Te ndryshme

Prill – qershor 1939: Pushtimi i Shqipërisë dhe shërbimi i jashtëm shqiptar

70-vjetori i Çlirimit – Pas hyrjes së trupave fashiste italiane në Shqipëri, nga qershori i vitit 1939 dhe deri në tetor të 1943, Shqipëria nuk kishte ministri të Punëve të Jashtme, për rrjedhojë nuk ekzistonte as shërbim diplomatik shqiptar, duke shënuar një boshllëk aktiviteti në historinë e shërbimit të jashtëm shqiptar

shqiperiNga prof. assoc. dr. Pranvera Dibra Teli

Pas hyrjes së trupave fashiste italiane në Shqipëri dhe largimit të Mbretit Zog nga Shqipëria, në vend u krijua një vakum institucional. Për ta mbushur atë, më 8 prill u formua Komiteti i Përkohshëm Administrativ me atributet e qeverisë dhe i Ngarkuar me Punët e Jashtme u emërua Mihail Sherko, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme (më tej MPJ-P.T.).

Një pjesë e anëtarëve të shërbimit të jashtëm lanë menjëherë detyrën. Më 9 prill 1939, Komiteti i Përkohshëm Administrativ mori vendim që të gjithë punonjësit që nuk ishin paraqitur në detyrë duhet ta bënin këtë brenda 5 ditëve, ndryshe ata do të shkarkoheshin nga detyra. Të nesërmen, të gjitha përfaqësitë diplomatike e konsullore të Shqipërisë u porositën “të mos bënin asnjë veprim diplomatik, deri në një urdhër të dytë, të mbanin kurdoherë kontakt të ngushtë miqësor me përfaqësitë italiane, të qetësonin kolonitë dhe studentët shqiptarë me besimin e plotë se qeveria fashiste dëshironte me gjithë zemër t’i siguronte Shqipërisë lumturi, përparim e prosperitet”.

Për të manipuluar gjendjen e pushtimit të Shqipërisë para kancelarive perëndimore, Musolini u përpoq “të luante” me formula juridike për statusin e ri politik të Shqipërisë që ai të pranohej më lehtë. Kështu, në mbledhjen e dt. 12 prill 1939, Asambleja Konstitucionale vendosi me unanimitet:

1. Rrëzimin e dinastisë Zogu dhe të regjimit të tij

2. Ofrimin e kurorës mbretërore Viktor Emanuelit III, Mbret i Italisë e Perandor i Etiopisë, si mbret i shqiptarëve në një bashkim personal mes dy vendeve

3. Ruajtjen e flamurit, independencës dhe të sovranitetit shqiptar.

Në Asamble u vendos edhe formimi i qeverisë së re, ku postin e Ministrit të Punëve të Jashtme do e mbante Xhemil Dino. Përfaqësitë e Mbretërisë Shqiptare jashtë u informuan zyrtarisht për vendimet e Asamblesë Kushtetuese. Për zhvillimet e fundit në vend u njoftuan edhe legatat e huaja të akredituara pranë Mbretërisë Shqiptare. Ky vendim transmetonte mesazhin se në Shqipëri nuk kishte ndodhur një okupacion ushtarak, por vetëm një ndryshim në kreun e shtetit shqiptar.

Për t’iu përmbajtur këtij vendimi edhe pas pushtimit të Shqipërisë, vazhdoi të funksiononte shërbimi i jashtëm shqiptar, si shërbim i jashtëm i Mbretërisë Shqiptare në kushtet kur vendi tashmë ishte pjesë e kurorës mbretërore italiane.

Sesa kontradiktor do të ishte ky vendim, do të demonstrohej në mënyrën e funksionimit të shërbimit të jashtëm shqiptar. Një shtet i pavarur e sovran, siç thuhej në vendimin e Asamblesë Konstitucionale, i mbron në mënyrë të pavarur interesat e veta kombëtare dhe interesat e shtetasve të vet, nëpërmjet shërbimit të tij të jashtëm diplomatik e konsullor. Në këtë kohë, Mbretëria Shqiptare përfaqësohej nga 11 legata (Uashington, Londër, Berlin, Paris, Athinë, Beograd, Sofje, Romë, Ankara, Bukuresht, Kajro), 18 përfaqësi konsullore e disa konsuj nderi. Në logjikën politike të zhvillimeve të fundit në Shqipëri, ndërkohë që qeveritë shqiptare do të vazhdonin punën si qeveri kuislinge, veprimtaria e MPJ-së dhe e shërbimit të jashtëm shqiptar, nuk zgjati as tre muaj.

Pas vendimit të 12 prillit 1939, zyrat e Mbretërisë Shqiptare u stolisën me flamurët shqiptarë dhe ata italianë. Përfaqësitë diplomatike e konsullore shqiptare u udhëzuan që tashmë në festa zyrtare do të ngrinin së bashku flamurin shqiptar dhe atë italian. Të njëjtën gjë do të bënin edhe përfaqësitë italiane, duke ngritur së bashku dy flamujt, atë italian dhe atë shqiptar. Në festat e përbashkëta zyrtare, titullarët e përfaqësive do të merrnin pjesë te festimet e njëri-tjetrit.

Dy përfaqësitë do të koordinonin veprimet e tyre diplomatike në trajtimin e çështjes së kolonive italiane e atyre shqiptare jashtë. Nga reagimet që vinin prej përfaqësive diplomatike e konsullore shqiptare, vihej re se puna e tyre ishte vështirësuar shumë, sidomos me kolonitë dhe studentët shqiptarë, pasi menjëherë pas bërjes publik të lajmit, ato shiheshin si përfaqësuese jo legjitime të Mbretërisë Shqiptare.

E gjithë trupa diplomatike që shërbente jashtë, u rikonfirmua në detyrat që ato kishin tashmë si përfaqësues të Shqipërisë së “pavarur”, por pjesë e kurorës mbretërore italiane. Jo të gjithë anëtarët e shërbimit të jashtëm pranuan të rikonfirmoheshin dhe të shërbenin në kushtet e reja politike.

Me vendimin nr. 3, dt. 13.04.1939, Këshilli i Ministrave vendosi që Mbretëria Shqiptare të dilte nga Lidhja e Kombeve si anëtare e saj që nga viti 1920 dhe të mos bënte më pjesë në këtë organizatë. Vendimi iu nis menjëherë për veprim MPJ-së. Të nesërmen, një delegacion qeveritar u nis për në Romë për t’i dorëzuar Mbretit Perandor kurorën e Mbretërisë Shqiptare. Pas ofrimit të kurorës Mbretit të Italisë, ky i fundit tashmë do të thirrej si Mbret i Italisë dhe i Shqipërisë, e Perandor i Etiopisë.

Në Shqipëri do të caktohej një mëkëmbës i përgjithshëm me rezidencë në Tiranë. Tani e tutje, mëkëmbësi i përgjithshëm i Mbretit Perandor, do të dekretonte ose zhdekretonte përfaqësuesit e Shqipërisë jashtë.

Pas pushtimit të Shqipërisë, diplomacia e Mbretërisë Shqiptare e para 7 prillit 1939 vazhdoi vetëm në tri shtete, qeveritë e të cilëve nuk e njohën pushtimin e Shqipërisë dhe që trupi diplomatik nuk pranoi të shërbente për qeverinë e re të vendosur në Tiranë.

Republika franceze, siç edhe pritej, nuk mund të pranonte një ekspansion italian në Ballkan që prishte skemat e saj të ekuilibrit dhe sigurisë. Ajo vazhdoi të njihte si përfaqësuese të ligjshme të Shqipërisë, legatën mbretërore të përfaqësuar nga i Ngarkuari me Punë, Milto Noçka. Më 12 prill, legata shqiptare në Paris njoftonte MPJ se do të vazhdonte të kryente misionin e saj si më parë, si përfaqësuese e qeverisë mbretërore të Shqipërisë së lirë e të pavarur dhe refuzonte të njihte Komitetin e Përkohshëm Administrativ.

Republika turke vazhdonte të njihte si përfaqësues diplomatik shqiptar personelin e legatës shqiptare të Ankarasë me Asaf Xhaxhulin si Ministër Fuqiplotë. Pas vendosjes së Mbretit Zog në Stamboll në prill 1939, me kërkesën e mbretit në ekzil, qeveria turke miratoi zhvendosjen e legatës nga Ankaraja në Stamboll, në maj 1939.

Shteti i tretë që nuk njohu pushtimin italian dhe mbajti legatën shqiptare mbretërore si përfaqësuese legjitime të Shqipërisë ishte Mbretëria e Egjiptit. Më 3 maj 1939, diplomatët shqiptarë në Kajro, Abdyl Sula, titullar legate, dhe Gjergj Geço, sekretar II, i deklaruan zyrtarisht MPJ se refuzonin t’i shërbenin një regjimi dhe qeverie të imponuar nga të huajt dhe se misioni i tyre do të merrte fund vetëm në rastin kur qeveria egjiptiane do të njihte regjimin e ri shqiptar.

Diplomatët shqiptarë vazhduan punën edhe pas pushtimit si përfaqësues të migracionit zogist dhe familjes mbretërore. Mbreti Faruk i Egjiptit nuk e njohu pushtimin italian të Shqipërisë dhe njihte si qeveri shqiptare vetëm atë të Mbretit Zog, të krijuar në migracion në Stamboll, në verën e vitit 1939. Ndërkohë, MPJ italiane i pushoi të dy diplomatët shqiptarë nga mesi i muajit maj 1939.

Ndërkohë, Faik Konica, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Uashington, vendosi ta mbyllë aktivitetin e legatës shqiptare në Uashington fill pas protestës ndërkombëtare që bëri në ditët e pushtimit fashist dhe qëndroi privatisht në SHBA deri në vdekje në vitin 1942. Konica nuk e pranoi ofertën italiane për t’i dhënë titullin ambasador i shërbimit të jashtëm italian.

Në Londër, Ministri Fuqiplotë, Lec Kurti, pas marrjes së njoftimit për ndryshimet politike në vend, i dërgoi zyrtarisht MPJ refuzimin e tij për njohjen e regjimit të ri dhe qeverisë së formuar. Mes të tjerash ai shprehej: “Deklaroj refuzimin tim për njohjen e regjimit të ri dhe qeverisë së formuar, bazuar në nderin dhe dinjitetin e një përfaqësuesi të Shqipërisë, tuj marrë parasysh se qe një okupim i huaj”.

Ndër të parat legata shqiptare që ndien ndryshimin e statusit juridik të Mbretërisë Shqiptare, ishte përfaqësimi i Mbretërisë Shqiptare në Romë, i cili kaloi nga rangu Ministër Fuqiplotë në të Ngarkuar me Punë dhe më 19 maj, ajo pushoi së ekzistuari me vendim të qeverisë shqiptare, vendim i argumentuar me bashkimin personal të të dy mbretërive. Të njëjtin fat pati edhe legata italiane në Tiranë.

Më 15 prill 1939, Ministrisë së Punëve të Jashtme iu hoq e drejta e zëdhënësit për shtyp. Dr. Nicola LoRusso Attoma, i Ngarkuar i Shtypit pranë legatës italiane, iu dhanë funksionet e këshilltarit për shtypin në MPJ. Një pjesë e konsujve të nderit filluan të japin dorëheqjen si konsuj nderi të Shqipërisë në Francë, Greqi etj.

Ndërkohë që Mbretëria Shqiptare, pjesë e kurorës mbretërore italiane, vazhdonte të përfaqësohej nga legatat e saj në kryeqytetet kryesore, pesha e përfaqësimit të titullarëve të tyre (ministra fuqiplotë) u zbeh përballë pozicionit që zinin ambasadorët italianë në këto kryeqytete.

Në vendet që njohën pushtimin dhe ato të Paktit Antikomintern, përfaqësuesit shqiptarë thirreshin nga zyrat e protokollit pranë MPJ-ve në organizime të ndryshme ceremoniale, vetëm pasi kishin dhënë pëlqim ambasadorët italianë, të cilët argumentonin se “Struktura e shtetit shqiptar është ruajtur, prandaj mund ta ftoni edhe ministrin e Shqipërisë”. Ndërkohë, ambasadorët italianë nënshkruanin marrëveshjet ekonomike në emër të unionit doganor italo-shqiptar.

Shërbimi më i ndjeshëm i shtetit të pavarur për shtetasit e vet që jetojnë jashtë dhe vizitorët e huaj, është shërbimi konsullor. Konsullatat shqiptare, sidomos ato të vendosura në Greqi, pas 12 prillit 1939 filluan të njoftonin MPJ-në se autoritetet e vendit ku ishin akredituar, nuk i njihnin më vizat e lëshuara nga konsullatat shqiptare, në qoftë se ato nuk sigloheshin nga konsullata italiane, pasi të kishte ardhur autorizimi përkatës nga Roma.

Për çdo udhëtar, grup njerëzish, apo leje-kalimi për automjete për në Shqipëri, duhej pyetur Roma zyrtare, gjë që vononte procedurat. Konsullatat kërkonin ndihmën e MPJ-së që të ndërhynte për normalizimin e situatës. Përgjigjja e mbërritur nga MPJ me 28.04.1939 ishte “Deri në dërgim instruksionesh të tjera, këshilloni nënshtetasit shqiptarë të marrin viza për Itali e s’andejmi të kthehen në Atdhe”.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme italiane kishte njoftuar konsullatat e veta se shtetasit shqiptarë e të huaj (pa përjashtuar italianët) që duan të udhëtojnë për në Shqipëri, duhej që më parë të kishin një leje të veçantë nga ministria në fjalë që do të kërkohej nëpërmjet kryekonsullatës italiane në vendin përkatës. Në këtë mënyrë, problemi i ndeshur në Greqi po përhapej në një gjeografi më të gjerë. Autorizimi zyrtar nga Roma kërkonte, sipas konsullatave italiane, 20-30 ditë për të mbërritur.

Shqiptarët, pasi merrnin vizën shqiptare, u drejtoheshin konsullatave italiane për vizë të dytë dhe u duhej të prisnin për një kohë të gjatë. Konsullatat shqiptare shpresonin që një urdhër i tillë do të kishte karakter të përkohshëm, sepse përndryshe në opinionin e tyre, kjo situatë do ta dëmtonte rëndë turizmin në Shqipëri, sidomos atë veror, sikurse kthehej në një problem shumë serioz për udhëtarët që donin të lëviznin për çështje private ose tregtie për në Shqipëri.

MPJ udhëzonte lidhur me situatën e re të krijuar: “Pa cenuar veprimet normale të përfaqësisë mund t’u këshillohet nënshtetasve tanë që duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme, ata t’u drejtohen edhe përfaqësive italiane për një vizë të dytë. Mbahuni në kontakte të ngushta me kolegët tuaj italianë”. E njëjta procedurë do të ndiqej edhe për shtetasit e huaj që do të udhëtonin për në Shqipëri.

Duke vështirësuar e penguar hyrjen e shqiptarëve në atdheun e tyre, ishte një masë paraprake edhe për të frenuar rezistencën antifashiste në Shqipëri. Konsullatat shqiptare kërkonin të lehtësoheshin procedurat së paku për elementet për të cilat nuk kishte pengesa politike. Merrnin me lehtësi vizë në konsullatën italiane elementët që kishin qenë jashtë para ngjarjeve të prillit 1939 e donin të ktheheshin në atdhe, e jo ata që kishin ikur pas ngjarjeve, pasi konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit.

Konsullata shqiptare në Selanik ishte marrë vesh me konsullatën italiane atje që shtetasit shqiptarë banues në Selanik dhe ata që kishin ardhur në Selanik para ngjarjeve për punë private, tregtarë etj., pasi të kishin marrë vizën shqiptare të merrnin vizën e konsullatës italiane pa ndonjë pengesë dhe të mund të ktheheshin në atdhe. Ndryshe, për shtetasit shqiptarë që kishin ikur nga Shqipëria gjatë ngjarjeve, do të kërkohej një autorizim nga Roma.

MPJ ua rekomandonte konsullatave te tjera shqiptare zhvillimin e negociatave të tilla me autoritetet italiane për të gjetur zgjidhje lehtësuese sipas rasteve. Ky kufizim aplikohej edhe në legatën shqiptare në Romë, para 19 majit 1939, e cila nuk lejohej të lëshonte viza për shqiptarët që ndodheshin në Itali e kërkonin të ktheheshin në Shqipëri. Ata duhej të merrnin më parë një vizë të posaçme në Kuesturën Mbretërore Italiane.

Kjo e fundit merrte autorizimin e MPJ-së italiane. Ministria në fjalë para se të akordonte autorizimin e saj për Kuesturën pyeste mëkëmbësin e përgjithshëm e kjo shkaktonte shumë vonesa e ofendim për shtetasit shqiptarë që kërkonin të ktheheshin në atdhe. Përfaqësuesi shqiptarë në Romë kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen e MPJ-së shqiptare pranë mëkëmbësisë që të nxitej MPJ italiane për dhënie autorizimi.

Konsullatat italiane filluan të pengonin teknikisht konsullatat shqiptare për të kryer detyrat e tyre konsullore në shërbim të shtetasve shqiptarë nga lëshimi i pasaportave e deri në akordim vizë hyrjeje. Më 31 maj 1939, legata mbretërore në Beograd njoftonte MPJ se legata italiane në Beograd që në prill 1939 kishte marrë udhëzime të prera nga Roma që për të gjithë shqiptarët që dëshironin të ktheheshin në atdhe, qofshin refugjatë politikë të vjetër, refugjatë politikë të rinj, të dalë me ngjarjet e fundit, studentë, tregtarë, udhëtarë, edhe nëpunës të legatës që nuk kishin pasaporta diplomatike, duhej një autorizim i posaçëm nga Roma dhe pasi të vinte autorizimi, këta duhej të bënin udhëtimin e tyre për në Shqipëri nëpërmjet Italisë dhe jo nga anët e tjera të kufirit.

Përmbushja e këtyre formaliteteve kërkonte një kohë të gjatë dhe jo vetëm që u shkaktonte një dëm të madh personave që kishin nevojë të udhëtonin në Shqipëri, por mbartte edhe kosto të madhe financiare.

Kërkesës së vazhdueshme të përfaqësive shqiptare në Ministrinë e Punëve të Jashtme për ndërhyrje pranë autoriteteve italiane për zgjidhjen e kësaj situate, qeveria shqiptare, në pamundësi të një zgjidhjeje tjetër dhe nën presionin e qeverisë fashiste italiane, e zgjidhi me vendimin nr. 229, me 31.5.1939, i cili ngarkoi ministrin e Punëve të Jashtme, Xhemil Dino, të nënshkruante një projektmarrëveshje bashkë me anekset e saj me qeverinë italiane për pajtimin e gjendjes së përfaqësive shqiptare me situatën e re të bashkimit të kurorave.

Arsyet do të shpjegoheshin në një letër drejtuar mëkëmbësit të përgjithshëm mbretëror, ku mes të tjerash thuhej: “Nga bashkimi i ngushtë që u realizua midis Italisë dhe Shqipnisë dhe që gjen simbolin e tij ma të naltë në Personin August të Monarkut të përbashkët, rrjedh nevoja e kordinimit të plotë të veprimit të të dy vendeve edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, nga ana tjetër dualiteti i përfaqësive diplomatike dhe konsullore, siç rezulton edhe prej absencës absolute të precedentëve, nuk pajtohet me nji të tille gjendje”.

Në letër propozohej “… miratimi i idesë për nënshkrimin e një akordi mes dy qeverive mbretërore i cili të siguronte plotësisht unitetin e përfaqësimit ndërkombëtar të dy vendeve në mënyrën më të mirë që t’i përshtatej egzigjencave të përbashkëta”. Në art.II të Akordit thuhej “…Krijohet një Komision i Përhershëm që do të konsultohet çdo herë që ta lypë një shqyrtim i veçantë i interesave shqiptare dhe sidomos rreth lidhjes së traktateve që i përkasin ngushtësisht Shqipërisë. Komisioni do të përbëhej nga 4 anëtarë të emëruar dy nga qeveria italiane dhe dy nga qeveria shqiptare”.

Akordi shoqërohej me lidhjet përkatëse mbi rregullimin e gjendjes juridike e ekonomike të personelit të ish-MPJ shqiptare e inkuadruar në MPJ italiane. Këto lidhje do të rregullonin juridikisht mundësinë e akomodimit të diplomatëve shqiptarë në Romë apo si të dërguar të MPJ-së italiane në Tiranë të atashuar në shërbim të Mëkëmbësisë së Përgjithshme, ose në vendet ku kishte koloni të mëdha shqiptare, por që për arsye të luftës, ky i fundit do të ishte një opsion i kufizuar. Lidhjet aneks të Akordit merreshin edhe me rrogat e diplomatëve shqiptarë, me çështjet e pensionit etj.

Akordi u nënshkrua në Romë më 3 qershor 1939 dhe u dekretua më 5 qershor. Po këtë ditë u njoftuan përfaqësitë konsullore e diplomatike të Shqipërisë mbi marrëveshjen e arritur ndërmjet dy qeverive, në bazë të të cilit shërbimet diplomatike e konsullore të të dy vendeve unifikoheshin dhe administrimi i të gjitha marrëdhënieve ndërkombëtare të Italisë dhe Shqipërisë ishte përqendruar në Ministrinë Mbretërore të Punëve të Jashtme në Romë.

Personeli i tanishëm diplomatik e konsullor shqiptar do të gjente sistemim brenda mundësive në pozicionet dhe rangjet e Ministrisë Mbretërore të Punëve të Jashtme në Romë. Meqenëse akordi kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit, trupi diplomatik e konsullor shqiptar duhej të paraqitej urgjentisht te përfaqësuesit diplomatikë e konsullorë italianë në shtetet përkatëse dhe të zbatonin rreptësisht udhëzimet që do të jepnin ata, sipas porosive të dhëna nga Roma, qoftë për sa u përket funksioneve të tyre, qoftë edhe për arkivat dhe materialet e tjera në zyrat e tyre.

Për këtë situatë të re, përfaqësitë shqiptare udhëzoheshin të njoftonin ministritë e Punëve të Jashtme të shteteve ku ishin të vendosura. Brenda ditës, me marrjen e njoftimit, përfaqësitë shqiptare ndërprenë aktivitetin, hoqën emblemat dhe flamujt nga godinat e tyre dhe filluan dorëzimin e legatave shqiptare te përfaqësuesit italianë në këto shtete.

Për përfaqësitë, kjo marrëveshje ishte e papritur ndaj edhe krijonte probleme teknike në zbatimin e saj. Ata kërkonin të gjendeshin mënyrat më të përshtatshme për dinjitetin e vendit dhe të anëtarëve të shërbimit të jashtëm, kryesisht në përballimin e shpenzimeve financiare dhe administrimin e arkivave dokumentare produkt i punës i përfaqësive shqiptare. Megjithatë, hapësirat për veprim të pavarur të qeverisë shqiptare tashmë ishin shumë të kufizuara.

Pas hyrjes në fuqi të akordit, disa nga punonjësit u mbajtën në shërbim, me kusht që të kryenin betimin e besnikërisë ndaj sovranit, Mbretit të Italisë dhe Shqipërisë, Perandor i Etiopisë dhe të lëshonin deklaratë mbi mosmarrjen pjesë në parti politike apo shoqata kundër regjimit.

Pranë MPJ italiane u krijua nënsekretariati i Shtetit për punët e Shqipërisë, i njohur me emrin “Zyra Shqiptare”. Paralelisht me Romën, edhe në Tiranë, Kryesia e Këshillit të Ministrave i propozoi Këshillit të Ministrave më 20 qershor 1939, marrjen e një vendimi për krijimin në Tiranë të një “Zyre të Likuidimit” të çështjeve administrative që i përkisnin MPJ të suprimuar dhe që kishin mbetur pa zgjidhje deri më 5 qershor nga shërbimi diplomatik shqiptar.

U caktuan nëpunësit që do të bënin pjesë në këtë zyrë. Çdo gjë ishte në konfirmitet me nenin 2 të dekretit të 5 qershorit që i jepte fuqi të plotë akordit mbi unifikimin e shërbimeve diplomatike e konsullore midis Shqipërisë e Italisë. Gjithashtu, Këshillit të Ministrave iu propozua marrja e një vendimi mbi formimin e komisionit të posaçëm që do të merrej me shqyrtimin e kërkesave për punësim të nëpunësve të ish-Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Komisioni do përbëhej nga Kryeministri si kryetar i tij, dy nëpunës të lartë të ish-MPJ, dhe një sekretar që do të ishte një punonjës i ish-MPJ-së. U përgatit i gatshëm edhe teksti që do të përmbante kërkesa e nëpunësve të MPJ-së që kërkonin të inkuadroheshin në pozicionet e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane. Punonjësit e ish-MPJ-së, do t’i dorëzonin kërkesat e tyre brenda dt. 25 qershor, ndërsa për trupin diplomatik e konsullor që shërbente jashtë, u propozua një datë tjetër e mëvonshme.

Diplomatët që shprehën dëshirën për të vazhduar punësimin edhe pas 5 qershorit në diplomaci, filluan të paguheshin menjëherë nga MPJ italiane. Shumë diplomatë të tjerë që nuk deshën të punonin për diplomacinë italiane, gradualisht u pushuan nga shërbimi diplomatik italian.

Nga qershori i vitit 1939 dhe deri në tetor të 1943, Shqipëria nuk kishte Ministri të Punëve të Jashtme, për rrjedhojë nuk ekzistonte as shërbim diplomatik shqiptar, duke shënuar një boshllëk aktiviteti në historinë e shërbimit të jashtëm shqiptar. Ajo që duhej të ndodhte në prill 1939, ndodhi në qershor 1939 duke demonstruar se “eksperimenti juridik” i përdorur nga Musolini në vendimet e 12 prillit 1939, nuk mund të funksiononte në ekzistencën e shërbimit të jashtëm të një shteti de facto të pushtuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button