Home / Arte / Libri / Ana Maria Matute fiton çmimin Cervantes

Ana Maria Matute fiton çmimin Cervantes

Shkrimtarja 85 vjeçare ka thënë se ka qenë ‘e lumtur jashtë mase’ pasi ka fituar çmimin spanjoll në vlerë prej 125 mijë eurosh. 

Matute konsiderohet si një prej shkrimtarëve më të mirë spanjoll të periudhës së pasluftës civile dhe vepra e saj kryesisht përqendrohet në këtë konflikt. 

Shkrimtarja është e treta femër që e fiton këtë çmim që prej themelimit të çmimit Cervantes në vitin 1975. 

Spanjollja Maria Zambrano e ka fituar çmimin në vitin 1988 dhe Dulce Maria Loynaz nga Kuba e ka fituar atë në vitin 1992. 

“E pranoj si një njohje, nëse jo të cilësisë së veprës sime, atëherë së paku të përpjekjes dhe dedikimit që ia kam kushtuar të shkruarit gjatë jetës sime,” ka thënë Matute, në një konferencë për shtyp në Madrid. 

Në mesin e romaneve më të njohura të saj, që janë përkthyer në 23 gjuhë, përfshihen Los Abel (The Abels), Los Soldados Lloran de Noche (Soldiers Cry By Night) dhe La Trampa (The Trap), të cilët portretizojnë epokën dhe atmosferën e Luftës Civile Spanjolle. 

E njohur për stilin e saj lirik, romanet e Matute-s kanë të bëjnë me jetët e fëmijëve dhe adoleshentëve. Ajo gjithashtu është e njohur për librat e saj për fëmijë dhe romanet për të rinj, përfshirë Los Ninos Tontos (The Stupid Children) dhe El Verdadero Final de La Bella Durmiente (The True Story of Sleeping Beauty). 

“Ajo e ka merituar këtë çmim shumë kohë më parë, por më mirë është vonë se kurrë,” ka thënë shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa, fitues i këtij viti i çmimit Nobel për letërsi, për radion publike të Spanjës. 

“Jam i bindur që shumë lexues nëpër botë do të gëzohen me këtë lajm, ashtu siç jam gëzuar unë,” ka shtuar Llosa, i cili e ka fituar çmimin Cervantes në vitin 1994.

Leave a Reply

%d bloggers like this: