Home / Te ndryshme / Problemi: Çfarë duhet bërë me hipopotamët e Pablo Eskobarit?

Problemi: Çfarë duhet bërë me hipopotamët e Pablo Eskobarit?

hipopotamiNjë grup hipopotamësh që njëherë e një kohë ishin të baronit kolumbian të drogës Pablo Eskobar (Escobar) kanë zaptuar zonën pranë fermës së tij dhe askush nuk e di ç’të bëjë me ta. Në vitin 2005, 12 vite pas vdekjes së Eskobarit, njerëzit në zonën rurale të Antioquia, 200 milje në veriperëndim të Bogotës, filluan të telefononin Ministrinë e Mjedisit për të raportuar kafshën e pazakontë.

“Ata gjetën një krijesë që nuk e kishin parë më herët, me veshë të vegjël dhe gojë shumë të madhe”, – kujton Karlos Valderrama. Ai shkoi të hetonte dhe iu desh t’u shpjegonte fshatarëve se ajo që kishin parë ishte një kafshë nga Afrika. Një hipopotam. Banorët pyesnin: “Si ka mundësi që një hipopotam ka ardhur deri këtu?”, – dhe u zbulua se kafshët vinin nga Hacienda Napoles, ferma e Pablo Eskobar.

Në fillim të viteve 1980, pasi Pablo Eskobar, baroni i drogës, ishte bërë i pasur, por përpara se të fillonte fushatën e vrasjeve dhe bombardimeve, ai ndërtoi një kopsht zoologjik për veten. Aty kishte elefantë, gjirafa dhe kafshë të tjera ekzotike, bashkë me to edhe katër hipopotamë – tre femra dhe një mashkull.

Eskobar e lejoi publikun të hynte në kopsht lirisht. Autobusët e mbushur me nxënës kalonin nën helikën e avionit që bëri dërgesën e parë të kokainës për në SHBA. Teksa Don Pablo bënte planet e Kartelit nga vila në kodër, vendasit ia ngulnin sytë kafshëve të çuditshme dhe të huaja, madje ferma kishte edhe një dinozaur prej betoni që Eskobar e kishte ndërtuar për të birin.

Kur Hacienda Napoles u konfiskua në fillim të viteve 1990, kafshët ekzotike të Eskobar u shpërndanë në kopshtet zoologjike nëpër qytete të ndryshme. Por jo hipopotamët. Për rreth dy dekada janë lënë të lirë në liqen dhe në parkun përreth, duke qenë të neglizhuar. Më pas u transferuan sërish në një kopsht zoologjik, ku hipopotamët u riprodhuan.

Askush nuk e di se sa janë. Autoriteti vendas i mjedisit që është përgjegjës për ta, vlerëson se mund të jenë 50 ose 60, shumica e të cilëve jetojnë në liqenin e parkut. Por 12 prej tyre ndodhen në lumin Magdalena aty pranë. Sa e pëlqejnë hipopotamët Kolumbinë, kjo mund të gjykohet në bazë të seksit që po bëjnë. Në Afrikë, ata bëhen zakonisht aktivë nga mosha 7 deri në 9 vjeç për meshkujt dhe nga 9 dhe 11 për femrat. Por hipopotamët e Pablo Eskobar janë aktivë seksualisht që në moshën 3-vjeçare. Të gjitha femrat duket se po bëjnë të vegjël çdo vit.

Gjatë natës, hipopotamët që peshojnë tre tonë dalin nga liqeni dhe tmerrojnë banorët e zonës përreth duke u endur në ferma, duke ngrënë grurë dhe me raste dëmtojnë lopë të vogla. Gazeta e respektuar “El Colombiano” ka raportuar se nxënësit pranë Hacienda Napoles ndajnë të njëjtin liqen me kafshët dhe kanë kontakt direkt me të vegjlit e tyre në shtëpi.

“Babai më solli në shtëpi një hipopotam të vogël dhe e quajta Luna (Hënë) sepse ishte shumë i ëmbël dhe e ushqeva vetëm me qumësht”, – u shpreh një vajzë e vogël për gazetën. Por hipopotamët e mëdhenj janë shumë të rrezikshëm. Pavarësisht se duken të ngathët, ata janë shumë të shkathët në ujë dhe mund të ecin me 29 km/h. Thuhet se hipopotamët janë shpesh përgjegjës për vdekjen e njerëzve në Afrikë më shumë se çdo kafshë tjetër. Sulmet ndodhin kur njerëzit hyjnë në territorin e hipopotamëve. Por ata nuk janë si krokodilët, pra nuk e kanë vrasjen e gjithçkaje që shohin instinktive.

Gjatë historisë 30-vjeçare të tufës së Eskobar, nuk janë raportuar të vrarë apo të dëmtuar seriozisht nga hipopotamët. Por jetesa pranë këtyre kafshëve është një rrezik i pashmangshëm. Zgjidhja ideale është rilokalizimi i hipopotamëve, por nuk është aq e thjeshtë të lëvizësh një të tillë, pasi edhe nëse qeveria ofron kamionë dhe helikopterë, nuk ka vend ku kafshët mund të dërgohen. As në Afrikë nuk mund të kthehen, pasi ekziston rreziku që të transportojnë sëmundje. Disa të vegjël janë transportuar në kopshte zoologjike, por për të mëdhenjtë nuk ka vend.

Kolumbianët e kanë të vështirë të vendosin se çfarë do të bëjnë me trashëgiminë e lënë nga Pablo Eskobar dhe këtu përfshihet edhe prona e tij. Kjo e fundit u shkatërrua nga plaçkitësit pas vdekjes së baronit, por një shenjë thotë se shtëpia nuk do të rikonstruktohet për shkak se është e vështirë teknikisht dhe e pamundur moralisht.

Leave a Reply

%d bloggers like this: