Home / Intervista / Kukan dhe Fleckenstein: Qeveria dhe opozita të bashkëpunojnë

Kukan dhe Fleckenstein: Qeveria dhe opozita të bashkëpunojnë

Dy eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtein, në një intervistë dhënë për Top Channel inkurajonë mazhorancën dhe  opozitën në Shqipëri që të bashkëpunojnë për të mirën e vendit dhe suksesin e reformave për integrimin.

1429104497kukan-fleckensteinDy muaj para zgjedhjeve, ju flisni për konfrontim politik dhe rrezikun që kjo sjell për rrugën drejt BE-së, por edhe  ju ratë përsëri pre e lojërave partiake, sidomos ju zoti Kukan që merreni me Shqipërinë që kur S&D kishin një tjetër raportues, zotin Rouçek, dhe ai ishte më pak i vështirë se zoti Fleckenstein për të pranuar kompromiset tuaja, apo jo?   

Kukan: “Më e rëndësishme për momentin mendoj se është bashkëpunimi i mirë dhe i ngushtë mes dy partive më të forta politike në Parlamentin Europian, sepse është me rëndësi që Parlamenti Europian të flasë njëzëri ndaj gjithë të adresuarëve në Shqipëri dhe kushti parësor është se ne duam që Shqipëria të përparojë drejt Bashkimit Europian. E vlerësoj rezolutën e miratuar për mesazhin e fortë politik që dërgon ndaj udhëheqësve shqiptarë se vendi po bën progres dhe institucionet europiane, PE, duan më shumë progres në mënyrë që të kalojmë në fazën tjetër, çfarë nënkupton marrjen e një datë për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Njësoj, mesazhi ynë politik flet për nevojën për të vazhduar dialogun politik me kulturën e kompromiseve dhe të vijojnë reformat duke u përqendruar me të vërtetë mbi axhendën europiane. Pra, ka një vullnet të mirë nga Parlamenti Europian, i cili duhet marrë si i tillë, pozitivisht e në mënyrë konstruktive, nga forcat politike në Shqipëri”.

Fleckenstein, Raportues për Shqipërinë në PE: “Së pari, ky komitet votoi me një shumicë impresionuese për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Mendoj se inkurajuam qeverinë dhe opozitën që të vijojnë mbi atë çfarë kanë nisur, megjithëse ka shumë punë për t’u bërë që të marrim sa më shpejtë të jetë e mundur raundin e parë të nisjes së negociatave. Së dyti, ne theksojmë rëndësinë që ka për një vend demokratik që të gjitha partitë të përpiqen, të paktën, për të gjetur gjithmonë kompromise me njëra-tjetrën në mënyrën e duhur. Sigurisht, në prag të zgjedhjeve kjo është pak më e vështirë, por është gjithashtu një tregues për të dëshmuar se jeni në rrugën e duhur. Le të shohim!”.

A ju shqetëson pjesëmarrja e të inkriminuarëve në këto zgjedhje? Ka patur disa akuza nga opozita…

Fleckenstein: “Nuk ka vetëm akuza nga opozita. Ka edhe akuza kundër opozitës. Unë nuk jam as këshilltar për krime dhe as prokuror. Do t’i hedhim një sy atyre, pasi sigurisht që jemi të interesuar, por për momentin nuk jap asnjë koment mbi asnjë person të veçantë”.

Në këtë kuadër, a e shihni si veprim politik apo ligjor lëvizjen e Ministrisë së Brendshme për t’iu drejtuar prokurorisë kundër drejtuesit të opozitës, Basha, duke e konsideruar atë përgjegjës për falsifikim dokumentesh e urdhëra të dhënë në kundërshtim me ligjin si ish-ministër i Brendshëm lidhur me ngjarjet e 21 Janarit 2011?

Kukan: “Le të presim për rezultatet e një vlerësimi objektiv mbi këtë rast, ashtu si dhe për çdo rast tjetër. Unë nuk do të hyja shumë në detaje mbi akuzat apo paditë ndaj tyre. Kam dëgjuar për raste  të veçanta nga të dy palët, por duket sikur dekriminalizimi perceptohet shumë i rëndësishëm për palën kundërshtare, por jo brenda për brenda forcës politike. Dua të nënvizoj se kur ishim në Shqipëri kemi biseduar shumë mbi këto gjëra dhe u arrit një marrëveshje. Të dyja palët duhet të punojnë në këtë drejtim. Përfundimet mbi këto çështje do të ishin të parakohshme”.

Fleckenstein: “Nëse do dihej rezultati shumë javë apo muaj më herët do të ishim në gjëndje t’ju përgjigjeshim për këtë pyetje”.

Kur për zgjedhjet dhe dekriminalizimin prisni që të merren autoritetet shqiptare, atëherë pse merr kaq rëndësi për ju zoti Kukan zgjedhja e drejtuesve të AMA-s, që nuk e ngrini si shqetësimin tuaj, por të opozitës shqiptare?

Kukan: “Këto gjëra duhet të zgjidhen në mënyrë të qartë dhe në marrëveshje me opozitën. Kur flasim për lirinë e medias, shtypit, lirinë e shprehjes, mendoj se duhet të ketë një vendimmarrje konsensuale, në të kundërt krijohen probleme”.

Zoti Kukan, kur Beogradi shpreh vullnetin për të dërguar ushtarët e vet në Moskë, duket sikur ju përdorni tone më të buta mbi ndikimin që kjo mund të ketë për proçesin integrues. Për Shqipërinë ngjan se përdorni, jo vetëm ju, një gjuhë më të ashpër, siç u pa pas intervistës së fundit të debatueshme të kryeministrit Rama mbi Kosovën. A e patë si përpjekje për të tërhequr vetëm vëmendjen e publikut shqiptar, apo dhe atë të BE-së?

Kukan: “Unë jam cituar në media si i shqetësuar. Po, jam i shqetësuar. Kur ka çfarëdolloj deklarate për Shqipëri të Madhe apo Hungari të Madhe, shqetësohem gjithmonë dhe kjo më bën nervoz. Por ka një gjë, kurdo që kryeministri juaj, apo kushdo politikan tjetër përmend bashkimin e shqiptarëve me shqipëtarët e Kosovës në Bashkimin Europian, është mirë. Jam i lumtur. Por, kjo duhet të ndalojë aty. Nëse bëhen spekullime për ndonjë bashkim mes tyre, atëherë ne duhet të jemi më shumë se të shqetësuar”.

Fleckenstein: “Pra, ne duhet të flasim për Europën e Madhe. Së pari, Shqipëria është një aleat i mirë i NATO-s, kështu që mbi këtë nuk ka asgjë për të diskutuar dhe së dyti, jo çdo intervistë është në ndihmë të rrugës drejt Europës. Edhe sot e shprehëm shqetësimin tonë, se intervista të cilës i referoheni çon në keqkuptime, por do ta diskutoj me të (Ramën) kur ta takoj”.

Përgatiti: Arta Tozaj

Leave a Reply

%d bloggers like this: