Home / Intervista / Koordinatorja e PD, Reila Bozdo: Politika është agresive, po jap kontributin tim

Koordinatorja e PD, Reila Bozdo: Politika është agresive, po jap kontributin tim

Nga: Enida Himaj*

Reila_Bozdo1dhjetorMendoj se ka ndodhur në mënyrë të natyrshme’, e nis rrëfimin e saj Reila, teksa e pyesim për hyrjen në politikë. Koordinatorja e Partisë Demokratike rrëfen se politikën e shikon si skenën e duhur për të dhënë kontributin personal. Për të nuk është i rëndësishëm roli që merr, por aftësia për ta bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk flet me gjuhën e urrejtjes as për kolegët e mazhorancës, duke u shprehur se gëzojnë vlerësimin e saj, të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm në punën që bëjnë. Të qenit grua nuk e ka penalizuar në jetë, madje edhe pranë Partisë Demokratike pjesëmarrjen e femrave e shikon si një fuqi të madhe. Puna si dhe politika i marrin pjesën më të madhe të ditës, megjithatë ajo shprehet se nuk e sakrifikon kurrë kohën që i kushton familjes.

Reila, një imazh i ri në politikën shqiptare; si u bëtë pjesë e arenës politike në vendin tonë?

Mendoj se ka ndodhur në mënyrë të natyrshme dhe nuk është rastësi. Jam rritur në një familje me gjysh i cili kishte vuajtur dënimin me burg për agjitacion dhe propagandë e kishte mbaruar Fakultetin e Ekonomisë për ekonomi industriale. Kam qenë që e vogël pranë tij në bisedat analitike mbi ekonominë dhe politikën botërore dhe njëkohësisht kur ai dëgjonte me vëmendje dhe me zë të ulët lajmet e “Zërit të Amerikës” në radio. Po njësoj kam qenë pranë babait dhe bisedave të tij kur ai u angazhua me Partinë Demokratike në vitet ’90. E kam ndjekur politikën nga larg, duke e zhvilluar që herët sensin e analizës mbi të. Tani m’u dha mundësia për të qenë më aktive.

Si e keni gjetur ju politikën shqiptare, a ju zhgënjeu kur e njohët nga afër?

Siç edhe jua shpjegova më përpara, e kam ndjekur në kohë reale politikën në vend dhe pritshmëritë e mia ishin afër realitetit, kështu që nuk kam zhgënjime.

Thuhet që për femrat është e vështirë të bëjnë politikë, si ka qenë për ju?

Sapo kam hyrë. Të shohim si do të jetë…

A ju kanë mirëpritur femrat e tjera në PD, si i keni marrëdhëniet me to, keni bërë mikesha edhe jashtë pune?

Me ato që jam takuar, kam pasur komunikim pozitiv. Disa prej tyre i njoh edhe prej marrëdhënieve jashtë partisë.

Mendoni se femrat janë arma më e fortë e Partisë Demokratike aktualisht?

Besoj se femrat janë një fuqi e madhe e shoqërisë në përgjithësi. Kryetari i Partisë Demokratike, z. Basha, e ka konsideruar këtë element edhe në përzgjedhjen e koordinatorëve dhe stafit të tij.

Si janë marrëdhëniet tuaja me kryetarin Basha?

Jam një nga koordinatoret e z. Basha. Ai është i hapur për idetë e reja dhe mjaft mbështetës në iniciativat që kemi; është tepër pozitiv. Të gjitha këto krijojnë një mjedis shumë të mirë për ata që vërtet dëshirojnë të bëjnë diçka të mirë për vendin.

Ju mungon jeta që kishit para se të merreshit me politikë?

Kanë ndryshuar disa elementë të ditës, por vazhdoj të bëj të njëjtat gjëra si më parë plus aktivitet politike. Nuk kam eliminuar diçka, që të më mungojë.

Çfarë keni marrë ju nga politika dhe çfarë i keni dhënë asaj?

Politika do të më japë mundësinë dhe kënaqësinë për të bërë diçka për vendin tim. Politikës po i jap eksperiencën dhe njohuritë të cilat i kam fituar larg saj dhe po ashtu po i jap kohën e çmuar të së tashmes.

A bëni kompromise për hir të bindjes suaj politike?

Deri tani nuk ka ndodhur.

Shpesh thuhet se politikanët janë të pasur; a jeni pasuruar ju nga pjesëmarrja në politikë, a njihni politikanë të pasur?

Nuk kam pasur angazhim politik në të shkuarën. Jetoj mirë si pasojë e punës sime dhe mundësive që më ka dhënë tregu i lirë për të aplikuar profesionin tim.

Keni miq nga mazhoranca aktuale, cilin vlerësoni më së shumti nga ‘kundërshtarët’?

Kam të njohur si pasojë e punës apo shkollës edhe në radhët e partive “përballë”. Gëzojnë vlerësimin tim të gjithë ata që nuk harrojnë se janë aty sepse u kanë premtuar njerëzve një jetë më të mirë dhe e mbajnë këtë si udhërrëfyes të vendimeve që marrin apo qëndrimeve që mbajnë çdo ditë të jetës së tyre politike. Më pëlqejnë shumë ata që janë të ndërgjegjshëm se sot janë në pushtet, por nesër mund të mos jenë.

Si nis një ditë e juaja, cili është ai ritual që ruani me fanatizëm?

Varet nga dita. Ka ditë në të cilat kam mësim në fakultet që në orën e parë dhe këto janë ditët e preferuara. Takimi me studentët më entuziazmon. Dita fillon me një kafe pa sheqer të cilën e pi në shtëpi ose rrugës në makinë.

A ju merr kohë nga familja puna juaj, si e rikuperoni kohën e humbur?

Më merr kohë dhe kështu ka qenë gjithmonë. Prej shumë vitesh punoj shumë orë në ditë dhe kjo është bërë një stil jete. Politika ka marrë kohën e punëve të tjera që kam bërë, ndërsa koha për familjen është siç ka qenë më parë.

Dëshironi që dhe fëmijët të ndjekin rrugën tuaj, pse jo të merren me politikë?

Do të doja që vajza ime të bëhej më e mirë se unë. Nëse ajo do jetë një qenie me fibër politik, me siguri do ta nxis në këtë fushë.

Si e shpenzoni kohën e lirë, cilat janë hobitë, a keni hequr dorë nga diçka për faktin se tashmë jeni një personazh publik?

Ende nuk kam hequr dorë nga diçka që e bëja më parë. Bëj po të njëjtat gjëra. Kam shtuar dozën e ndjekjes së lajmeve në politikën ndërkombëtare. Lexoj. Më pëlqen të gatuaj. Më pëlqen shumë të jem pjesë e bisedave. Madje pjesa e preferuar është të dëgjoj të tjerët kur flasin. Shkoj në palestër shumicën e ditëve të javës. Do kisha dashur shumë që të kisha mësuar të luaja një instrument muzikor dhe më emocionojnë veçanërisht ata të cilët dinë të luajnë.

E keni menduar veten, nga foltorja e PD-së në atë të Parlamentit?

Kur angazhohesh në politikë, besoj se të kalojnë në mendje të gjitha llojet e mendimeve. Për mua ky mund të jetë një variant, por jo domosdoshmërisht. Nëse situata do e sjellë një rol të tillë, do ta përmbushja me seriozitet. Është e rëndësishme që në cilindo rol të jem, të bëj më të mirën që mundem. Më shumë se te karriera politike, në fokusin tim është të jap kontribut konkret për të përmirësuar vendin ku jetojmë, i cili nuk e meriton të jetë në këtë “derexhe që është katandisur”.

Çfarë duhet të ketë më shumë një femër sesa një mashkull që të jetë pjesë e politikës?

Te ne politika është bërë agresive më shumë se kurrë. Duke folur me njerëzit, e kupton që ata janë të lodhur nga agresiviteti politik, i cili në shumicën e rasteve bashkohet me ligësinë. Shqiptarët kanë nevojë për mirëqenie ekonomike, për rregull dhe siguri, dhe për qetësi. Gjuha e komunikimit politik mund të jetë polemiste pa qenë e ligë dhe arrogante. Jemi një vend i vogël, me burime natyrore për t’u pasur zili. Nëse betejat politike do menaxhoheshim me argument, do ishim më të fokusuar në zhvillimin ekonomik duke u bërë Parajsa e Ballkanit. Besoj se femrat në politikë janë pjesë e rëndësishme e përmirësimit të gjuhës në komunikimit politik.

A ju ka ndihmuar pamja e jashtme në jetën tuaj, pasi thonë që bukuria ndihmon?

Nuk di të them se sa ndihmon bukuria. Për këtë duhen pyetur vajzat e bukura. Mendoj se jam një vajzë normale për nga pamja e jashtme.

Tashmë që jeni një imazh publik, a ju bezdis fama, ka pasur raste që iu është cenuar privatësia?

Nuk e ndjej si problem këtë pjesë, madje më duket e këndshme.

Si i keni marrëdhëniet me kuzhinën, a jeni një amvisë e mire?

Në kuzhinë ka pjata të cilat i gatuaj shumë mirë. Ata që i provojnë thonë që janë fantastike. Nuk gatuaj shpesh. Përgjithësisht, drekën e konsumoj te mamaja. Vetë gatuaj në ndonjë ditë pushimi. Në shtëpinë time të gjitha punët i bëj vetë. Në shtëpinë e mamasë të gjitha punët i bën mamaja. Kështu që, nuk di të them nëse jam amvisë e mirë apo jo. Çështja është se kur bëj diçka si amvisë, e bëj shumë mirë, por nuk kam kohë ta bëj amvisën shpesh… Mendoj që ka amvisa shumë më të mira se unë sepse kanë më shumë kohë në dispozicion për këtë. Nëse jeta do më kishte renditur ndër shtëpiaket, besoj do kisha qenë një shtëpiake e shkëlqyer…

Leave a Reply

%d bloggers like this: