Home / Ekonomia / “Pushtimi” ekonomik: Vendet e rajonit po mështeten nga qeveritë e tyre që të kapin tregun shqiptar

“Pushtimi” ekonomik: Vendet e rajonit po mështeten nga qeveritë e tyre që të kapin tregun shqiptar

Flet Arben Shkodra, sekretar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë: Përveç sfidave të brendshme, industrisë prodhuese do të përballen me sfidën e konkurrencës rajonale, e cila nëse nuk adresohet seriozisht dhe shpejt, mund të rezultojë shkatërruese për disa nga industritë vendase.

Prodhuesit shqiptarë nuk duken aspak optimistë. Viti 2019 u shoqërua me probleme të shumta për sektorin prodhues, të cilat pritet të vijojnë edhe përgjatë këtij viti. Ndër problematikat kryesore ata listojnë: problemet me kursin e këmbimit; konkurrueshmërinë nga importet dhe rreziku gjithnjë e në rritje i pushtimit të tregut vendas nga kompanitë rajonale; mungesa e fuqisë punëtore; kushtet e pafavorshme fiskale; si dhe mungesën e kreditimit.

Në një intervistë për Monitor, Arben Shkodra, sekretar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë shprehet i shqetësuar për konkurrencën rajonale. Sipas tij, nga informacionet rezulton se vende të caktuara të rajonit, pasi kanë studiuar tregun tonë, kanë mbështetur në një formë të strukturuar disa nga produktet e tyre të forta me qëllim kapjen e tregut.

 Si ka qenë ecuria e bizneseve prodhuese për vitin 2019, të ndara sipas sektorëve kryesorë?

Viti 2019 u karakterizua nga problematika që i tërhoqi me vete përgjatë vitit 2018. Problematikat kanë qenë të lidhura me kursin e këmbimit valutor euro-lek, ku euro vazhdoi të nënçmohej dhe në 2020-n presim të njëjtën tendence. Kishte problematika që u trashëguan nga viti 2018, të cilat lidhen me kohën e rimbursimit të TVSh-së, pasi pati biznese prodhuese që nuk merrnin rimbursimin prej 8-9 muajsh. Ndërkohë që ky fenomen është krejtësisht i paligjshëm dhe i padrejtë për prodhuesit që eksportojnë mbi 70% të prodhimit të tyre, që sipas ligjit duhet të rimbursohen automatikisht dhe pa vonesë.

Gjithashtu, pati probleme në sektorin e bujqësisë, ku me ndryshimin e skemës së TVSH-së në sektor, u krijua ngërç midis fermerëve, grumbulluesve dhe përpunuesve. Gjatë vitit nuk pati rritje të eksporteve, përkundrazi pati luhatje të eksporteve nga njëri tremujor në tjetrin. Një tjetër problematikë, që u shënua edhe gjatë vitit 2019, ishte ajo e lidhur me punësimin. Mungesa e kualifikimit të duhur profesional dhe rritja e emigracionit të punonjësve të kualifikuar ka sjellë një ngadalësim të produktivitetit duke ndikuar ndjeshëm në konkurrueshmërinë. Këtë vit pamë një përpjekje të qeverisë për të analizuar problemet e modelit të aftësimit profesional, pasi kjo reformë nuk dha rezultat.

Industritë prodhuese vazhdojnë të kenë mungesa të theksuara për punonjës të kualifikuar dhe nëse politikat publike të orientuara drejt arsimit profesional nuk do të konsultohen dhe bashkërendohen me sipërmarrjen, do te kemi një ngadalësim të mëtejshëm të rritjes dhe të konkurrueshmërisë.

Duhet theksuar se edhe aksesi në kreditim, nuk shënoi rritje për vitin 2019, madje mund të themi që për industritë prodhuese është bërë mjaft e vështirë pasi konsiderohet si një sektor me risk.

Një nga problemet e paparashikuara në vitin 2019 ishte edhe situata e krijuar nga tërmeti i nëntorit, i cili rezultoi me dëmtime të rënda infrastrukturore dhe bllokim të aktivitetit ekonomik për shumë sipërmarrje. Kemi pasur informacione për dëmtime dhe ngadalësim të veprimtarisë ekonomike të bizneseve prodhuese në zonat Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

Si e prisni ecurinë e këtyre sektorëve në vitin 2020?

Viti 2020 do të jetë kompleks dhe i vështirë për shumë arsye. Së pari për arsye të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, pasi përveç marrëdhënieve të komplikuara tregtare midis aktorëve të mëdhenj botërorë, kemi edhe tensionim të theksuar në marrëdhëniet politike të vendeve me një peshë të rëndësishme ekonomike, të cilët mund të influencojnë mjaft ekonominë botërore dhe atë të vendit tonë. Së dyti do të jetë një vit i vështirë për shkak te problematikave të bashkëpunimin rajonal. Flitet për një formë të re të bashkëpunimit rajonal që e kanë quajtur Mini-Shengen. Megjithatë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimore e kanë gati të pamundur të vijojnë një iniciative të tillë, nisur nga fakti se në Bosnje-Hercegovinë sapo është krijuar qeveria e re pas një procesi të tej zgjatur negociatash prej 13 muajsh, Kosova është ende pa një qeveri dhe problemet politike mund të çojnë në zgjedhje të reja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të hyjnë në zgjedhje brenda 6 mujorit të parë.

Së treti, problemet kryesore, që do ta bëjnë të vështirë situatën gjatë vitit 2020 do të vijojnë të jenë të lidhura ngushtë me politikat e gabuara ose të munguara të qeverisë për sa i përket industrisë dhe prodhimit. Aktualisht nuk kemi një vëmendje të veçantë për prodhimin vendas ashtu siç e kanë vendet e rajonit. Meritat për zhvillimin e industrive prodhuese i takojnë vetëm sipërmarrësve të cilët jo vetëm kishin vizionin për të investuar, por edhe kurajën për të përballuar vështirësitë dhe pengesat që shpesh krijoheshin nga politikat e gabuara.

Shteti nuk nxit

Sipas të dhënave tuaja, cilët sektorë janë prekur më shumë nga tërmeti dhe çfarë duhet bërë për t’i mbështetur dhe nxitur?

Sipas informacioneve që na vijnë vazhdimisht, pothuajse të gjithë sektorët janë të prekur nga tërmeti i nëntorit, pasi siç e dini, industria kryesore gjendet në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Lezhë. Kemi marrë njoftim dhe kemi konstatuar edhe vetë dëmtime të shumta në industrinë e përpunimit të letrës dhe kartonit, industrinë e përpunimit të produkteve të detit, industrinë e materialeve të ndërtimit, industrinë e përpunimit të metaleve dhe plastikës, industrinë e përpunimit të lëkurës dhe tekstilit etj.. Qeveria, përveç masave emergjente që duhet të merren në atë moment, duhet të mendojë për një zgjidhje afatgjatë. Kemi shprehur nevojën për të pasur një akt ligjor, i cili duhet të trajtojë menjëherë sipërmarrjet në rastet e fatkeqësive natyrore apo aksidenteve teknologjike. Kjo do t’i jepte zgjidhje afatgjatë problemeve sa herë të përballemi me të tilla fatkeqësi, ku një komision i veçantë merr në shqyrtim të gjithë problematikat, kategorizon shkallën e dëmit te krijuar te sipërmarrja dhe përfshin këtë sipërmarrje në një proces trajtimi të veçantë në aspektin procedural, lehtësim fiskal, marrëdhënies me bankat kredi dhënëse, procedurat e sigurimit, marrëdhëniet e punës si dhe proceseve të inspektimit rutinë.

Një prej problemeve kryesore që po raportojnë bizneset është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, që po ushtron presion për rritjen e pagave pa rritur produktivitetin, duke dëmtuar konkurrueshmërinë në afatin e gjatë. Çfarë duhet bërë për ta adresuar këtë?

Në lidhje me këtë çështje, si organizata më e madhe e punëdhënësve kemi paraqitur gjithnjë shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, e cila siç edhe ju e konstatoni, jo vetëm shoqërohet me një ushtrim presioni të vazhdueshëm për rritje pagash, por nga ana tjetër paraqet një problem tjetër të lidhur me paqëndrueshmërinë e punonjësve në punë. Duhet të theksojmë se pagat në sektorin privat janë rritur vazhdimisht pasi ato diktohen nga konkurrenca e brendshme dhe ajo e jashtme. Megjithatë rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës nuk është shoqëruar me rritjen e produktivitetit. Sipas nesh duhet të ndërmerren hapa urgjent në lidhje me rimodelimin e arsimit profesional dhe atij të lartë duke përputhur nevojat aktuale dhe të ardhshme të tregut me kurrikulat shkollore. Ne afatshkurtër duhet të futemi menjëherë në një studim të nevojës që ne sot kemi për punonjës në çdo sektor dhe në çdo sipërmarrje. Kjo është një punë e gjatë që bëhet vetëm me ndërveprimin e të gjithë aktorëve (shtet, sipërmarrje, grupe interesi) dhe më pas të fillojmë të rindërtojmë sa më shpejt arsimin profesional, i cili është nga të vetmit hallka që duhet të rimodelohet në konceptin e edukimit dual.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të ndërmarrim një iniciativë në afatgjatë duke ndërhyrë menjëherë në të gjithë sistemin tonë arsimor. Zhvillimi i një vendi garantohet nga niveli dhe modeli i arsimimit në çdo shkallë.

Cilat janë sfidat e industrisë prodhuese në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Përveç sfidave të brendshme, industrisë prodhuese do të përballen me sfidën e konkurrencës rajonale, e cila nëse nuk adresohet seriozisht dhe shpejt, mund të rezultojë shkatërruese për disa nga industritë vendase. Nëse nxitojmë për t’u paraqitur si pionierë të bashkëpunimit rajonal duke lehtësuar krejtësisht barrierat tarifore dhe jo tarifore me vendet e tjera pa kryer më parë një analizë të avantazheve konkurruese të çdo sektori me secilin nga vendet e rajonit, do të vëmë në vështirësi të jashtëzakonshme industrinë tonë, e cila do të fillojë të ngadalësojë ritmin e rritjes, duke shkurtuar vende pune dhe duke kontribuar më pak në ekonomi. Industritë vendase dhe produktet vendore kanë filluar të përballen me trysninë e produkteve të rajonit, të cilat kanë filluar të zënë vend të tregun tonë. Nga informacioni që kemi, vende të caktuara të rajonit, pasi kanë studiuar tregun tonë, kanë mbështetur në një formë të strukturuar disa nga produktet e tyre të forta me qëllim kapjen e tregut, ndërsa qeveria shqiptare me papërgjegjshmëri vijon të ngarkojë prodhuesin vendas me barrë të lartë taksash, tarifash, procedurash të cilat ndikojnë ndjeshëm në koston e prodhimit dhe në konkurrueshmërinë. Po diskutohet së fundmi për vërshimin e qumështit nga Serbia, fenomen jo i panjohur për ne, pasi ka vite që jo vetëm qumështi por edhe produkte të tjera ushqimore kanë bërë një ekspansion drejt vendit tonë në mënyrë të qetë dhe të strukturuar. Këto produkte kanë zënë një pjesë të tregut vendas për arsye se janë të një cilësie të mirë dhe me një çmim më të lirë se sa produkti vendor.

Konkurrenca

Vitet e fundit ka një orientim të kapitaleve të lira drejt ndërtimit dhe jo drejt industrisë prodhuese. Pse ndodh kjo dhe çfarë duhet bërë për të nxitur interesin e sipërmarrësve në sektorë që kanë vlerë të shtuar për ekonominë. Cilët konsideroni se janë sektorët më me interes në këtë fushë?

Në fakt kjo është një pyetje mjaft interesante, të cilën e bëjnë shpesh investitorët kur ato planifikojnë të investojnë në sektor. Nëse një investitor vendos të ndërtojë një fabrikë, ai jo vetëm që duhet të përballet me të njëjtat procedura për sa i përket lejeve dhe licencave të ndërtimit, por edhe për pagesën e taksave dhe tarifave, ai nuk diferencohet nga investitori, i cili do të ndërtojë apartamente banimi në qendër të Tiranës. Madje shpesh përballet me bllokim të procesit apo pengesa procedurale nga pushteti vendor, megjithëse sipërmarrësi prodhues jo vetëm që siguron punësim afatgjatë, të ardhura të vazhdueshme për buxhetin e shtetit, zhvillim ekonomik në zona të prapambetura, por promovon fuqishëm brenda dhe jashtë vendit prodhimet shqiptare. Megjithatë ndërtimi mbetet sektor me joshës pasi angazhon më pak fonde pasi shitjet fillojnë qysh në fillim, kthimi i investimit është me i shpejtë dhe nuk kërkon forcë të madhe punëtore në afatgjatë. Në mendimin tim ne duhet të fuqizojmë dhe mbështesim fort prodhimit vendas dhe të fokusohemi tek kultivimi dhe përpunimi i fruta-perimeve, bimët aromatike dhe prodhimeve te detit. Natyrisht që një nga potencialet dhe burimet mjaft te rëndësishme dhe me vlerë është uji dhe duhet të investojmë shumë në këtë sektor. Padyshim që edhe sektorët e tjerë si industria e çimentos dhe tullave, apo përpunimi i lëkurës dhe tekstilit, industria e përpunimit të metaleve me ngjyrë dhe plastika, kanë mundësi të zhvillohen dhe të rrisin eksportet e tyre por gjithmonë duke marrë mbështetjen dhe lehtësitë të duhura./Monitor/

Leave a Reply

%d bloggers like this: