Politika

Meta në Azerbajxhan: Nxitje bashkëpunimit në fushën e naftës

Kryetari-i-Kuvendit-z.-Ilir-Meta-u-prit-sot-në-Baku-nga-Presidenti-i-Azerbajxhanit-z1Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nisi të hënën vizitën zyrtare në Azerbajxhan me një pritje të veçantë nga Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev. Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, Presidenti Aliyev konfirmoi rëndësinë që Azerbajxhani i kushton forcimit të marrëdhënieve me Shqipërinë, veçanërisht në kuadër të projektit TAP, i cili do të hapë mundësi të mëdha bashkëpunimi mes dy vendeve.
Kryeparlamentari shqiptar theksoi se Azerbajxhani përfaqëson një partner të rëndësishëm për Shqipërinë, me të cilin dëshirojmë forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike.
Z. Meta u shpreh se duhet punuar konkretisht për kompletimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve për të forcuar partneritetin bilateral, kryesisht në fushat e naftës dhe gazit, arsimit dhe turizmit. Në këtë drejtim, kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria i mirëpret investimet dhe ekspertizën e gjerë azere, duke e konsideruar Shqipërinë një portë hyrëse për të gjithë rajonin.
Duke biseduar mbi ecurinë e projektit strategjik TAP, Meta dhe Presidenti Aliyev ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit me qëllim hartimin e një Masterplani për gazifikimin e plotë të Shqipërisë duke përfituar nga eksperienca azere në fushën e naftës dhe gazit.
Në këtë kuadër, u nënvizua rëndësia e intensifikimit të shkëmbimeve arsimore me synim përfitimin e ekspertizës azere në fushën e naftës dhe gazit, përmes përgatitjes dhe trajnimit të specialistëve dhe inxhinierëve shqiptare.
Në përfundim, kryetari Meta dhe Presidenti Aliyev ndanë bindjen e përbashkët se bashkëpunimi substancial që ka nisur mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit duhet ngritur në një nivel më intensiv shkëmbimesh politike, tregtare, ekonomike e arsimore mes dy vendeve mike. Në këtë kuadër, Aliyev konfirmoi dëshirën për realizimin e një vizite sa më të shpejtë në Shqipëri.
Gjatë vizitës zyrtare në Azerbajxhan, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shoqërohet nga deputetët, Luan Rama, kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Azerbajxhan dhe nga deputeti Ben Blushi, anëtar i Komisionit të Jashtëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button