IntervistaPolitika

Intervista ekskluzive/ Mark Frroku i përgjigjet Dritan Priftit: Më ka borxhe. Nuk e njoftova unë Tomën për vrasjen, historia lojë para zgjedhjeve

Deputeti Mark Frroku, njëkohësisht kryetar i partisë Kristiandemokrate, flet ekskluzivisht per “Panorama” për herë të parë që pas nisjes së hetimit nga Prokuroria të çështjes “Doshi”.

Mark Frroku

Ai që në fillim tregon se nuk është ai personi që ka njoftuar deputetin Doshi për një atentat të mundshëm ndaj tij.

Frroku perserit habine per perfshirjen e tij ne kete histori, por jep shpjegime edhe për njohjet e tij dhe raportet me Dritan Priftin.

Ai shprehet se Dritan Prifti ka detyrime të pashlyera ndaj familjes së Frrokut, pas blerjes së një pakete aksionesh të biznesit të tyre familjar.

Zoti Dritan Prifti tha pak ditë më parë se Durim Bami është ndaluar në makinën tuaj dhe madje makina juaj është bllokuar për këtë fakt. Është e vërtetë kjo ngjarje? Si qëndron e vërteta?

Mësova se zoti Prifti ka thënë shumë gjëra mbrëmë, të cilat bien në kontradiktë jo vetëm me ato që ka thënë vetë ai, por edhe me thëniet e Tom Doshit. Por nuk kam arsye që t’i fus në llogari deklaratat e tij. Në respekt të opinionit publik, dua të them se mjeti i deputetit Mark Frroku nuk është përdorur apo keqpërdorur në asnjë moment, as më parë dhe aq më tepër që kur kam marrë mandatin. Akoma më shumë që mjeti i deputetit Mark Frroku nuk është ndaluar asnjëherë nga policia. Një prej makinave që ka qenë në pronësinë time, është shitur në Fushë- Krujë. Aktin e shitjes së mjetit e kam depozituar në Prokurori ditën e dëshmisë sime. Dua të sqaroj se blerësi nuk është Durim Bami, por një person tjetër. Se çfarë ka ndodhur më tej, unë nuk kam se si ta di.

Madje, ai është shprehur se ju keni pasur informacion dhe për një atentat që do t’i bëhej Dritan Priftit. Si ka qenë kjo histori?
Ky është një aludim nga zoti Prifti. Po pse nuk e denoncoi në Prokurori z. Prifti një skenar të tillë?! Unë nuk jam karrem që të përdorem për të ringjallur individë që kanë dalë një herë politikisht. Nuk kam kohë të merrem me ëndrra të këqija.

Si e keni njohur zotin Prifti? Si ka qenë marrëdhënia juaj?
Z. Prifti unë e kam njohur përmes Tom Doshit, pasi Toma ka qenë ndërmjetësi i shitjes së një prej kompanive të mia. Dhe të gjitha bisedat që kam bërë me të, kanë qenë vetëm për këtë çështje.

Zoti Prifti ju ka akuzuar se nuk keni thënë të vërtetën në Prokurori, pasi sipas tij ju keni halle të tjera dhe jeni detyruar që të mbani këtë qëndrim. Keni një shpjegim?
Zotit Prifti i sugjeroj që të merret me hallet e bizneseve të tij. I vetmi hall që kam unë, janë detyrimet që z. Prifti ka ndaj sipërmarrjes së familjes sime.

E njihni Durim Bamin? Çfarë ju ka lidhur me të?
Unë kam deklaruar publikisht më se një herë se nuk kam asnjë lidhje me personin në fjalë. Për shkak të miqësisë, raporteve të punës dhe angazhimeve në politikë që kam pasur me deputetin Tom Doshi, unë kam takuar me mijëra e mijëra persona në të gjithë vendin. Për detaje të tjera jam shprehur në Prokurori, ku këto informacione tashmë janë pjesë e dosjes hetimore dhe kam detyrimin dhe përgjegjësinë që të respektoj ligjin, qoftë edhe si ligjvënës.

Si e njihni ju Fatjon Skënderin, në ç’rrethana jeni njohur me të? Keni njohje me personat që përmenden në videon e Durim Bamit e që kanë lidhje me restorantin “Viva”?
Nuk kam njohje me personin në fjalë. Njoh, punoj dhe kam raporte vetëm me zyrtarët e lartë të shtetit, deputetët apo ministrat që përmenden në këtë video.

Cili është pozicioni juaj në historinë e porosisë për vrasjen e dy deputetëve, Doshi dhe Fufi? Që në fillim kam shprehur habinë se si emri im u lakua dhe më pas u vu në qendër të kësaj historie. Por, të gjithë ata që kanë qenë të vëmendshëm në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje në media, e kuptojnë fare mirë se unë nuk jam personi që e kam njoftuar Tom Doshin për skenarë të mundshëm vrasjeje dhe se as kam pasur dijeni. Por, kjo nuk më ka penguar mua që t’i përgjigjem thirrjes që më ka bërë organi i akuzës. Unë jam vënë në dispozicion të drejtësisë, në respekt të ligjit, por edhe të familjes sime, të miqve, të partnerëve dhe, mbi të gjitha, të zgjedhësve të mi në qarkun e Shkodrës. Unë kam kryer detyrën time pa qenë peng i askujt, duke dëshmuar para organit të akuzës dhe duke pranuar edhe ballafaqimin me Tom Doshin. Tashmë, të gjitha këto detaje janë pjesë e dosjes hetimore dhe unë kam besim se të dhënat hetimore do të mbeten sekret i çështjes, derisa dosja të kalojë në Gjykatë. Unë kam dëshmuar edhe si qytetar i përgjegjshëm, në mënyrë që të respektoj autoritetin e shtetit, por edhe të distancohem nga çdo trillim, hamendje apo skenar që, në rastin më të mirë, është një lojë para zgjedhjeve dhe, në rastin më të keq, çorodit punën e institucioneve shtetërore dhe ul autoritetin e tyre para qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtar. Zoti Doshi është shprehur se keni qenë ju personi që e keni lajmëruar i pari se ndaj tij po përgatitej një vrasje. Si është e vërteta? Besoj se e morët përgjigjen për personin që e ka lajmëruar deputetin Tom Doshi. Ndërsa, të vërtetën e di vetëm protagonisti i kësaj historie. Në dëshminë e tij, deputeti Doshi dhe Durim Bami janë shprehur se ju keni diktuar dhe personin që i vinte rrotull Doshit për të kontrolluar lëvizjet e tij.

Si është historia e djalit me bluzë portokalli?
Jua bëra të ditur se unë nuk e njoh Durimin dhe, për rrjedhojë, as djalin me bluzë portokalli, të cilit i jeni referuar në pyetjen tuaj.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button