Home / Ekonomia / Bypass-i i Vlorës, 70% e punimeve janë kryer/ Balluku: Investim strategjik, akses në jug të vendit për pak minuta 

Bypass-i i Vlorës, 70% e punimeve janë kryer/ Balluku: Investim strategjik, akses në jug të vendit për pak minuta 

Në bypass-in e Vlorës janë realizuar afro 70% e punimeve dhe po vijohet me ritme të shpejta për të garantuar përfundimin në afatet e premtuara të kësaj vepre.

Tashmë puna ka nisur edhe në zonën e Kaninës dhe po vijon me intensitet pavarësisht kushteve të motit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku dhe Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho bashkë me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, inspektuan mesditën e së dielës punimet në këtë vepër të rëndësishme të infrastrukturës tonë kombëtare.

“Me shumë kënaqësi vi sot në Kaninë, aty ku Bypass i Vlorës po zhvillohet pas një periudhe jo pak të vështirë përsa i takon procesit të shpronësimit , por që tashmë pas një bashkëpunimi të mirë me të gjitha palët dhe banorët e zonës, kemi nisur punën me ritme të përshpejtuara dhe këtu që konsiderohej si një zonë e vështirë e këtij aksi rrugor”- tha Balluku.

Drejtori i ARRSH-së, i konsideroj punimet në Kaninë si “thembra e Akilit”, për Bypass-in e Vlorës, ndërsa tha se  “tashmë është gjetur mirëkuptimi dhe sot jemi në punimet e  km 10, që është hyrja në Kaninë”.

“Kemi filluar studimin gjeologjik për rrugën 2 që është shumë e rëndësishme për këtë bypass, 7 km e para kanë përfunduar ndërsa 2.5 km janë në fazën e asfaltimit. Ndërkohë që km 20- 29 pjesa fundore e rrugës ka përfunduar dhe jemi në procesim të asfaltimit dhe vendosjes së sinjalistikës”- tha ai, ndërsa informoi se po përfundon ndërtimi urës 4 me vendosjen e soletës.

Ministrja Balluku u shpreh se “kjo është pjesë e atij gjerdani infrastrukturor të jugut të vendit, pasi duke nisur nga bypass-i Fierit që kemi dorëzuar para pak muajsh, duke vazhduar me aeroportin e Vlorës,  që shpresojmë të përfundojë gara, pasi viti pandemik ka ndikuar në vonesa dhe vijmë tek ky bypass i rëndësishëm për turizmin e Vlorës dhe gjithë zonës së jugut”.

Kantierin e surprizave e cilësoi Leli, duke vlerësuar bashkëpunim e të gjitha institucioneve  për zgjidhjen e problematikave që u hasën në këtë aks.

Ndërsa Balluku vlerësoi mbështetjen e BE-së, që është bashkëfinancuese e këtij projekti të rëndësishëm.

“Ky bypass lidhet edhe me tunelin e Llogarasë ku jemi në fazën finale të mbylljes së garës ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit dhe kuptoje duke marrë rrugën nga bypass i Fierit në atë të Vlorës dhe më pas në tunelin e  Llogarasë, aksesi në jugun e vendit do të jetë në kohë të shkurtër  dhe në cilësi të lartë, sipas standardeve më të mira”- tha ministrja Balluku.

Leave a Reply

%d bloggers like this: