Home / Sporti / Triumfon Argjentina, Nigeria në fazën tjetër

Triumfon Argjentina, Nigeria në fazën tjetër

argjentinaArgjentina ka regjistruar fitore prej 3-2 kundër Nigerisë në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit F.

Pjesa e parë e takimit të zhvilluar në Porto Alegre ishte e jashtëzakonshme me një lojë të bukur dhe me shumë raste shënimi.

Që në minutën e tretë u shënua goli i parë. Di Maria prodhoi lëvizje të shkëlqyera nga e majta dhe shkoi drejt zonës, mirëpo goditja e tij nuk hyri në rrjet por shkoi deri te Lionel Messi, i cili shënoi gol të bukur (3’).

Ende pa përfunduar festa e argjentinasve. Ahmed Firaz Moosa barazoi me një gol akoma më të bukur (4’). Michael Babatunde ishte asistues.

Pas rasteve të shumta të Albicelestëve, por edhe të ekipit afrikan, rezultati u ndryshua në fund të pjesës së parë. Lionel Messi ishte fantastik me goditjen e tij nga gjuajtja e lirë (45’+1). Ky ishte goli i katërt i 27-vjeçarit në këtë Botëror.

messiniger

Loja e mirë vazhdoi edhe në fraksionin e dytë. Ahmed Moosa bëri një depërtim fantastik në zonë dhe e barazoi rezultatin (47’).

Megjithatë, kaluan vetëm tri minuta dhe argjentinasit kaluan sërish në epërsi (50’). Pas një harkimi nga këndi, topi shkoi te Marcos Rojo, i cili reagoi si duhet për të shënuar.

Rastet nuk u ndalën deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, mirëpo gola të tjerë nuk pati.

Në takimin tjetër të këtij grupi, Bosnje e Hercegovina e ka mposhtur Iranin me rezultat 3-1. Edin Dzeko (23’), Miralem Pjanic (59’) dhe Avdija Vrsajevic (83’) ishin realizues për boshnjakët, ndërsa Reza Ghoochannejhad shënoi për irakianët (82’).

Me tri fitore pas tri xhirosh, Argjentina kryeson Grupin F dhe gjasat janë të mëdha që të luajë ndaj Zvicrës në të tetën e finales. Nigeria kualifikohet nga pozita e dytë me katër pikë dhe në fazën tjetër do të përballet me Francën.