Kronika

Ndarja nga jeta e aktorit Xhevdet Ferri/ Mesazhe të shumta vlerësojnë profesionistin dhe njeriun

Lajmi i trishtuar i ndarjes nga jeta në moshëm 59 vjeçare, në mënyrë të parakohshme, nga një sëmundje e rëndë, e aktorit të njohur Xhevdet Ferri ka sjellë mesazhe të shumta ngushëllimi nga institucione të artit e të kulturës, personalitete të kinematografisë, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë.

“Me dhimbje të madhe, Teatri Kombëtar njofton ndarjen nga jeta të një prej figurave të shquara të kinematografisë dhe skenës shqiptare, Xhevdet Ferrit. Ngushëllimet tona më të sinqerta nga kjo humbje e madhe shkojnë për familjen dhe të afërmit e tij”, njoftoi Teatri Kombëtar, ndërsa publikoi edhe jetëshkrimin e aktorit.

“Trishtim e dhimbje për humbjen e mikut Xhevdet Feri, aktorit që i dha kinematografisë e teatrit role të papërsëritshme, durrsakut që i dha qytetit të lindjes, krenarinë që vetëm qytetarë të denjë e të fisëm si ai, mund t’ia falin! Të qoftë i lehtë dheu, Xhoda”, u shpreh kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj.

“Jemi të pikëlluar nga humbja e mikut tonë Xhevdet Ferri, një bashkëpunëtor i mrekullueshem i Arkivit dhe, mbi të gjitha, një artist i madh i dhjetëra roleve që mbeten të stampuara në celuloid. U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes dhe miqve”, u shpreh Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

“Në aktivitetin e tij prej afro 35 vjetësh, Xhevdet Ferri u bë njeriu i familjeve tona me rreth 40 role në kinematografi e teatër, që nga periudha e studimeve deri në fund të jetës.
Xhevdet Ferri u dha frymë karaktereve nga më të larmishmet. Emri i tij ishte një prej shenjave me të cilat njihej një brez i ri aktorësh, të prirur për një realizëm të pazbukuruar, me një ligjërim pa frazeologji të ngarkuar. Ai brez e afroi kinemanë me njerëzit. Trashëgimia e tij do të jetë gjithnjë në komunikim dhe kujtimi i tij do të jetojë bashkë me ne. Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe komunitetit artistik të vendit. I përjetshëm kujtimi i tij”, u shpreh Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button