Home / Kronika / Kronika e zeze / Arrestohen 5 të dyshuar për falsifikim parash dhe narkotikë

Arrestohen 5 të dyshuar për falsifikim parash dhe narkotikë

Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK) gjatë një operacion të zhvilluar në Gjakovë dhe Prizren, ka arrestuar pesë të dyshuar për falsifikim parash dhe posedim të paautorizuar të lëndëve narkotike. Njësitet policore gjatë këtij aksioni kanë konfiskuar edhe sasi të konsiderueshme të parave dhe narkotikëve. 

Zyra për informim e policisë bëri të ditur se fillimisht më 17 dhjetor në Gjakovë është hetuar një rast i falsifikimit të parave dhe pas kësaj ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, Kastriot. S (1979), i cili ishte duke lëvizur në këmbë në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë. 

“Gjatë kontrollit që policia ka bërë te i dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar një sasi monedhash në vlerë prej 1950 Euro (10 X 100 Euro dhe 19 X 50 euro) që dyshohet se janë të falsifikuara”. 

Ndërkaq, procedura hetimore lidhur me këtë rast është vazhduar nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (sektori në Pejë dhe Prizren) ku policia ka arrestuar edhe dy të dyshuar kosovar shqiptar për falsifikim parash dhe të arrestuarit Blerim. B (1974) dhe Shukri. K (1968). 

Si pjesë e operacionit policor, policia ka kontrolluar edhe shtëpitë e të dyshuarve ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar 2250 euro, me dyshimin e bazuar se janë para të falsifikuara (1150 euro në një shtëpi dhe 1100 euro në shtëpinë e të dyshuarit tjetër). 

Për rastin e njëjtë, procesi hetimor ka vazhduar edhe në Prizren, ku policia ka arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë , Martin. B dhe Bedridin. B, për falsifikim parash dhe posedim të paautorizuar të substancave narkotike. 

Në vazhdimësi të hetimit të këtij rasti nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK), të përkrahur edhe nga njësiti i hetimeve të stacionit policor të Gjakovës, janë kontrolluar një shtëpi dhe një lokal zejtar në Prizren, ku janë gjetur dhe konfiskuar 1230 euro, prej të cilave 1050 euro dyshohet se janë të falsifikuara. 

“Gjatë bastisjes gjithashtu janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy qese me sasi të substancës narkotike. Sasia e përgjithshme e të hollave të konfiskuara që dyshohet të jenë të falsifikuara në këtë rast është 5430 euro”, njofton policia. 

Bëhet e ditur se të dyshuarit janë dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake me vendimin e të cilit katër të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë, kurse një i dyshuar është në arrest shtëpiak. 

Vetëm këtë vit Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK) në raste të ndryshme ka konfiskuar rreth 200.000 euro me dyshimin e bazuar se janë para të falsifikuara.

Leave a Reply

%d bloggers like this: