Home / Te ndryshme / Historia e vërtetë e snajperit amerikan më vrastar

Historia e vërtetë e snajperit amerikan më vrastar

Chris Kyle është burri që fshihet pas historisë së vërtetë të burrit që jetoi dhe vdiq nga ligji i armës dhe që është subjekt i një filmi të nominuar për “Oskar”

chriskyle3.JPGTeksa gruaja doli së bashku me të birin nga shtëpia e shkatërruar prej bombës, Chris Kyle drejtoi snajperin dhe shkrepi këmbëzën. Sapo e qëlloi atë, kuptoi se kreu vrasjen e tij të parë si trupë speciale e së ashtuquajturës Navy SEAL.

Ai nuk ndjeu faj për vrasjen në Irakun jugor, pavarësisht se ishte dëshmitar i tmerrit që i panë sytë djalit të saj të vogël.

Kyle tha: “Gruaja ishte tashmë e vdekur. Po sigurohesha që ajo të mos merrte asnjë marins me vete”.

Kyle u bë snajperi më vdekjeprurës i SHBA-së me 160 vrasje të konfirmuara në dhjetë vjet.

Ai i tha “Sunday People”: “Nuk ka ndonjë vdekje për të cilën jam penduar. Asnjë. Publiku është shumë i butë. Ose do të vrisja ata persona, ose ata do të vrisnin të tjerë amerikanë”.

Kyle, i cili vdiq në një poligon qitjeje në Teksas në vitin 2013, tha se ai kishte kaluar periudhën më të bukur të jetës duke vrarë armiqtë që i përshkroi si të ligë.

Marinsi i dekoruar disa herë, shkroi një autobiografi, “Snajperi amerikan”, që u bë dhe film nën regjinë e Clint Eastwood, ku protagonist është Bradley Cooper.

Historia e jashtëzakonshme e luftës, vdekjes, miqësisë dhe familjes ka marrë gjashtë kandidime për “Oskar”, si për Eastwood, ashtu edhe për Cooper.

Por filmi nuk mori miratimin e të gjithëve. Disa kritikë e kanë etiketuar filmin si një lavdi të luftës dhe sfiduan kënaqësinë që Kyle, i luajtur nga Cooper, duket se ka marrë gjatë punës së tij.

Marinsi nga Teksasi, reputacioni i të cilit i ka dhënë atij pseudonimin “Legjenda” ndër amerikanët, por “Djalli” ndër kryengritësit, nuk e pa këtë si problem. Ai po vriste shënjestra, terroristë me shpirtra të trazuar.

Babai i dy fëmijëve tha: “Nuk i shoh ata si njerëz. Kur jam atje përpiqem të bëj punën time, përpiqem t’i ruaj djemtë e mi dhe i shoh ata njerëz si terroristë që janë”.

“Kur sheh veprimet që ata bëjnë, i quan njerëz të egër. Ata janë njerëz të këqij dhe duhet t’i heqësh qafe, nuk ke pse mendohesh dy herë. Për çdo njeri që kam vrarë, e kam ndërgjegjen të qetë, sepse ata po komplotonin për të dëmtuar amerikanët, aleatët ose civilët”.

Ai nuk e pranoi se ishte nervoz për vrasjen e parë.

“Mendon nëse mund ta vrasësh atë njeri, edhe femër qoftë. Është mirë ta vrasësh? Pasi e vret armiku tënd, kupton se është në rregull. Thua ‘shkëlqyeshëm’.”

Kyle u plagos dy herë dhe u përfshi në gjashtë sulme me eksplozivë në katër misionet e tij në Irak dhe përfundoi me një çmim prej 80 mijë dollarësh për kokën e tij.

Ai tha: “Pendohem për njerëzit që nuk i vrava përpara se të lëndonin ushtarët tanë. Nëse do të mund të llogarisja numrin e njerëzve që kam shpëtuar, atëherë do të mund të mburresha”.

Në vitin 2008, në një qytet në periferi të Bagdadit, Kyle e ngriti reputacionin e vet në qiell kur bëri gjuajtjen më të largët me sukses. Ai vrau një kryengritës që mbante një hedhëse rakete pranë një karvani të ushtrisë amerikane nga 2 km larg.

Por misionet i sollën një çmim të rëndë në jetën familjare dhe ai u lirua nga shërbimi ushtarak me nder në vitin 2009, pasi gruaja e tij i dha një ultimatum: ose marinën ose familjen.

Ishte vetë dashuria më e madhe e Kyle, qitja, që i mori jetën në moshën 38-vjeçare.

Snajperisti dhe një shok i tij u vranë në një poligon qitjeje në Teksas. I dyshuari, Eddie Ray Routh, një ish-marins 27-vjeçar, kishte qenë në spital psikiatrik dy herë brenda disa muajve përpara dhe vuante nga stresi post-traumatik.

Ai tani po përballet me dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor. Por avokatët e Routh argumentojnë se atij nuk mund t’i bëhet një gjyq i drejtë prej filmit.

Vrasjet famëkeqe të snajperistit amerikan do të jenë përherë pjesë e tij dhe Kyle vetë e pati pranuar se po të mos ishte për familjen, jeta e tij do të ishte vetëm luftë dhe ai do të kthehej gjithnjë me kënaqësi në front.

*Burimi: “Mirror”

Leave a Reply

Your email address will not be published.