Ekonomia

“Open banking mund të sjellë në Shqipëri aktorë globalë të pagesave”

Intervistë me Bora Feri, drejtore operacionale e kompanisë MPay

MPay është një institucion financiar, që ofron shërbime të pagesave në kohë reale nga llogaria bankare, nëpërmjet një aplikacioni mobile. Bora Feri, drejtore operacionale, thotë në një intervistë për revistën “Monitor”, se shërbimi ka shënuar rritje të ndjeshme, sidomos pas shpërthimit të pandemisë. Znj. Feri mendon se ligji i ri “Për Shërbimet e Pagesave” do të shtojë më shumë konkurrencën e këtyre shërbimeve dhe ndoshta do të sjellë në tregun shqiptar kompani të rëndësishme ndërkombëtare të profilit fintech.

Sa u ndikua tregu i shërbimeve të pagesave nga kriza e vitit të kaluar? Në ç’masë besoni se pandemia i ndryshoi zakonet e njerëzve në raport me pagesat?

Mendoj se i ka bërë më të vetëdijshëm rreth mundësive të shërbimeve që i kishin në dispozicion, por nuk i përdornin. Nuk besoj se ka pasur të njëjtin ndikim si në vende të tjera më të zhvilluara në përdorimin e shërbimeve dixhitale, por sigurisht ka pasur lëvizje pozitive.

Cilat janë shërbimet kryesore të pagesave që ofron kompania MPay?

Ne aktualisht ofrojmë shërbime transfertash nga individi në individ, përmes llogarive bankare të klientëve, në ato banka që janë të integruara në platformën tonë të pagesave. Gjithashtu, ofrojmë edhe shërbime të rimbushjes elektronike Top Up, për numrat e telefonave me parapagesë, nëpërmjet kanaleve dixhitale të bankave. Shërbimi KUIK i transfertave në kohë reale ofrohet ose direkt, nëpërmjet aplikacionit tonë, ose nëpërmjet ndërfaqeve dixhitale të bankave.

Çfarë rezultatesh keni arritur deri tani në tregun e pagesave?

Për shumë vite, ne kemi ofruar shërbimin e mobile banking MPay, që e kemi mbyllur së fundmi, por ka pasur një rrugëtim relativisht të gjatë si shërbim dixhital, për rreth tetë vjet. MPay ka pasur rreth 300 mijë klientë të regjistruar në platformë dhe në kohët më të mira, kemi pasur edhe 300 mijë transaksione në muaj. Mendojmë se MPay ka pasur sukses të konsiderueshëm.

Për sa i shërben shërbimit KUIK, ai ka një tendencë rritëse të konsiderueshme. Pandemia krijoi nevojën për të përdorur më shumë kanalet e pagesave në distancë. Aktualisht, ne kemi rreth 35 mijë klientë të regjistruar në platformë. Ne i konsiderojmë si shifra të kënaqshme. Sigurisht, ne si ofrues shërbimi, do të donim të kishim në platformën tonë të gjitha bankat e tregut, për t’u shërbyer sa më mirë tregut dhe klientëve.

Çfarë perspektivash sjell për ju ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”. 

Mendoj se do të ketë aktorë të rinj në treg, që do të nxisin më shumë konkurrencën. Një nga ndikimet kryesore do të jetë “zgjimi” i bankave dhe rritja e fokusit të tyre në këto shërbime. Nga ana tjetër, ajo që mund të ndodhë është hapja e rrugës për aktorët e mëdhenj dhe solidë ndërkombëtarë, që të hyjnë në tregun shqiptar. Kjo do të jetë një sfidë e madhe për aktorët lokalë, që po përpiqen të krijojnë hapësira në treg prej vitesh. Sado që ne jemi treg i vogël, aktorët e huaj e shohin Ballkanin Perëndimor si një treg rajonal dhe do të tentojnë të zgjerohen në të gjitha vendet e rajonit.

Konkurrenca nga aktorët globalë mund të jetë sidomos e fortë në brezin e “mijëvjeçarëve”, që as nuk duan ta shohin derën e bankës, të cilët janë mësuar me një mënyrë dixhitale të punuari dhe të menduari. Për mënyrën sesi ka funksionuar sektori bankar deri më sot, këta janë klientë të humbur për bankat. Liberalizimi që sjell PSD2 është shumë pozitiv, sepse konkurrenca është ajo që e përmirëson ofertën.

Sa konkurrencë ekziston sot në ofrimin e shërbimeve të pagesave? Cilët faktorë janë më të rëndësishëm për të pasur avantazhe konkurruese?

Në thelb, do të ketë sukses ai që i shërben më mirë klientit. Duhet të arrish të adresosh një nevojë të tregut ose të krijosh një produkt inovativ, si pararendës i një zhvillimi të pritshëm. Një element tjetër kyç është përvoja e përdoruesit. Shpesh këtu nuk arrijmë t’i japim rëndësinë e duhur këtij këndvështrimi. Ata që përdorin shërbimet elektronike të pagesave duan të kursejnë kohë dhe të kenë një shërbim sa më të thjeshtë për t’u përdorur.

Pse dështoi MPay si shërbim klasik i Mobile Banking?

Nuk mund të them se dështoi, sepse për sa kohë operoi, operoi me sukses. Çështja është se ai shërbim e mbylli ciklin e vet. MPay mbështetej në një teknologji aksesi të vjetër, si USSD. Edhe aty ku futëm aplikacionin, nuk pati ndonjë ndikim të madh, madje kishte njerëz që vazhdonin e përdornin me teknologjinë e vjetër, sepse është e vështirë të thyesh zakonet.

Nga ana tjetër, vetë bankat kanë investuar në ndërfaqet mobile të platformave të tyre të internet banking dhe ofronin pak a shumë të njëjtin shërbim. Nuk kishte më kuptim që thjesht të dublonim shërbimin e bankave. Mendoj se MPay ishte një lloj suksesi për kohën dhe kontekstin kur u ofrua. Arritëm të punonim vetëm me dy banka, por për klientët e tyre shërbimi funksionoi dhe rezultoi i suksesshëm.

Ju keni zgjedhur një model të të ofruarit të shërbimeve tuaja për përdoruesit fundorë nëpërmjet bankave tregtare. Çfarë sfidash paraqet ky model biznesi?

Sfida më e madhe është të bindësh bankat që t’ua ofrojnë këtë lloj shërbimi klientëve. Për shumë vite, sektori bankar ka pasur një fokus shumë të lartë në segmentin e biznesit, ndërsa vitet e fundit ka një rritje të vëmendjes drejt segmentit retail. Mendojmë se ky është terreni i duhur për të promovuar dhe për të shtuar përdorimin e shërbimeve si KUIK.

Sidoqoftë, mendoj se sistemi bankar ende nuk ka arritur standarde të larta të dixhitalizimit të shërbimeve dhe arsyeja kryesore janë kostot e lidhura me investimet e nevojshme teknologjike, që arrijnë përmasa shumë të mëdha. Duhet parasysh se edhe përmasat e tregut janë të vogla dhe kjo e bën të vështirë kthimin e investimeve të mëdha. Terreni dhe madhësia e tregut nuk janë ideale për të kryer investime të këtyre përmasave, por sidoqoftë nuk është e pamundur.

Qëllimi ynë është të shtojmë numrin e bankave në platformën tonë, për të shfrytëzuar potencialin e plotë dhe për të ofruar transferta në kohë reale, pavarësisht nga banka në të cilin dërguesi dhe marrësi kanë llogarinë e tyre. Kemi miratimin e Bankës së Shqipërisë për ta ofruar këtë shërbim, që do të ishte një risi.

Mund të bëhet kjo pa pasur ende një infrastrukturë kombëtare që mundëson Instant Payments?

Do të ishte mirë që të ekzistonte një sistem i tillë, por sidoqoftë ne kemi gjetur një zgjidhje tonën që e mundëson. Transaksioni përfundon në infrastrukturat e shlyerjes së Bankës së Shqipërisë, por për shkëmbimin e transaksioneve kemi gjetur një zgjidhje tonën. Sigurisht, nëse do të kemi një Instant Payments Switch në Bankën e Shqipërisë, kjo do t’ua lehtësonte jetën të gjithëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button