Politika

Angazhimi në fushatë mban peng ligjin e dosjeve

Kuvendi

Përfshirja e deputetëve në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, detyron Komisionin e Ligjeve të shtyjë për dytën mbledhje radhazi të miratimit të ligjit të qeverisë për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Në mbledhjen e së hënës, shkak i mosshqyrtimit u bë mungesa e relatorit të projektligjit, Armando Subashi, i cili tashmë është zyrtarizuar si kandidati i së majtës në garën për Bashkinë e Fierit. Ndërsa, në mbledhjen e djeshme, shkak ishte mungesa e kuorumit të nevojshëm të deputetëve në mbledhje, gjë që e detyroi kryetarin e Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj që ta shtyjë sërish miratimin në tërësi të draftit të hartuar nga Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, edhe ky tashmë i përfshirë në garën e 21 qershorit, ku synon të ulet në postin e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, një reagim lidhur me projektligjin e qeverisë ka ardhur nga deputetja demokrate, Mesila Doda, që ishte dhe nismëtare për nisjen e këtij procesi dhe bërjen e lustracionit. Përmes faqes së saj në rrjetet sociale, Doda theksoi se Edi Rama po kryen hapin e fundit për mbrojtjen e spiunëve dhe xhelatëve të së kaluarës komuniste dhe se ligji i propozuar është shumë larg dekomunistizimit. Sipas saj, dosjet nuk do të hapen për asnjë pushtetar, por ato do të hapen për deputetët vetëm nëse këtë e kërkon kryetari i partisë. Kjo procedurë parashikohet në projektligjin e qeverisë për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button