Te ndryshme

Përse Kina po investon miliarda në një rajon shumë të rrezikshëm?

Kina ka nënshkruar një marrëveshje me Pakistanin për të ofruar 46 miliardë dollarë për një rrjet infrastrukturor që do të kalojë në një nga rajonet më të rrezikshme të botës. Cila është arsyeja pas këtij veprimi?

Presidenti kinez, Xi Jinping, vizitoi Islamabadin të hënën, ku vendosi marrëdhënie bilaterale për bashkëpunim strategjik mes Kinës dhe Pakistanit. Rifreskimi i marrëdhënieve bilaterale erdhi pasi dy vendet kërkuan të shtrinin bashkëpunimin mes tyre në fusha të ndryshme.

Projektet e përbashkëta në infrastrukturë dhe energjetikë kapën vlerën prej 46 miliardë dollarësh. Por pika kryesore ishte veçanërisht Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan, që do të lidhë provincën perëndimore të Kinës, Xinjiang me portin Guadar të Pakistanit, do të operohet nga një firmë e zotëruar prej shtetit kinez.

Rrjeti i ri prej 3000 kilometrash i autostradave, hekurudhave dhe tubacionet e naftës do t’i japin Kinës akses më të shpejtë në Europë dhe Lindjen e Mesme. Gjithashtu do të zvogëlohet varësia e Pakistanit në ato pak porte ekzistuese dhe në gjendje jo të mirë.

Por ka një kleçkë. Itinerari kalon përmes një prej rajoneve më të rrezikshme të botës, provincës së paqëndrueshme pakistaneze, Balokistanit. Këtu gjendet një kryengritje që daton dekada më parë dhe është shtëpi e dhunës fatale ditore, përfshirë sulmet mbi policinë, bombat vetëvrasëse dhe arratisjet nga burgu.

“Projekti përballet me sfida të mëdha për shkak të sigurisë”, – shkruan analisti Ghulam Ali për Analistët e Komitetit Drejtues të Azisë Qendrore. Provincat Khyber Pakhtunkhëa dhe Balokistan, ku do të kalojë korridori ‘përballet me një rebelim të shkallës së ulët’, shkruan ai. Për më tepër, disa fise baloke janë kundër projektit. Për sa kohë të ekzistojnë këto sfida vendore, projekti do të mbetet një ëndërr.

Sipas ministrit pakistanez të Planifikimit dhe Zhvillimit, Kina do të investojë rreth 34 miliardë dollarë në projekte energjetike, si dhe do të japë 12 miliardë dollarë në kredi për projekte infrastrukturore që do të ndërtohen së bashku me korridorin në 15 vitet e ardhshme.

Projekti do t’i ofrojë Kinës rrugën më të shkurtër të mundshme për të importuar naftë nga Gjiri Persik.

Siç e thekson edhe Global Risk Insights: Balokistani është provinca më e madhe dhe më e varfër e Pakistanit. Një rajon malor pak i banuar dhe me mungesa uji, kjo provincë është shtëpi e fiseve baloke që po luftojnë për pavarësinë e tyre që prej viteve 1970, së bashku me militantët islamikë me lidhje tek Al-Kaeda dhe talebanët. Ato kanë gjithashtu lidhje me Lëvizjen Islamike të Turkmenistanit Lindor, një grup separatist Uighur që Kina ka frikë se po nxit trazira në Xinjiang.

Por së bashku me rebelët, Balokistani ka edhe burime natyrore si qymyri dhe hekuri, për të cilat aktivistët e pavarësisë së zonës thonë se Kina po i shfrytëzon.

Problemet e sigurisë

Ekzistojnë fjalë se një forcë sigurie prej 12,000 personash do të mbrojnë punëtorët kinezë gjatë punimeve, por kjo mbetet për t’u saktësuar me kalimin e kohës.

Punonjësit kinezë janë sulmuar tashmë nga rebelët që akuzojnë kompanitë e huaja se kanë plaçkitur burimet vendase. Në 2013, kryengritës balokë sulmuan kamionët e huaj të karburantit në distriktin Changhi. Në 2006, tre kinezë në një fabrikë çimentoje u vranë nga Ushtria Çlirimtare Baloke, që po ashtu vrau tre inxhinierë kinezë që punonin në portin e Guadarit në 2004.

Më herët këtë muaj, disa ditë përpara se Kina të lajmëronte ndërtimin e një tubacioni të ri mes Pakistanit dhe Iranit, rebelët balokë vranë 20 punëtorë në provincë.

Analistët optimistë thonë se përfshirja kineze mund t’i sillte stabilitet zonës dhe të kishte sukses atje ku Shtetet e Bashkuara nuk mundën. Duke filluar në 2009, SHBA dha rreth 7.5 milionë dollarë ndihmë për pesë vjet me shpresën e sjelljes së stabilitetit në rajon dhe për të çrrënjosur terrorizmin, një projekt që një ish-zyrtar i lartë i Pentagonit për çështjet e Pakistanit tani e quan ‘një dështim dramatik’.

Projektet prestigjioze të Kinës nëpër botë

Kina ka financuar shumë projekte në Afrikë, veçanërisht për stadiume dhe linja hekurudhore, por asnjë nuk ka qenë i profilit më të lartë se selia e Bashkimit Afrikan në Etiopi, një dhuratë 200 milionë dollarë nga Kina që është dëshmi e lidhjeve në forcim mes Kinës dhe Afrikës.

Zemërgjerësia e Kinës është provuar edhe në Amerikën Jugore, me kreditë nga bankat shtetërore kineze te shtetet e Amerikës Latine që janë shtuar me 71 për qind ose 22 miliard dollarë në 2014.

Projekti madhor në zonë është ‘El Gran Canal’, një kanal 278 kilometra nëpër Nikaragua, që do të rivalizojë Panamanë.

Kina ka pompuar miliona dollarë në infrastrukturë në Sri Lankë që prej fundit të luftës 26-vjeçare në 2009. Kina është gjithashtu konsumuesja dhe prodhuesja më e madhe e bakrit të rafinuar, pasi ka shumë investime në miniera bakri në Amerikën Jugore.

Vendi i largët ofroi në fillim të këtij viti 10 miliardë dollarë projekte për Europën Qendrore dhe Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë.

*Burimi: Quartz

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button