Home / Kronika / Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesat 3 shtetasve të dënuar më parë

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesat 3 shtetasve të dënuar më parë

Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur sot kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 3 shtetasve me precedentë penalë.

Kështu OFL i ka nisur sot kërkesën me shkrim E. Z., banues në Pogradec, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.

Gjithashtu OFL i ka nisur kërkesën N. P., banues në Korçë, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”.

Po ashtu, OFL i ka nisur kërkesën me shkrim O. L., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Armëmbajtja pa leje”, “Vjedhja” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: