Home / Kronika / Muzeu “Shtëpia me Gjethe” përkujton shkrimtarin Amik Kasoruho, burgosur nga diktatura

Muzeu “Shtëpia me Gjethe” përkujton shkrimtarin Amik Kasoruho, burgosur nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, përkujtoi sot shkrimtarin, publicistin dhe përkthyesin Amik Kasoruho të burgosur nga diktatura komuniste në Shqipëri.

Amik Kasoruho lindi më 20 nëntor të vitit 1932 në Tiranë. Në moshën 17 vjeçare u arrestua nën akuzën e agjitacion propagandës kundër pushtetit popullor. Në vitin 1951 i pushkatojnë pa gjyq babain, Qemal Kasoruhon me akuzën e përfshirjes në incidentin e shpërthimit të bombës pranë Ambasadës Sovjetike. Pasi vuajti dënimin në burgun e Burrelit për 7 vite rresht, u internua bashkë me familjen në fshatin Gosë, të qytetit të Kavajës. Gjatë regjimit komunist punonte si punëtor krahu, apo ndërtimi, gjeometër etj. Pas përmbysjes së sistemit ai emigroi në Itali ku jetoi deri në vitin 2009. Gjatë kësaj kohe u mor me shkrime, përkthime etj.

Ka sjellë në shqip vepra të shkrimtarëve të huaj si Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby.

Ai është autor i veprave si “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore”; “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”, “Pa mëri – Publicistika e jetës sime”.

Në vitin 2012, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Amik Kasoruhos Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin : “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, që si përkthyes i jashtëzakonshëm, si shkrimtar i rrallë, publicist, poet e artist, e pasuroi atë, duke i dhënë vlera e cilësi të reja. Intelektualit atdhetar, që u bë ndër shembujt më domethënës të qëndresës së papërkulur ndaj persekutimit të diktaturës komuniste, duke treguar fitoren e dinjitetit njerëzor dhe integritetit moral, e duke u bërë pikë referimi në historinë e kulturës kombëtare”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: