Sporti

Partizani fiton derbin dhe arratiset

FUTBOLL-PARTIZANI-TIRANA_1-320x234Partizani ka fituar derbin e 140-të të kryeqytetit kundër Tiranës dhe është arratisur përsëri i vetëm në kreun e renditjes së Kategorisë Superiore. Fitorja 2-0 ndaj rivalëve historikë bardheblu ka qenë shumë domethënëse për të kuqtë, duke pasur parasysh se në stadiumin “Qemal Stafa” kanë qenë rreth 12 mijë tifozë të pranishëm.

Në fakt, derbi i tribunave ka qenë ai më i bukuri, me një prani të jashtëzakonshme të mbështetësve të të dy ekipeve, që nuk pushuan thirrjet e tyre entuziaste. Spektakli piroteknik para fillimit të sfidës, parullat ironike apo edhe një dron që valëviste një parullë kundër FSHF-së, kanë qenë pjesë e surprizave të përgatitura nga tifozët. Në fund, pavarësisht rezultatit, ka fituar sportiviteti i ultrasve, të cilët kanë përshëndetur të dy skuadrat për atë që dhanë në fushën e lojës.

Nëse derbi i tifozerisë në tribuna mund të cilësohet i mbyllur në barazim, ai në fushën e lojës ka pasur si protagonist absolut Partizanin, i cili e ka zgjidhur shumë shpejt ndeshjen në favorin e vet. Të kuqtë praktikisht e kanë nisur ndeshjen në avantazh 1-0, pasi që në sekondën e 40-të, Nderim Nexhipi arriti të dërgonte topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Frashëri. Goditja e dënimit e mesfushorit kaloi gjithë pasqyrën e zonës dhe e paprekur nga asnjë lojtar, u ndal vetëm në rrjetë, duke ndezur entuziazmin e tifozëve të të kuqve dhe duke shtangur ata bardheblu që nuk e kishin imagjinuar një fillim kaq tronditës të sfidës. Shpërqendrimi në radhët e Tiranës është i dukshëm dhe goli i dytë i Partizanit, vetëm 11 minuta më vonë, është rrjedhojë e çorganizimit në radhët e skuadrës bardheblu. Në një kundërzbritje të shpejtë, Fejzullahu depërton në zonën kundërshtare, ku ndalohet nga Ndikumana. Gjyqtari Meta, i ndihmuar nga asistentët, akordon penallti, të cilën e transformon saktësisht Mazrekaj, duke dyfishuar shifrat.

Tirana provon më kot të shtyjë përpara, pasi ka çdo shteg të mbyllur dhe vuan sidomos në mesfushë, aty ku Nexhipi arrin të ndërpresë vazhdimisht aksionet e bardhebluve me një lehtësi mbresëlënëse. Edhe sulmi i skuadrës së Maganit është inekzistent, pasi Bushiç dhe Ndikumana kontrollohen me lehtësi nga prapavija e të kuqve, me Cuculin e Rrahmanin që bëjnë disa ndërhyrje të sakta, duke mos i lejuar të gjuajnë asnjëherë në portë nga pozicione të favorshme. Kjo bën që alternativa e vetme e Tiranës për të gjetur rrjetën të mbetet gjuajtja nga distanca. Por goditjet e Bakajt, Takut apo Ndikumana, janë lehtësisht të kontrollueshme nga Hoxha, i cili shfaqet gjithmonë në pozicion.

Magani provon të ndryshojë diçka në lojën e ekipit të tij me aktivizimin e Morinës në vend të Bushiç, por Tirana vazhdon të shfaqë përsëri të njëjtat probleme në krijimin e rasteve, përballë një Partizani të rreshtuar mirë në prapavijë dhe që nuk u lë hapësira organizimi bardhebluve. Edhe kalimi në rreshtimin 3-4-1-2 nga trajneri i Tiranës nuk funksionon siç duhet, ndërsa në të vetmin rast të mirëfilltë që i shfaqet Tiranës, në minutën e 64-t, Morina gjuan jashtë kuadratit me një goditje fluturimthi. Minutat e mbetura janë vetëm një kontroll i gjatë i topit nga Tirana, që zhvendos plotësisht lojën në gjysmëfushën kundërshtare, por që rrezikon vazhdimisht të pësojë edhe golin e tretë falë kundërzbritjeve të Raçiç, Vilës apo Dajës, të cilët shfrytëzojnë çdo hapësirë që u jepet për të krijuar panik në prapavijën e Tiranës. Kjo e fundit, dorëzohet shumë shpejt, aq sa në 10 minutat e fundit të sfidës duket se thjesht pret mbylljen e saj, e ndërgjegjshme se ndaj kompaktësisë së Partizanit e kishte të pamundur të bënte diçka në një sfidë të tillë.

Ndaj vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit Kridens Meta i dha fund një derbi që shkoi me meritë në favor të Partizanit. Të kuqtë sigurojnë tre pikë që i shkëpusin në renditje nga ndjekësit më të afërt. Por sigurisht që një fitore e tillë bindëse ndaj rivalëve historikë në derbin e 140-të mes dy skuadrave, vlen shumë më tepër se tre pikët. Ajo do të jetë një shtysë e madhe psikologjike për një ekip i cili synon të bëjë përsëri të vetin titullin kampion, që i mungon që nga viti i largët 1993. Megjithatë, në një kampionat ku diferencat mes ekipeve pretendente nuk janë aq të mëdha, të kuqtë do të duhet të mbrojnë këtë pozicion javë pas jave, duke filluar nga ajo e ardhshmja ku do të udhëtojnë drejt Vlorës.

Partizani  2

Tirana     0

1′ Nexhipi, 12′ (p) Mazrekaj

Partizani: Hoxha, Fejzullahu, Rrahmani, Cuculi, Trashi, Batha, Daja, Mazrekaj (69′ Fasliu), Nexhipi (84′ Osmanaj), Vila, Raçiç (80′ Shabani). Tr: Shpëtim Duro

Tirana: Frashëri, Kërçiku, Muça, Kalari (72′ Hyshmeri), Curri, Taku (60′ Pashaj), Bulku, Karabeci, Ndikumana, Bakaj, Bushiç (49′ Morina). Tr: Gugash Magani

KV: Raçiç / Bakaj, Kërçiku

Gjyqtarë: K. Meta, E. Barushi, R. Çokaj, E. Sino. A. Beqiri

Kategoria Superiore

Renditja

Skuadra    Nd.  P.

Partizani  15   33

Skënderbeu 15   30

Tirana     15   29

Kukësi     15   29

Laçi 15   21

Flamurtari 15   19

Vllaznia   15   17

Teuta 15   13

Apolonia   15   9

Elbasani   15   6

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button