largoheshin nga tryeza kur shikonin një kosovar në korridor. Sot që janë në tryezë serbët, Kosova nuk ulet”-, tha Rama.

“Këtu s’ka asgjë të re, unë se ndaloj këtë iniciativë se ka ardhur dikush në drejtim të Kosovës dhe më thotë mua mos u ngut. Jo kjo do vijojë sepse janë të gjithë në tryezë, Ramushi ka qenë në tryezë… Albinin e dua të jetë bashkëpunues për Kosovën…”-, tha Rama

“Unë debatoj me Vuçiçin sa herë takohem për Kosovën dhe debati është i fortë, por kemi rënë dakord të mos jemi dakord. Në këtë proces ka shumë progres,  këtu kemi Presidentin e Serbisë për Shengenin rajonal, nëse Kosova ulet në tryezë, ta bëjë marrëveshjen dhe hapet kufiri. Si bëhet kjo duke i tundur dhëmbët me portale, jo duhet proces, duhet menduar për fëmijët tanë. Në momentin që kemi nga Kosova dakordësinë për t’u ulur dhe për të bërë këtë proçes, atëherë hapen kufijtë”-, tha Rama.

“Ne kemi plot produkte bujqësore, materialet e ndërtimit të cilat janë në ekspansion, që mund të kërkohen nga Serbia, Turizmi po ashtu është një mundësi, pra Kosova ka vetëm përfitime. Për Kosovën është transformuese, pasi nuk ka nevojë të kontrollohen në kufi , është transformues për mallrat, Kosova e ka në dorë të vetë ta heqë apo jo me Serbinë kufirin, nuk është detyruese. Këta se kanë lexuar çfarë kemi shkruar, se çfarë kemi menduar. Këto duan të fitojnë kapitale politike duke i rënë politikës së Shqipërisë dhe Edi Rama, duke iu bashkuar opozitës në Shqipëri”-, tha Rama.

“Më vjen keq për Hashim Thaçin, që bëri një piruetë 360 gradë, por bie në të njëjtin pozicion. Nga cila tavolinë po ikën Thaçi. Ishte i ftuar, siç ishin dhe të tjerët, nga cilat tavolinë po ikën… Të gjithë pra në Kosovë po luftojnë se kush është më patritot e kush tradhtar, pse këta do të më marrin peng mua duke më shpallur tradhtar?. Kjo kurrë nuk ndodh!”-, nënvizoi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button