Politika

KLD, Shtylla dhe Kosta miratohen unanimisht nga Komisioni i Ligjeve

Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot me votë unanime kandidaturat e Albana Shtyllës dhe të Vangjel Kostës për anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD). Dy kandidutarat e propozuara nga maxhoranca, që do të zëvendësojnë në Këshill Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn, të shkarkuar nga Kuvendi pak ditë më parë, u vlerësuan se plotësojnë kriteret ligjore dhe ato të meritës dhe karrierës profesionale.

Relatori i çështjes, deputeti Armando Subashi, shprehu bindjen se Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta do të jenë një vlerë e shtuar në KLD që do përçojnë frymën e Kuvendit, me qëllim shëndoshjen dhe përmirësimin e punës së sistemit të drejtësisë.
Para votimit të dy kandidaturave, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tha se Shtylla dhe Kosta marrin përsipër një risk që shkojnë e punojnë në KLD.

Ne komisionin parlamentar per ligjet Foto Albert Myftaraj (1)

“Ne i nisim në luftën kundër ISIS-s. Unë nuk e di se çfarë do te bëjnë ata, por kam përshtypjen se duhet të angazhohen fort. Ne nuk e ndreqim KLD-në duke çuar dy vetë atje, pasi KLD duhet përmbysur dhe duhen çuar njerëz të tjerë. Ndaj Kuvendi, Ministria e Drejtësisë dhe të gjitha strukturat duhet të angazhohemi ta thellojmë reformën në KLD’, u shpreh Braho.

Nga ana e tij, kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj e quajti ‘një zgjedhje të gjetur të deputetëve propozues’, kandidatët e paraqitur për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të cilët i vlerësoi si personalitete të fushës. Një vlerësim maksimal i bëri Xhafaj, kandidatit Vangjel Kosta, një emër i spikatur në fushën e drejtësisë, sidomos për ndershmërinë dhe profesionalizmin e tij.
“Ne po i japim KLD-së jo thjesht dy individë, por dy personalitete të fushës, mes tyre një grua, por dhe një njeri me vlera të spikatura, si Vangjel Kosta, i cili, për mbi 20 vite rresht ka shërbyer në shërbimin civil, jo thjesht me devotshmëri e profesionalizëm, por me kryesorja me ndershmëri të spikatur, një vlerë për të cilën ka aq shumë nevojë KLD-ja dhe vetë pushteti gjyqësor sot”, komentoi Xhafaj.
Dy vete, sipas tij, nuk e do ndryshojnë balancën e Këshillit, por fryma në të është shumë e rëndësishme. “Ne po çojmë njerëz që të përçojnë frymën e besimit tek drejtësia dhe të ngjallim besimin se korrupsioni mund të ndëshkohet nga vetë gjyqësori”, u shpreh kryetari i komisionit të Ligjeve.
Dy kandidaturat iu përcollën për votim seancës plenare të Kuvendit, ditën e enjte.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button