KronikaSporti

Thesaret e Igli Tares. Mbreti “Mida” që nxjerr “flori” për Lacion

Igli Tare nuk kishte absolutisht asnjë plan për t’u bërë drejtor sportiv. Ishte fundi i qershorit 2008, kur ai u paraqit në zyrën e Claudio Lotitos në Formello. Ishte 35 vjeç, pas tre sezonesh si sulmues i Lazios, ai po mendonte të dilte në “pension”, por ajo telefonatë nga Presidenti e intrigoi. Lotito po kërkonte zëvendësuesin e Valter Sabatinit. Dhe ai e ndjeu se njeriu i duhur ishte gjigandi shqiptar, që e kishte impresionuar për njohuritë që kishte mbi futbollin ndërkombëtar. Kështu që Lotito “shpiku” Taren, njeriun-merkato.

Metoda

Si Drejtor Sportiv, di se si të lëvizë: flet gjashtë gjuhë. Pesë sezone si lojtar në Gjermani ku takoi gruan e tij, Sandrën. Tare ka një metodë preçize. Një rrjet i dendur kontaktesh me agjentë të besueshëm dhe ish-shokë skuadrsh. Por pa krijuar një grup specifik. Tare preferon të lëvizë në mënyrë të pavarur. Me kalimin e kohës, ai kultivoi marrëdhënie të mira me Mino Raiolan dhe Jorge Mendesin, agjentë kryesorë në skenën ndërkombëtare. Krijoi linjë direkte me Matja Kezman, serb, ish sulmues që brodhi botën, agjent i Milinkoviç. Ka preferencë të veçantë për tregun e Evropës Veriore, por me kalimin e viteve ka shtuar vëmendjen drejt Spanjës. Shikon në Amerikën e Jugut: në Brazil ka kontakte, që shpesh kanë rezultuar të frytshme. Kalon shumë orë duke parë filmime, por shkon personalisht për të parë një lojtar që i intereson. Kërkesa themelore: cilësi që mund të rriten më tej.

Dhe duhet të flasë me lojtarët, për të kuptuar se ç’tipa janë. Kur shkon në një mision, qëllimet e tij mbeten të mbuluara në fshehtësinë më të madhe. Kontaktet personale janë në plan të parë. Në vitin 2011 ai bindi Miro Klosen të vinte në Lazio. Kishin luajtur bashkë tek Kaiserslautern. Në atë verë e sinjalizuan nga Zvicra, për Senad Luliç: kapiteni që shënoi në Super Kupën e fundit, pasi shënoi kundër Romës në finalen e Kupës së Italisë 2013, u pagua për 3 milion. Një vit më parë Tare kishte blerë Hernanes nga San Paolo për 9 , 5 milion Euro, më pas e shiti tek Inter për 20 milion. Në 2013 bleu nga Santos Felipe Anderson për 10 milion: ia shiti më pas Uest Hemit për 30. Tare zbuloi De Vrij para se të bëhej mbrojtësi më i mirë i Kupës së Botës 2014. Keita po ndahej nga Barcelona dhe ai e bëri për vete, për vetëm 360 mijë euro. Do ia shiste më pas Monakos për 30 milion Euro.

Kolonat e Inzaghit

Kishte luajtur në kombëtare me Foto Strakoshën. Tare nuhat menjëherë talentin e të birit, Thomas në portë. Në vitin 2015 fton Milinkoviç në Formello. E kërkonte dhe Fiorentina, por Sergej i kishte dhënë fjalën Igli Tares. Paguan menjëherë 4.5 milion Euro, më pas dhe 9 milion të tjera për ta blerë të gjithë kartonin e tij nga Genk. Sot Milinkoviç vlen 100 milion Euro.

Për 19 milion Euro blen Correan, për 10 milion Immobilen dhe për 5 milion Luis Alberton. Sot janë kolonat kryesore të Lacios së Inzaghit. Ashtu si Acerbi, Lazzari, Leiva, Luiz Felipe (në Brazil ishte mes amatorëve), Parolo dhe Caicedo. Mes goditjeve të shumta, edhe Biglia e Candreva. Në vitin 2016 i dha menjëherë dakordësinë Inzaghit për bankinën. “Kurrë mos hidh hapin më të gjatë se sa ke këmbën”, është motoja e tij. Dhe kështu, Tare ka pasuruar Lacion me talente dhe ambicie. La Gazzetta dello Sport – Bota.al

Me Shqipërinë, 10 gola

Igli Tare, shqiptar nga Vlora, 46 vjeç, u rrit si sulmues tek Partizani i Tiranës. Nga ’94 në 2001 ai luajti në Gjermani dhe nga Kaiserslautern u transferua tek Brescia, ku qëndroi për dy sezone, dy tjerë në Bologna, nga ku arriti u transferua tek Lazio në vitin 2005, duke luajtur deri në vitin 2008, kur Presidenti Lotito i ofroi një kontratë të re si menaxher. Me Shqipërinë, 68 ndeshje dhe 10 gola.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button