Home / Ekonomia / Kompanitë e sigurimeve rrisin fitimet. AMF: U stabilizua tregu

Kompanitë e sigurimeve rrisin fitimet. AMF: U stabilizua tregu

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare deklaroi se rritja dyshifrore e të ardhurave, që kompanitë e sigurimeve arkëtuan nga shtrenjtimi i siguracioneve të automjeteve, ishte një zhvillim i dëshirueshëm që stabilizon tregun.

“40% duket rritje e madhe, por në fakt sa i përket termave ato thjesht e sollën çmimin aty ku duhej të ishte realisht”, tha Elizabeta Shehi, kryetare e AMF-së.

Por nëse të ardhurat e kompanive u rritën me 36.19 për qind, dëmet që ato paguan mbrapsht, sipas të dhënave zyrtare u rritën me vetëm 4.6 për qind, gati 10 herë më pak.

“Ku kanë shkuar këto parà? Cila është arsyeja, përse duheshin rritur primet e sigurimit”, tha deputeti demokrat Sherefedin Shehu.

AMF thotë se, një pjesë e tyre kanë shkuar për të paguar borxhet e prapambetura, që kompanitë kanë pasur për aksidentet e shkaktuara nga makinat e pasiguruara.

“Këtu nuk është llogaritur efekti i pagesës së dëmeve të fondeve të kompensimit, që për këtë vit ka qenë një shifër prej rreth 451 milionë lekë. Nëse do t’i bashkëngjitet edhe kjo shifër, them që treguesi do të ishte më i lartë”, deklaroi më tej Elizabeta Shehi.

Ndërkohë, qytetarët kanë paguar përmes rritjes së çmimit të siguracioneve, edhe aksidentet e automjeteve të pasiguruara, të cilat vazhdojnë të mbeten në shifra të larta.

“Nga të dhënat që ne disponojmë falë lidhjeve me DPSHTRR-në, rreth 27% e automjeteve janë të pasiguruara”, tha Elizabeta Shehi. (Shënim: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor).

Veç sigurimeve, AMF monitoron edhe disa tregje të tjera financiare, si ai Fondi i Pensioneve dhe Fondet e Investimeve. Në total, aktivet e tregjeve të monituara nga ajo u rritën, nga 5.3 për qind e prodhimit kombëtar në 2013-n, në 6.4 për qind vitin e kaluar, si pasojë e rritjes së fortë të fondeve të sigurimeve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: