Home / Sporti / Kupa e Botës Katar 2022: Hollanda shkatërron Turqinë 6-1, Griezmann i jep tre pikë Francës

Kupa e Botës Katar 2022: Hollanda shkatërron Turqinë 6-1, Griezmann i jep tre pikë Francës

Holanda rigjen buzëqeshjen nën drejtimin e Louis Van Gaal, pasi ka regjistruar një tjetër fitore të pastër 6-1, këtë herë përballë Turqisë, një rival direkt për një vend në Kupën e Botës Katar 2022.
Në “Johan Cruijff Afrena” të Amsterdamit, holandezët e nisën vrullshëm sfidën dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin që në minutën e parë me anë të Klaassen, i cili kombinoi bukur me Depay brenda zonës dhe mposhti portierin turk.

Në minutën e 16’ ishte sërish dyshja Klaassen-Depay që dhuruan spektakël me kombinimet e tyre, ndërsa këtë herë aksionin e finalizoi me gol sulmuesi i Barcelonës, që dërgoi për herë të dytë topin në rrjetë dhe bëri gjithçka më të lehtë. Sërish Depay ekzekutoi saktë një penallti në minutën e 38’, duke çuar shifrat në 3-0, ndërsa për të komplikuar edhe më shumë mbrëmjen për turqit, mendoi mbrojtësi Soyuncu, që mori dy kartonë të verdhë në harkun e 8 minutave dhe la të tijtë me një lojtar më pak për të gjithë pjesën e dytë.

Në epërsi numerike dhe me avantazhin e tre golave, gjithçka u bë më e lehtë për “tulipanët” që ia dolën të shënojnë edhe dy herë të tjera, me Depay që kompletoi tripletën personale dhe më pas me sulmuesin 23-vjeçar të Feyenoord, Guus Til dhe atë të PSV-së, Malen, para se Under të shënonte golin e nderit për turqit në sekondat e fundit të ndeshjes.

Po në të njëjtin grup, Norvegjia triumfoi me rezultatin 5-1 ndaj Gjibraltarit, falë tripletës së Haaland dhe golave të Thorstvedt e Sorloth, me nordikët që ashtu si Holanda, kanë grumbulluar nga 13 pikë deri tani dhe do të garojnë për një “fluturim direkt” për në Katar, ndërsa në të njëjtin grup, Mali i Zi nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Letonisë.

Reagon në momentin e duhur edhe Franca, që pas dy barazimeve radhazi, ia doli të triumfojë me rezultatin 2-0 ndaj Finlandës dhe të thellojë edhe më shumë shkëputjen në krye të grupit D me 12 pikë, 7 më shumë se ndjekëset më të afërta. Antoinne Griezmann ishte heroi i “gjelave” në sfidën ndaj Finlandës, pasi shënoi nga një gol për çdo pjesë dhe u dhuroi tre pikët të tijve, ndërsa në ndeshjen tjetër të grupit, Bosnja & Hercegovina nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2 ndaj Kazakistanit

Danimarka vijon të dominojë në grupin F dhe mbrëmjen e sotme ka triumfuar me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Izraelit, duke regjistruar fitoren e 6 në po kaq ndeshje, teksa mbetet favorite për t’u bërë skuadra e parë që do të marrë biletën për në Katar 2022.

Në të njëjtin grup, Skocia triumfi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Austrisë, duke shuar shpresat e këtyre të fundit për një vend në Katar, ndërsa Ishujt Faroe fituan me shifrat 2-1 ndaj Moldavisë. Mjaft interesante edhe gara në grupin H, me Rusinë që mposhti 2-0 Maltën dhe Kroacinë që triumfoi me shifrat 3-0 ndaj Sllovenisë, ndërsa të dy skuadrat kryesojnë grupin me nga 13 pikë dhe do të duelojnë gjithashtu për kreun deri në fund.

Në grupin A, Serbia nuk arrin t’i kundërpërgjigjet Portugalisë, pasi nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 në Irlandë dhe tani e sheh veten një hap pas luzitanëve, me dy pikë më pak në renditje.

Leave a Reply

%d bloggers like this: