Home / Ekonomia / Nisën sot zyrtarisht fluturime komerciale/ Ulet në aeroportin e Kukësit, avioni nga Zvicra me 67 pasagjerë,

Nisën sot zyrtarisht fluturime komerciale/ Ulet në aeroportin e Kukësit, avioni nga Zvicra me 67 pasagjerë,

Në aeroportin e dytë ndërkombëtar shqiptar, “ZAYED-Flatrat e Veriut” në Kukës, u ul sot nga Zyrihu avioni me udhëtarë i Helvetic Airlines, duke shënuar kështu nisjen zyrtarisht të fluturimeve nga ky aeroport.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në aeroportin e Kukësit, ishte i pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi si dhe të ftuar të tjerë të linjës.

Ministri Klosi e cilësoi nisjen e aktivitetit në aeroportin e dytë ndërkombëtar shqiptar “ZAYED-Flatrat e Veriut”, një hapje të “portës” së dytë qiellore për fluturimet komerciale.

“Kjo shënon hapjen e “portës” së dytë qiellore për fluturimet komerciale”, tha Klosi.

Avioni i nisur nga Zyrihu u ul në aeroportin e Kukësit rreth orës 12:45 të së premtes.

Në ceremoninë pritëse të 67 pasagjerëve të parë nga Zvicra të cilët kryesisht ishin me origjinë nga Kosova dhe për të festuar nisjen e punës së aeroportit të dytë civil shqiptar i pranishëm ishte dhe kryetari i komunës së Prizrenit Myther Haskuka, i cili e vlerësoi këtë investim si ndihmë për Kosovën.

“Nëse deri pak më parë në Prizren thuhej, dy orë nga deti shitet shtëpia, tani kemi edhe 25 minuta nga aeroporti “- tha Haskuka

Ndërsa përfaqësuesi i aeroportit u shpreh se “në aeroportin tonë “Flatrat e Veriut”, jemi krahë hapur të presim edhe kompani të tjera të reja, të cilat do të vijnë në aeroportin e Kukësit me shumë kënaqësi”.

Pasagjerët që udhëtuan nga aeroporti i Zyrihut në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, u shprehen të kënaqur për udhëtimin në kohë të shkurtër, teksa thanë se, “tani nga Kukësi e kemi shumë afër Prizrenin dhe mezi e kemi pritur këtë ditë”.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ‘Zayed-Flatrat e Veriut’ ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e tij të vëzhgimit, ndërsa në pjesën e pistës është projektuar të mbajë 3 aeroplanë njëkohësisht, ndërsa brenda një ore, 4 avionë mund të nisen nga ky aeroport.

Terminali zë një vend prej 3500 m2, ka 2 porta hyrëse dhe brenda tij një zonë muzeale përkujton luftën e Kosovës, e cila ishte gjithashtu pika fillestare e këtij aeroporti, si një dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në ndihmë për refugjatët e luftës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: