Home / Qeveritare / Kryeministri Berisha përshëndet takimin me nxënësit më të mirë të vitit 2010

Kryeministri Berisha përshëndet takimin me nxënësit më të mirë të vitit 2010

Këtë vit, ne ia dolëm që 91 përqind e të gjithë nxënësve që mbaruan klasën e 9-të të hyjnë në shkollën e mesme.

 

Këtë vit, ne renditemi ndër kombet e vendet me shkallë përdorimi të internetit në shkolla nga më të lartët në Europë.

 

Në pesë vite, qartësisht kemi mbidyfishuar, si asnjë vend tjetër, rrogat e arsimtarëve dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë fuqishëm këtë mbështetje.

 

Kryeministri Berisha ishte sot në mbrëmje i pranishëm në takimin e organizuar nga Ministria e Arsimit me nxënësit më të mirët për vitin 2010, të cilët u vlerësuan me certifikatën e mirënjohjes. Gjatë këtij takimi, u ndanë edhe çmimet për shkollat më të mira të vendit, për vitin 2010.

 

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndodhej i pranishëm në këtë moment të rëndësishëm në jetën e këtyre nxënësve, por edhe një eveniment i rëndësishëm për arsimin shqiptar në përgjithësi.

 

 

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

 

“Së pari, shfrytëzoj këtë rast për të përshëndetur shumë përzemërsisht në këtë prag festash të fundvitit mbarë nxënëset e nxënësit e këtij vendi, prindërit dhe familjet e tyre, mësueset e mësuesit e tyre në mbarë Shqipërinë dhe t’ju uroj një vit të ri të gëzuar, të mbarë, por edhe të shprehim së bashku kënaqësinë, sepse me një përpjekje serioze, ne lamë mbrapa një vit, në të cilin kemi arritur dy maja, dy rezultate historike për arsimin në Shqipëri. Këtë vit, ne ia dolëm që 91 përqind e të gjithë nxënësve që mbaruan klasën e 9-të të hyjnë në shkollën e mesme dhe kjo përbën një nga arritjet më madhore në historinë e këtij vendi. Kjo është një rrugë e lartësimit më të sigurt të kombit në shkallaren e dijes. Por këtë vit, ne renditemi ndër kombet e vendet me shkallë përdorimi të internetit në shkolla nga më të lartët në Europë, më të lartë se edhe vende shumë të zhvilluara.

 

Këtë vit, krahasuar me 5 vite më parë, ne kemi një sistem arsimor parauniversitar e universitar në konsolidim të vërtetë. Është kënaqësi e madhe t’ju përshëndes ju, nxënëset e nxënësit më të mirë të vendit, ju që jeni këtu dhe ata që nuk ndodhet sonte me ne, t’ju shpreh nderimin tim më të thellë për përkushtimin tuaj. Gara e dijes është gara më fisnike e njeriut, në të vërtetë është gara e të gjitha garave dhe ju në këtë garë keni dalë të parët. Ju duhet të jeni shumë krenarë, sigurisht, duhet t’u jeni shumë mirënjohës familjeve tuaja, mbështetja e të cilëve ka qenë përcaktuese në rezultatet që ju keni arritur, t’u jeni mirënjohës mësueseve dhe mësuesve tuaj, të cilët me kënaqësi, durim e përkushtim kanë punuar me ju dhe kanë bërë që ju, sot, të shquheni si më të shkëlqyerit në klasat e shkollat, ku mësoni.

 

Dua të përshëndes prindërit dhe mësuesit tuaj, të cilët kanë njohur tek ju përkushtimin dhe talentin dhe kanë bërë që sot të qëndroni në krye të suksesit të nxënëseve dhe nxënësve të arsimit parauniversitar.

 

Një përshëndetje të veçantë kam për mësuesit dhe një thirrje, të bëjmë çdo përpjekje për të konsoliduar cilësitë në sistemin tonë arsimor. Cilësia është tërësisht në duart tuaja. Pesë vjet më parë, sot, por edhe gjithnjë arsimi do të mund të ecë, të konsolidohet vetëm duke vendosur në epiqendër mësuesin, si promotor i cilësisë së tij. Sot, gara në këtë fushë është një garë sërish ndër më të vështirat. Në rast se ju ndiqni dhe lexoni ecurinë  e saj, në të vërtetë ndodh që kombet që kanë qëndruar në krye për vite të tëra zbresin nga shkallët e kësaj gare dhe të tjerë rriten. Ndaj edhe ne duhet të përcaktojmë si qëllim më kryesor cilësinë. Ne ju garantojmë se nuk do të lëmë përpjekje pa bërë, mbështetje pa ju dhënë, që në mënyrë konstante të ndryshoni, të përmirësoni cilësinë e mësimdhënies dhe të përgatisni gjithnjë e më mirë nxënësit dhe nxënëset tuaja, për shkollat e larta dhe jetën në tërësi.

 

Në pesë vite, nuk ka asnjë sektor tjetër në këtë vend që të ketë ndjerë mbështetje ne e madhe buxhetore, sa e kanë ndjerë mësuesit. Në pesë vite, ne kemi qartësisht mbidyfishuar, si asnjë vend tjetër, e theksoj si asnjë vend tjetër, rrogat e arsimtarëve dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë fuqishëm këtë mbështetje, me besim të plotë se ju e meritoni këtë mbështetje tërësisht, se këtë mbështetje, ju do ta shndërroni në një cilësi në rritje në procesin e edukimit e të mësimdhënies, në mbarë vendin.

 

Edhe një herë ju uroj gëzuar festat dhe uroj që në vitin e ardhshëm ju e sëbashku me ju, të gjithë shqiptarët të arrijmë rezultate edhe më të larta, më të mëdha në fushën e cilësisë, të edukimit e dijes. Gëzuar!”

Leave a Reply

Your email address will not be published.