Ekonomia

OST regjistrohet pranë AKEP, do japë me qira fibrat optike, 203 milionë lekë të ardhura

Operatori i Sistemit të Transmetimit është regjistruar pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për të ofruar rrjetet dhe shërbimet publike të komunikimeve elektronike sipas Regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm. Në datën 3 mars është bërë edhe lëshimi i  kësaj çertifikate çka i hap rrugë OST-së që të vijojë me shërbimet që ka deklaruar pranë AKEP ku së pari tek rrjetet publike të komunikimeve elektronike parashikohen rrjet aksesi me fibër optike, rrjet transmetimi me fibër optike dhe zonë e njoftuar e ofrimit të rrjetit në të gjithë vendin. Tek shërbimet e komunikimeve elektronike në AKEP është njoftuar shërbimi i linjave me qira dhe shërbim transmetim të dhënash.

Ky hap i OST vjen pas miratimit që i dha ERE në fund të vitit të shkuar kërkesës së këtij operatori për të dhënë me qira fibrat optike si një mundësi për të ardhura shtesë duke mos prekur funksionimin dhe sigurinë e rrjetit që lidhet me sistemin e energjisë.

Në një kërkesë të paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë OST argumentonte se në varësi të mundësive, një pjesë e infrastrukturës së fibrës optike dhe/ose kapaciteteve të rrjetit të komunikimit të shpejtësive të larta mund të jepen në përdorim pa dëmtuar dhe rrezikuar veprimtaritë dhe rrjetet e tjera brenda kuadrit të legjislacionit përkatës, në përputhje me opinionin e ERE-s.

“Përdorimi komercial apo dhënia në përdorim e këtyre kapaciteteve mund te realizohet totalisht e ndarë duke garantuar sipas standardeve më të mira ndërkombëtare rrjetin e transmetimit të të dhënave për nevoja të rrjetit energjetik. Përsa i përket sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit energjetik ndarja e këtyre kapaciteteve është e mundur në mënyrë të qartë, e ndarë fizikisht, duke mos cënuar apo të përbeje risk per sistemin energjetik. Përdorimi i kapaciteteve të lira është qellim dytësor i OST sh.a. por përdorimi i tyre do të sjellë rritjen e të ardhurave të kompanisë si dhe reduktimin e kostove operacionale Studimi i fizibilitetit tekniko – financiar lidhur me këtë aktivitet është duke u ndjekur nga Banka Botërore (WB), si dhe ky studim pritet të përfundoje në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020” vlerësonte OST në aplikimin e vet.

ERE në atë kohë nënvizoi se kishte nevojë për një studim fizibiliteti që do të jepte një pamje më të qartë të situatës dhe gjendjes aktuale të infrastrukturës së fibrës optike si dhe identifikonte qartë nevojat për ndërhyrje në këtë infrastrukture apo kostot për këtë investim.

Nga analiza e Draft – Plan Biznesit mbi përdorimin e infrastrukturës së fibrës optike te OST sh.a vlerësonte se ardhurat nga aktiviteti do të jenë në vlerën rreth 203,460,000 leke, kosto e investimit është në vlerën rreth 327,360,000 leke me një normë interesi 4% dhe një afat shlyerje 6 vjeçar.

Duke pasur parasysh që ky aktivitet mund të sjellë disa të ardhura më shumë por do edhe kujdes në mënyrën sesi zbatohet ERE vendosi që OST të vijonte me planin për dhënien në përdorim të fibrës optike por duke mbajtur në konsideratë që mos cënohet aktiviteti primar që lidhet me energjisë, kostot për realizmin e projektit të mbulohen nga të ardhurat e realizuara Po kështu OST duhet të raportojë periodikisht pranë ERE për këtë projekt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button