Kronika

Ligj i ri për Policinë Ushtarake, riformulohet misioni i saj

Krijimi i një shërbimi policor profesional në ushtri, i bazuar në meritë dhe integritet moral, është qëllimi i projektligjit “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura”, i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i paraqitur së fundi për shqyrtim në Kuvend. Projekti synon të mbrojë dhe garantojë ushtrimin e veprimtarisë së përditshme në radhët e ushtarakëve brenda dhe jashtë vendit, si dhe forcimin e luftës ndaj kriminalitetit.
stema_PU-160x200Drafti riformulon misionin e Policisë Ushtarake, që është ruajtja e rendit ushtarak, garantimi i zbatimit të ligjit nga veprimtaritë e kundërligjshme në ushtri, mbrojtja e jetës së personelit, mbrojtja e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Forcave të Armatosura, angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse e humanitare.
Pr/ligji, i organizuar në 44 nene, përcakton strukturën e Policisë Ushtarake sipas nënstrukturave të saj që janë Policia Gjyqësore, Policia Kriminale, Inspektorati i Qarkullimit Rrugor, Inspektorati për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe struktura e Rendit Ushtarak.
Si organ i specializuar në zbulimin, parandalimin e veprimtarisë kriminale apo kapjen e personave që kanë kryer ose përgatiten të kryejnë vepra penale në ushtri, organizohet dhe funksionon struktura e Policisë Kriminale Ushtarake. Me qëllim sigurimin dhe kontrollin e trafikut ushtarak, organizohet dhe funksionon Inspektorati i Qarkullimit Rrugor, ndërsa Inspektorati për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin (MNZSH) funksionon për të kontrolluar masat e marra nga drejtuesit e institucioneve ushtarake për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe të pronës ushtarake nga rreziku i zjarrit apo fatkeqësi të tjera.
Pr/ligji trajton përgjegjësitë dhe detyrat që ka Policia Ushtarake, ndërsa në kapitullin e V-të të tij trajtohen kriteret e pranimit, emërimit dhe karrierës së punonjësve ushtarakë dhe civilë. Kostot e përafërta financiare shtesë që mbart ky projektligj në total llogariten në 6.628.324 lekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button