Banka e Shqipërisë mbështetje financimit të ekonomisë së gjelbë
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), zhvilloi sot një workshop teknik dhe ndërinstitucional në kuadër të hartimit të “Taksonomisë së Gjelbër” të Shqipërisë, që është një sistem klasifikimi që përcakton se cilat aktivitete ekonomike mund të konsiderohen “të qëndrueshme nga perspektiva mjedisore”.
Ky aktivitet organizohet në funksion të programit të asistencës teknike të BEI-së për gjelbërimin e sistemeve financiare dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kuadri të qëndrueshëm për orientimin e investimeve në ekonominë shqiptare.
Taksonomia e Gjelbër synon të rrisë transparencën në tregun financiar, të orientojë kapitalin drejt aktiviteteve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe të kontribuojë në forcimin e stabilitetit financiar në një perspektivë afatgjatë.
Workshop-i mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, sektorit financiar, komunitetit të biznesit dhe organizatave mjedisore, me qëllim prezantimin e draftit të parë të Taksonomisë së Gjelbër.
Aktiviteti u çel nga zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, e cila theksoi rëndësinë e hartimit të Taksonomisë së Gjelbër si një instrument kyç për orientimin e investimeve drejt aktiviteteve të qëndrueshme dhe për harmonizimin e standardeve të zhvillimit të ekonomisë shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.
Ajo nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional, me mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve, në hartimin e draftit të parë, si dhe rolin e këtij procesi në formësimin e arkitekturës së informacionit të klimës, forcimin e stabilitetit financiar dhe përputhjen me objektivat kombëtarë për klimën dhe mjedisin.
Zëvendësguvernatorja u shpreh se ky workshop synon të shërbejë si një platformë konsultimi për draftin e parë të Taksonomisë së Gjelbër, mbledhjen e komenteve teknike nga të gjitha palët e interesuara, në funksion të përmirësimit dhe zbatueshmërisë së saj në praktikë.
Ahmetaj theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të mbështetur financimet e gjelbra në ekonominë e vendit në frymën e Marrëveshjes së Parisit dhe në përputhje me objektivin e stabilitetit financiar. Finalizimi me sukses i këtij projekti përmbush një nga kërkesat e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Aktiviteti u zhvillua në dy sesione në formën e një tryeze të rrumbullakët. Sesioni i parë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe grupeve teknike ndërinstitucionale nga Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Grupi i Punës i Bankës së Shqipërisë dhe AMF‑ja, si pjesë e të njëjtit grup ndër‑institucional për Taksonominë e Gjelbër dhe sesioni i dytë me përfaqësues të sektorit bankar, profesionistëve, korporatave të mëdha, organizatave mjedisore dhe dhomave të tregtisë, me qëllim marrjen e komenteve konsultative për finalizimin e dokumentit.
Gjatë sesioneve të zhvilluara, u prezantuan konceptet kryesore të taksonomisë, kriteret teknike të klasifikimit të aktiviteteve ekonomike, si dhe nevojat për përshtatjen e tyre në kontekstin shqiptar dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Në përfundim të këtij procesi konsultimi, synohet finalizimi i dokumentit dhe formalizimi i bashkëpunimit ndërinstitucional përmes një Memorandumi Mirëkuptimi, si bazë për zbatimin e mëtejshëm të taksonomisë në Shqipëri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.