Home / Qeveritare / Bushati takon sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, e fton për vizitë në Tiranë

Bushati takon sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, e fton për vizitë në Tiranë

bushati1-320x168Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, gjatë qëndrimit në Bruksel zhvilloi një takim pune me Sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg të cilin e ka ftuar që të vizitojë Shqipërinë në përputhje me axhendën e tij të punës.

Ministri Bushati e uroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për detyrën e sapo marrë në krye të Aleancës Atlantike dhe shprehu besimin e plotë, të tij dhe të qeverisë shqiptare, se Stoltenberg do të kontribuojë në mënyrë të qenësishme në realizimin e vendimeve të rëndësishme të Samitit të Uellsit.

Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s trajtuan tematikën e rëndësishme të kërcënimeve dhe sfidave të reja ndaj sigurisë Euroatlantike, si nga lindja ashtu dhe nga jugu, duke vlerësuar lart kohezionin dhe unitetin e vendeve aleate të dëshmuar në Samitin e Uellsit. Në këtë kontekst, Ministri Bushati dhe z. Stoltenberg vlerësuan rëndësinë specifike të forcimit të mëtejshëm të lidhjes transatlantike si dhe të intensifikimit të bashkëpunimit të NATO-s me partnerët e saj.

Ata trajtuan gjithashtu edhe specifikën e vazhdimësisë së pranisë së NATO-s në Afganistan me përfundimin e këtij viti, nëpërmjet misionit të ri të udhëhequr nga NATO, Resolute Support, që do të ndihmojë në vazhdimësi autoritetet e Afganistanit për konsolidimin e mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në vend.

Një vend të veçantë në takim zuri trajtimi i aspekteve të ndryshme të ecurisë së rajonit tonë drejt integrimit Euroatlantik, ku u trajtua politika e dyerve të hapura të NATO-s dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal veçanërisht në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. Ministri Bushati, duke vlerësuar lart rolin dhe praninë e KFOR-it në Kosovë, përsëriti qëndrimin e Shqipërisë për domosdoshmërinë që NATO të ketë marrëdhënie institucionale me Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.