Home / Kronika / Mitrovica ndihmon Shkodren

Mitrovica ndihmon Shkodren

Pas vendimit të kryetarit të Mitrovicës, Avni Kastrati, për t’u organizuar me qëllim të mbledhjes së ndihmave për Shkodrën, të mërkurën janë bërë hapat e parë konkret në këtë drejtim. 

Komisioni i formuar prej tre anëtarëve të komunës dhe dy nga komuniteti i biznesit, kanë nisur punën që gjithçka të jetë e koordinuar dhe e bashkërenduar për mbledhjen e ndihmave. 

Në këtë kontekst, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, që kryeson komisionin e formuar për mbledhjen e ndihmave, i shoqëruar nga dy anëtarët tjerë të komunitetit të biznesit, Agim Deva e Bilall Hasani, kanë caktuar lokacionin për mbledhjen e ndihmave. 

Drejtori Bala ka bërë të ditur se si depo për mbledhjen e ndihmave do të shfrytëzohet bodrumi i Qendrës së kulturës “Rexhep Mitrovica”. 

Po ashtu ai sqaroi se prej të enjtes të gjithë ata që duan të ndihmojnë mund të bëjnë këtë prej orës 09:00 deri në orën 17:00. 

“Për pranimin e ndihmave janë caktuar dy persona, të cilët për çdo mall që pranojnë do të lëshojnë edhe dëshmitë përkatëse”, ka thënë Bala. 

Ai apelon tek të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë në ushqime për bagëti, artikuj ushqimor dhe veshmbathje që të mos hezitojnë dhe të ofrojnë ndihmën e tyre për banorët e zonave të rrezikuara nga përmbytjet në Shkodër. 

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i cili është i autorizuar të koordinojë ndihmat, ka theksuar se të gjithë personat dhe bizneset që kanë mundësi mund të ndihmojnë edhe për organizimin e transportimit të mallit. 

Komuna e Mitrovicës kishte ndihmuar qytetarët e Shkodrës edhe vitin e kaluar, pas përmbytjeve që kishin ndodhur atje. Ndërsa sivjet, të gjithë ata që duan të ndihmojnë Shkodrën mund të kontaktojnë në numrat e telefonit 028 532 397 dhe 044 147 071.

Leave a Reply

%d bloggers like this: