Home / Kronika / Shoqata "Mjaft " : Kuvendi me shume shkelje

Shoqata "Mjaft " : Kuvendi me shume shkelje

Monitorimi i Kuvendit për periudhën shtator 2009 – korrik 2010, është i pari për Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit.

Lëvizja “Mjaft” ka vërejtur se gjatë dy sesioneve të kësaj legjislature, grupet parlamentare kanë pasur një qasje të ulët të veprimtarisë parlamentare me premtimet elektorale: Partia Demokratike, ndonëse në pushtet, ka arritur t’i përmbahet premtimeve dhe angazhimeve të saja elektorale vetëm në masën e 9.8%. 

Konkretisht, raporti vë re se në vitin 2010, me propozim të Ministrisë së Financave dhe aprovim të deputetëve demokratë, u miratua shkurtimi i fondeve për sektorët e bujqësisë, të arsimit dhe të shëndetësisë, çka ka bërë të pamundur realizimin e premtimeve elektorale në këto sektorë. 

Kurse LSI ka arritur të realizojë vetëm 7.7% të premtimeve të veta elektorale, nëpërmjet aktivitetit që ka ushtruar në Kuvend. 

Më pak se të tërë është grupi parlamentar socialist, i cili jo vetëm është në opozitë, por edhe për shkak të bojkotit parlamentar, nuk ka mundur të realizojë veçse 1.4% të premtimeve të veta elektorale. 

Lëvizja “Mjaft” denoncon shkeljet e Rregullores së Kuvendit, të vërejtura edhe në raportin analitik të Komisionit Europian. 

Nga monitorimi i “Mjaft”-it rezulton që 16 nisma ligjore të miratuara në dhunim të nenit 57 të rregullores, duhet të ishin shpallur të pavlefshme. 

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar rastet e shkeljes së nenit 62 të Rregullores, sa i takon respektimit të etikës parlamentare. 

Raporti vëren shkelje të rregullores edhe nga kryetarja e Kuvendit, që në mëse një rast është pozicionuar politikisht duke u prerë fjalën deputetëve të opozitës para përfundimit të minutazhit të përcaktuar. 

Në punën e komisioneve raport shënon të paktën 20 raste kur mbledhjet e komisioneve janë zhvilluar në mungesë të kuorumit të nevojshëm prej më shumë se gjysmës së anëtarëve. 

Raporti publikon edhe listat e deputetëve më të pranishëm dhe të atyre që nuk kanë qenë fare të pranishëm në asnjë prej 143 seancat plenare të monitoruara. 

Po ashtu, raporti publikon edhe të dhënat e pasurisë së deputetëve, ku deputeti më i pasur me një distancë të madhe nga i dyti, rezulton të jetë deputeti Tom Doshi, me rreth 3 miliardë lekë. 

Raporti mbyllet me denoncimin e pengesave me të cilat është përballur skuadra “Unë votoj” e lëvizjes “Mjaft” gjatë përpilimit të këtij raporti, duke i cilësuar këto pengesa si një shkelje të parimit të transparencës dhe të të drejtës kushtetuese për të ndjekur mbledhjet e organeve të zgjedhura.

Leave a Reply

Your email address will not be published.