Home / Kronika / Koronavirusi/ Çfarë po ndodh me shqiptarët në Itali, reagon ambasada në Romë

Koronavirusi/ Çfarë po ndodh me shqiptarët në Itali, reagon ambasada në Romë

Përhapja e koronavirusit në rajone të ndryshme të Italisë ka sjellë dhe reagimin e Ambasadës Shqiptare në Romë.

Ambasada shqiptare, përmes një deklarate, ka bërë të ditur se deri më tani, asnjë shtetas me origjinë shqiptare nuk është prekur nga virusi.

Ambasada u është drejtuar me një thirrje ndaj shqiptarëve që jetojnë në shtetin fqinj, që të marrin masat dhe të respektojnë urdhrat e dhëna nga autoritetet italiane.

Njoftimi i Ambasadës Shqiptare në Itali:

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari po ndjekin me vëmendje situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë. Deri tani nuk kemi informacion për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë tonë të Shëndetësisë dhe me Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë si dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e përhapjes së virusit në territorin shqiptar.

U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali të respektojnë masat e urdhëruara nga autoritetet italiane në situatën e emergjencës.

Ambasada në Romë dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari vazhdojnë normalisht punën në shërbim të qytetarëve. Informime të mëtejshme do të vijojnë në vartësi të zhvillimit të situatës. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari.

Leave a Reply

%d bloggers like this: