Home / Kronika / SHBA vlerëson gjyqtarin Ardian Dvorani mes 12 “kampionëve” në botë kundër korrupsionit

SHBA vlerëson gjyqtarin Ardian Dvorani mes 12 “kampionëve” në botë kundër korrupsionit

Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken ka renditur gjyqtarin dhe anëtarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani mes 12 Kampionëve Kundër Korrupsionit.

Ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjyqtari Dvorani u rendit nga DASH si një prej 12 Kampionëve që morën çmimin Ndërkombëtar të Departamentit të Shtetit për Kampionët Kundër Korrupsionit.

Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi sot se Departamenti Amerikan i Shtetit nderoi 12 individë të përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies.

“Ardian Dvorani, gjyqtar dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, është një figurë kryesore e reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë. Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuan në vendimin e BE në mars për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë. Gjykatësi Dvorani ishte gjithashtu një anëtar i rëndësishëm i grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi në Shqipëri, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të sapokrijuara të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në 2016. Profesionalizmi i tij çoi në mbrojtjen kushtetuese të organit të ri antikorrupsion të Shqipërisë, Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, thuhet në deklaratën zyrtare të DASH.

Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken në deklaratën gjatë dhënies së këtyre çmimeve u shpreh se, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rindërtojnë partneritetet tona, të bazuara në parime të përbashkëta si sundimi i ligjit. Në këtë frymë, unë me krenari shpall Çmimin Ndërkombëtar të Departamentit të Shtetit për Kampionët Kundër Korrupsionit dhe nderoj 12 individë të përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies”.

“Në të gjithë botën, korrupsioni kërcënon sigurinë dhe stabilitetin, pengon rritjen ekonomike, minon demokracinë dhe të drejtat e njeriut, shkatërron besimin tek institucionet publike, lehtëson krimin mes vendeve dhe than burimet publike dhe private. Administrata Biden pranon që ne do të jemi të suksesshëm në luftën kundër tyre vetëm duke bashkëpunuar me partnerë të përkushtuar, përfshirë individë të guximshëm që përkrahin përpjekjet antikorrupsion dhe vende që punojnë për të përmbushur zotimet e tyre ndaj standardeve ndërkombëtare të antikorrupsionit”, tha Blinken.

“Për këtë arsye, unë po bëj të ditur një Çmim të ri Ndërkombëtar të Kampionëve Antikorrupsion, duke vlerësuar individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh përballë fatkeqësive, për të mbrojtur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar llogaridhënien në vendet e tyre”, u shpreh Blinken.

“Siç e ka theksuar presidenti Biden, angazhimi ynë për të vërtetën, transparencën dhe llogaridhënien është një mision që ne duhet ta përjetojmë brenda vendit dhe ta demonstrojmë jashtë tij. Unë përgëzoj përkushtimin e këtyre 12 individëve mjaft të zotë për të njëjtat ideale. Të vlerësuarit janë: Ardian Dvorani nga Shqipëria, Diana Salazar nga Ekuadori, Sophia Pretrick nga Mikronezia, Juan Francisco Sandoval Alfaro nga Guatemala, Ibrahima Kalil Gueye nga Guinea, Anjali Bhardwaj nga India, Dhuha A. Mohammed nga Iraku, Bolot Temirov nga Kirgistani, Mustafa Abdullah Sanalla nga Libia, Viktor Sotto nga Filipinet, Francis Ben Kaifala nga Sierra Leone dhe Ruslan Ryaboshapka nga Ukraina. Ata na frymëzojnë ne dhe kaq shumë homologë të tyre që ndjekin këto ideale në të gjithë botën”, shtoi Blinken.

“SHBA zbatojnë një nga sistemet më të fuqishme antikorrupsion në botë. Ne ishim të parët që kriminalizuam ryshfetin e huaj dhe, në partneritet me homologë të huaj, kemi rimarrë dhe kthyer më shumë se një miliard dollarë në asete publike të vjedhura vetëm në dy vitet e fundit. Ne përdorim një sërë mjetesh për të promovuar përgjegjësinë për individët e korruptuar, për të luftuar pandëshkueshmërinë globalisht dhe për t’u angazhuar në forume shumëpalëshe për të luftuar korrupsionin dhe forcuar angazhimin e qytetarëve. Ne do ta mposhtim korrupsionin duke zbatuar reforma të shëndosha në përputhje me angazhimet ndërkombëtare antikorrupsion; zhvillimin e institucioneve transparente dhe të përgjegjshme; fuqizimin e qytetarëve, gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile për të ndihmuar në mposhtjen e këtij kërcënimi global ndaj sigurisë dhe demokracisë”, tha Blinken.

Në kuadër të implementimit të Reformës në Drejtësi, veçanërisht për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta e akuzoi Ardian Dvoranin, në cilësinë e kreut të KED, për shkelje të Kushtetutës.

“Ardian Dvorani, pa asnjë kompetencë të shprehur në Kushtetutë apo ligj, dhe duke mashtruar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar, ka shtrembëruar faktet dhe ka abuzuar me detyrën me qëllim që në bashkëpunim me Kuvendin, t’i rrëmbenin Presidentit të Republikës kompetencën për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Meta, i cili pretendonte se Dvorani ka shkelur Kushtetutën pasi nuk ka respektuar afatet për dërgimin në Kuvend dhe Presidencë të vendimeve të KED-së për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

Meta e kallëzoi Dvoranin në Prokurori për dy vepra penale, atë të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës dhe titullit shtetëror. “Të kallëzuarit Ardian Dvorani duhet t’i ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale për vonimin e procesit të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese, që vendin e fundit vakant në të, t’ia ruajë vetes”, është shprehur Meta.

Ai ka deklaruar se “nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton atë nga përgjegjësia e rëndë penale”.

Ndërsa kreu i PD, Lulzim Basha e cilësoi “Ardian Dvoranin si simboli i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, vegla dhe masha e Edi Ramës që nuk do të lërë institucion pa kapur, sepse ai e ka jetike t’i kapë institucionet”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: