Opinion

Kush e solli Babadimrin ?

FADIL LEPAJA

fadil_lepajaFillova të shkruaj për Badimrin, me idenë tradicionale për babadimrin plak e të mirë, që na sjell dhurata, duke u lëshuar për oxhaku. Por, ku lë Edi të shkruash për Babadimrin! Ai vjen në Prishtinë pas Krishtlindjeve dhe e do tërë vëmendjen. Ani çka, do të thoni, se ndër ne as fëmijët më nuk besojnë në Babadimrin, pastaj edhe babadimrat kanë telashe infrastrukturore, me ndërtimet e reja kolektive që nuk kanë fare oxhaqe.

Kështu, ai erdhi pak ditë pas bisedës me gazetarë, të varur e pavarur në Tiranë, e cila shkaktoi shumë reagime edhe në Kosovë, sidomos për përbërjen e “delegacionit kosovar”. Para një salle të mbushur plot me kolorit e ambicie lokale, duke u luhatur dhe sipas zakonit, duke u varur në anën e majtë, që tregon edhe orientimin e tij ideologjik, ai e mbajti një fjalë të bukur rasti dhe llafosi me ta për “shumçka 2.5”.

“Mos e mbaj në dorë, përdore atë” i tha ai një bashkëbiseduesi nga salla, i cili pasi e kërkoi mikrofonin për të bërë një pyetje, mori frymë thellë, derisa po e riformulonte në kokë pyetjen/komentin e tij. E kishte nga trema. Kryeministri e kapi hutimin e tij dhe e trimëroi.

“Salla e kuqe” u mbush me të qeshura të ngrohta, gati hot, dhe nga kjo mundeni me e pa se sa të erotizuar jemi ne. Një mikrofon nuk e perceptojmë si mundësi për me thënë diçka, por …Frojdi e martë vesh! Pra, doli të jetë se të bisedosh për bashkimin dhe për çështjen kombëtare është eksituese. Bashkëbisedimi po rridhte krejt spontan dhe mysafiri dukej se po kënaqej.

Por, disa gazetarë, xhelozë, veç sa nuk e akuzuan pastaj kryeministrin se po vetëkënaqej. Fjalën e tij programatike për pak sa nuk e quajtën orgazmatike. Për ndonjë arsye u ndanë të pakënaqur nga kjo vizitë. Veç pak ditë më herët, nga komentet rreth bashkëbisedimit me gazetarë në Tiranë, u pa se një pjesë e mirë e gazetarëve kosovarë plasën prej xhelozie. E kishin me Batonin. Ky Batoni, për ata që nuk e dinë, është gazetar. Edhe shumëçka tjetër. Edi e quan edhe “ekspert”. Në fakt, kur komprometohet pavarësia e një gazetari, ai mund të (sh)quhet edhe si ekspert. Kështu, ai pa asnjë emocion e ndërroi shefin. E kuptoi se nga ish-kryeministri kosovar s’ka më “bukë”. “Perënditë” kishin ndërruar anë.

I padjallëzuar si është, Edi u gjend në vorbullën e një lufte për pushtet në kuadër të shoqërisë civile dhe gazetarëve të pavarur. Shoqëria civile te ne nuk jeton dot nga “civilët” por nga donacionet, ndërsa gazetarët nuk jetojnë nga shitja e gazetave. Ata, jetojnë nga afria me qeverinë ose me anën e kundërt, pra pretendentët për qeveri. Raporti i tyre me Edin sa nuk mori formën e urrejtjes, sepse Edi nuk po shfaq pretendime kurrfarë, në Kosovë. Ai në ekipin e tij mori vetëm dy gazetarë nga Kosova. Më tepër si ekspertë për Serbinë.

Nejse, dukej sheshit se organizata joqeveritare “Fol”, si organizator, qysh para fillimit të “debatit” e kishte një ide se kush do të pyesë, e ndoshta edhe çka. Organizatat joqeveritare, te ne, po bëjnë një punë të madhe në demokratizimin e shoqërisë tonë. Shoqëria civile te ne bëhet aktuale kur e ka vëmendjen e pushtetit. Ato gjithnjë u japin rast qeveritarëve të promovohen edhe me një petk tjetër. Në foltoren e “Fol” për shembull parakalojnë kryesisht ambasadorë, qeveritarë, dhe asnjë i cili nuk ka të bëjë në ndonjë formë me qeverinë. Ata janë aty, kurdo që pushteti, vendor apo ndërkombëtar, do me u thënë civilëve diçka, e të mos tingëllojë si qeveri. Pra hajde bëjmë llaf, pa obligime! Sikur dikur organizimet “gju më gju me popullin”.

Por, asnjëherë nuk ka spontanitet të plotë. Vetë organizimi e përjashton spontanitetin. Kjo nuk do të duhej të shihej detyrimisht si anë e dobët e kësaj ndeje. Kryesorja, Edi, si zakonisht ishte spontan. Me atë spontanitetin e tij të paramenduar. “Ne” po flisnim për të ndryshuar rrethanat, e ai po fliste se si me i shfrytëzue rrethanat. Publiku ishte i dëshpëruar, ndërkohë që Edi ishte i bindur se shqiptarët janë fituesit më të mëdhenj në krejt këtë tollovi të quajtur Ballkani i pasluftës. Ne flisnim se si me ia hedhë Serbisë, Edi fliste për sinqeritet në marrëdhëniet me Serbinë.

E di, se ai nuk e pëlqen folklorin, profecitë dhe filxhanët e kafes. Këtë e (keq)kuptova nga fjala e tij e rastit. Këtu nuk mund të bëjmë asgjë! Edi ka shumë vetëbesim. E ka kuptuar se përparësia e tij në raport me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën apo me rilindësit tjerë, të cilët donin me e ba Shqipninë më vete, është se e ka në dispozicion teknologjinë. Ata nuk e kishin. Edi ka, përpos celularit edhe internet 3G, smart Tv, Wifi, gjithçka! E kur vjen në Kosovë ka edhe 4G. Ai ka edhe webfaqen e vet në internet, e ka edhe në Facebook. Pra i ka së paku dy faqe. Pra, ku Edi e ku Ismail Qemali!

Me dhembje të madhe njerëzore Edi, në bashkëbisedimin e tij na iluminon, duke na shpjeguar se rilindësit kanë menduar ashtu si kanë menduar, pra si patriotë dhe si rilindës, sepse nuk kishin celular as internet. Paramendojeni sikur të kishin internet, ata të cilët nuk e kuptonin se me urrejtje ndaj turqve dhe serbëve nuk arrihej asgjë! Eh, sa prapa jemi edhe ne!

Pastaj, kishim me thënë, punë e madhe se u vonua Isë Boletini në shpalljen e pavarësisë në Vlorë! Sa çel e mshel sytë, Isai do të lidhej në një videokonferencë përmes Skype. Me Ajfon! Vetë rezoluta do të postohej në Facebook dhe do të pasonin njohjet.  Isa do ia bënte një big likeprej Qytetit të Nishit. Pastaj do të vinte Ahtisari. Ura e Ibrit do të spostohej mbi Nishavë.

Po të kishte celularë, edhe Isai do të shpëtonte nga prita që iu bë disa vite më vonë në Mal të Zi. Policia jonë efikase, e ka si sport të i zërë terroristët serbë duke u ngjitur “Olimpit”, do ta kishte paralajmëruar me kohë për pritën. E pamë në lajme se si e zunë njeriun me 12 kg eksploziv në veturë, ndërkohë që ai po ndalej nga patrulla e policisë, thua se kishte patate në veturë. E kishin përcjellë tërë kohën. Po pra!

Definitivisht, Edi nuk e mori Babadimrin me vete. Ai po i sjell vetë dhuratat. Nuk na solli peshk, por na mbajti mësim se si duhet zënë peshku. Na solli edhe një shpëlarje truri gratis! Lëreni rilindjen kombëtare… dhe shkarkojeni softuerin e ri!

Mos e mbaj në dorë, vëlla! Përdore! Kështu tha, Edi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button