Home / Intervista / Përgjigjja e plotë e Klosit për Majkon: Urdhrat e tua penguan armët për UÇK

Përgjigjja e plotë e Klosit për Majkon: Urdhrat e tua penguan armët për UÇK

Duke iu përgjigjur akuzës së Majkos se “Klosi nuk ka luftuar në Kosovë”, ish-kreu i SHISH i kujton atij se si atëherë edhe sot, nuk e ka kuptuar se si është bërë lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Në një reagim me nëntë pika, Fatos Klosi i kujton Majkos, në atë kohë Kryeministër i Shqipërisë, se debatin me Isa Mustafën e bëri pas cilësimit të tij nga Kryeministri kosovar si kryespiun që ka bashkëpunuar me serbët.

“Ti prapë gabon, kur debatin tim me Isën e mendon si debat shterpë me ‘heronj’ dhe ‘tradhtarë’ për luftën e Kosovës që janë në kohën dhe vendin më të keq, për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon”. Debati nuk është as për heronj as për tradhtarë, është për një çështje parimore të historisë moderne të Kosovës”, shkruan Klosi në reagimin e tij.
Në lidhje me akuzat ndaj Rugovës, Klosi sqaron se nuk ka fyer Ibrahim Rugovën, por ka thënë se filozofia e tij u provua me luftën e UÇKsë se nuk mund të çonte në çlirimin e Kosovës.


Përgjigjja e plotë

Si gjithmonë, Pandi në prononcimin e tij përpiqet të bëjë rolin e “babait të urtë”, që këshillon në çdo rast, kur të vegjlit gabojnë. Por “babai” në këtë rast gabon për vete, se po ngutet.
Ai nuk duhet të “këshillojë” duke “lexuar nga media”, do të kish bërë mirë që më parë ta kish parë të gjithë intervistën dhe pastaj të prononcohej me “këshillat” e tij.
Së pari, nuk ka pse tallet me veteranët, statusi i veteranit nuk është as gradë, as titull e as para, siç mbase ka lexuar në mediat që lexon. Statusi i veteranit është shumë më i madh, është “një mirënjohje” shkroi z. Krasniqi, që më shumë nderon ata që e japin se sa ata që e marrin, dhe kurrkush nuk duhet të xhelozohet se ka akoma midis nesh njerëz, që janë mirënjohës.
Së dyti, unë asnjëherë, në asnjë rast, nuk e “kam fyer” ( jo vetëm) Presidentin e nderuar Rugova. Po ta kish parë intervistën, Pandi do të kish parë se unë thashë: filozofia e Rugovës për pavarësinë e Kosovës ishte një rrugë pa krye dhe se po të veprohej sipas saj, Kosova do të ishte akoma nën thundrën serbëve. Këtë nuk e thashë për të fyer z. Rugova, por si një të vërtetë tashmë të provuar. Ata që rrokën armët dhe luftuan për Kosovën, nuk besonin në këtë filozofi dhe rezultati i luftës së tyre tregoi se ata kishin të drejtë. Edhe për të tjerët e fyer (jo vetëm) kam thënë vetëm të vërtetën, “e vërteta nuk duhet të fyejë njeri”, të paktën baballarët e mirë kështu kllojnë.
Së treti, unë nuk e quajta Presidentin Rugova “tradhtar”, se asnjëherë nuk kam menduar se ka qenë i tillë, vërejtje kam pasur plot për të bëmat e tij, por kurrë nuk e kam menduar e aq më pak cilësuar si tradhtar, z. Pandi.
Së katërti, ti ke të drejtë kur thua se “Klosi nuk ka luftuar me armë në dorë”, por me këtë shprehje, ti tregon se asnjëherë nuk e kuptove luftën e UÇK-së, as atëherë kur ishe Kryeministër dhe me sa duket as sot akoma s’e ke të qartë. UÇK-ja nuk kishte nevojë për ushtarë që të mbanin armë në dorë, kishte shumë të tillë, gjithë rininë patriote kosovare, asaj i mungonin armët dhe municionet e tyre dhe ti këto i pengove me urdhrat e tu absurd. Ke shumë gjynahe në këtë aspekt. Prandaj asnjëherë mos prit që dikush prej tyre të të lavdërojë për këto veprime, që të mos flasim për të tjera çështje, mbase më pak të rëndësishme. Sa për kontributin tënd dhe të Qeverisë që drejtoje, gjatë eksodit të popullit të Kosovës, të mburra sa munda dhe nuk ta mohon njeri meritën. Kaq vetëm për frazën e parë të prononcimit të Pandit.
Së pesti, më tej del haptas disfatizmi yt. Pse duhet t’i trembet Kosova dhe publiku shqiptar Gjykatës Speciale? Është disfatiste të thuash siç thua ti se: “Ajo do të gjykojë protagonistët e luftës së shqiptarëve. Kjo është pa dyshim një ngjarje e rëndë”. Sipas teje, Parlamenti i Kosovës paska pranuar një “kuçedër”, që do të hajë vetë Parlamentin. Dhe ne “të gjithë duhet të jemi në krah UÇK-së, drejtuesve të saj dhe pastërtisë së kauzës…” . Kjo është një retorikë boshe dhe shumë e vonuar z. Pandi, UÇK-ja duhej ndihmuar kur luftonte, jo sot. Ata që ti i përmend si viktima të “kuçedrës”, siç bënë luftën, dinë dhe ta mbrojnë atë, z. Pandi mos ua ki dertin.
Së gjashti, është fare boshe edhe thirrja jote: “Sa më i përçarë të jetë faktori shqiptar, aq më e rëndë do të jetë goditja”. Kjo duhej thënë 16 vjet më parë, more Pandi, atëherë kur mund të bënte punë dhe ty mund të të dëgjohej fjala. Sot është fare pa kuptim, në Kosovë sot ka vetëm një faktor, ai shqiptar, të tjerët janë minoranca dhe miq. Pastaj, nuk besoj se “kuçedra” që ti parashikon, do të godasë më shumë a më pak rëndë në vartësi të faktit se me kë do përçahesh a bashkohesh ti z. Pandi.
Së shtati, e thashë dhe në fillim, ti nuk e ke parë intervistën. Unë nuk u “përçava” me UÇK-në, për të thashë të vërtetën, e mburra. Ku e sheh ti përçarjen “e faktorit shqiptar” në këto mburrje? Debati në media për intervistën time, lindi kur z. Isa, duke pretenduar të mbronte z. Rugova prej opinioneve të mija, më quajti “një kryespiun që kam punuar për Serbinë”. Gjithsesi nuk e di se si i lidh ti “hallet e UÇK-së me kuçedrën” me debatin e Isait me mua, nuk di që Isa të ketë pretenduar ndonjëherë se ka qenë anëtar i UÇK-së.
Së teti, ti prapë gabon, kur debatin tim me Isën e mendon si “debat shterpë me ‘heronj’ dhe ‘tradhtarë’ për luftën e Kosovës që janë në kohën dhe vendin më të keq, për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon”. Debati nuk është as për heronj as për tradhtarë, është për një çështje parimore të historisë moderne të Kosovës. Edhe një herë ti e tregon qartë se ke mbetur më shumë se 16 vjet në kohë prapa. Pandi, mbrëmë dëgjova kryetarin tënd dhe Kryeministrin tim që tha tamam të kundërtën e tezës tënde, dhe unë i jap atij të drejtë, shqiptarët në rajon, nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se sot.
Së nënti, dhe xhevahiri i fundit i prononcimit tënd: “Shpresoj të jetë rastësi”, shprehje tipike e superpatriotëve, që shohin thellë, shumë thellë, që shqetësohen pa masë për hallet e kombit. I gjithë prononcimi yt nga “ky hall përshkohej, dhe, për ata që mbase arritën fundin dhe se kuptuan dot, ua the troç në fund. Rrooooofshhhhh, tamam “një baba i urtë”.

***

Klosi: Përplasjet e mia më Majkon, Berishën dhe Nanon. Pandi me quajti në mes të mbledhjes trafikant armësh

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi deklaroi se ndihet i fyer nga reagimi i Pandeli Majkos për etiketimet e tij si veteran të Luftës në Kosovë. Në një intervistë televizive, Klosi shpjegoi marrëdhëniet e tij me ish-kryeministrat Sali Berisha, Fatos Nano e Pandeli Majko. Sipas tij, arkivat e SHIK-ut në ’97 nuk janë zhdukur, por janë transferuar në Tiranë, ndërsa shumë nga ato dosje mund të ndodhen në duart e politikanëve edhe sot.

Fatos Klosi ne interviste per “Vizion Plus”

Duke reaguar për deklaratat e Berishës për një hetim të mundshëm të tij nga pala Kosovare, Klosi i quan ato qëndrime politike të bëra nga nje person që gjithmonë ka pasur qëllim anatemimin e tij. Në intervistën e tij për “Vizion Plus”, Fatos Klosi theksoi se ka pasur njohje me Berishën gjatë sistemit komunist dhe se paçka kësaj, është sulmuar shumë nga ai në zgjedhjen në krye të SHIK-ut.

Pjesë nga intervista e Fatos Klosit për “Vizion Plus”:

Si i komentoni deklaratat e Pandeli Majkos?

Ndjehem i ofenduar nga Pandeliu se ka qenë kryeministri im kur u bë lufta e Kosovës. Kjo më bëri shumë përshtypje se dukej sikur tallej. Unë për të nuk jam veterani Klosi, por shefi i Shërbimit se kemi bashkëpunuar.

Keni pasur probleme problematike?

Në qeverinë e parë po, në qeverinë e dytë më ka përkrahur. Majko ishte i këshilluar keq nga këshilltarët e tij. Fati i keq për ne është që kryeministrat kanë pasur këshilltar më të rinj se veten.

Kur ka ndodhur thyerja?

Thyerja ka ndodhur para referendumit për Kushtetutën.

Aty e përcaktuat ju?

Jo, jo e deklaroi në mbledhjen e qeverisë se unë isha trafikant armësh.

U takuat?

Jo. Më pas bëri një çarje shumë të fortë.

Si i përgjigjeni zotit Majko?

I jam përgjigjur sot në një përgjigje timen që del nesër në shtyp. I kam thënë që e ka gabim. Të gjitha frazat e tij janë të gabuara.

Për mua statusin e veteranit e shikon me shumë shpërfillje dhe mbase me pak xhelozi.

Mund ta shpjegojmë? Ju keni marrë një pension?

Jo, jo. Mua me propozim të shoqatës së Luftës më ka dhënë statusin e Veteranit. Kjo është një mirënjohje, një titull e jo një shpërblim financiar. Pension që është më i vogël se pensioni im këtu, por për mua është një vlerësim këtu.

Ju erdhi surprizë?

Jo, ai status ka ardhur pasi unë kam plotësuar një formular.

Bën përshtypje mënyra se si e thjeshtoni këtë?

Isha në krye të një funksioni dhe jam munduar ti bëj ato detyra. Nuk jam mburrur me këtë, herë ia kam dalë e herë jo. Ka një gjë që me ligj është shkruar që puna e Shërbimit është sekret. Kjo nuk bëhet publike, ndërsa të gjithë ministrat janë para medias… Shërbimi mbetet pak më enigmatik. Unë e mora këtë detyrë të përcaktuar qartë që t’i ndërroj emrin.

Po pse, kishte nam të keq?

Nami ishte shumë i keq. Me ligjin e vjetër shërbimi kishte kompetenca ekzekutive, mund të ndërhynte dhe të arrestonte, ndërkohë që me ndryshimet e bëra jo.

Berisha ka kërkuar hetim për ju?

Mirë ka bërë, për mua çdo budallallëk që thotë e tregon atë. Për mua thotë se ka pas një dosje shumë të madhe.

Thotë që është zhdukur një dosje e madhe?

Më dëgjo… ato janë brroçkulla të Berishës. Fatkeqësisht ai kështu e ka konsideruar politikën. Unë jam propozuar për herë të parë si kryetar i SHIK-ut që në prill në qeverinë e Shpëtimit Kombëtar. Nuk e pranoi zoti Berisha se dikush i kishte thënë që unë jam komunist i thekur. S’kam qenë i tillë. Emrin tim e dëgjoi. Le që më njihte në periudhën e diktaturës.

Si e keni njohur?

Kemi qenë pedagog dikur. Njihej si mjet dhe kemi pas marrëdhënie reciproke.

Filmoheshin dosjet?

Jo të gjitha, por mbaheshin edhe në format filmik. Dmth nuk ka ndonjë për t’u çuditur. Por Berisha ka marrë shumë dosje, i ka filmuar. Dhe një dosje e tillë mund ta kishte. Por më vonë pastaj doli që unë isha agjent bullgar ngaqë ime shoqe kishte mamanë bullgare… unë kam kaluar në një komision parlamentar që zgjati shumë ditë dhe Berisha foli tre orë dhe nuk la gjë pa thënë. Atë ditë nuk më pranuan. Atij i dëgjohej zëri dhe mua nuk më lanë në sallë. Pra, Berisha e ka stil këtë dhe nuk çuditem për këtë.

Pse nuk e çoni në Gjykatë?

Jo, s’ja vlen. E njohin të tërë Berishë. Ju e shikoni çdo ditë estradën në Parlament. Ai nuk po e kupton se sa keq po përfundon ai njëri. Është absurde. S’ka qenë ndonjëherë budalla kurrë, shumë i mençur, energjik.

Si u gjet gjuha e përbashkët për t’ju pushuar nga puna, çfarë ndodhi?

Ndodhën shumë gjëra. Nuk isha vetëm unë. Ishte kryeprokurori i Përgjithshëm, kryetari i Gjykatës së Lartë. Unë u konsiderova se i kisha çuar informacione të gabuara Fatos Nanos dhe ata u prishën me të. Që SHIK-u në informacionet e gabuar që kishte çuar, kishte prishur marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri…

Çfarë ndodhi me zotin Nano dhe Berisha që ju i bindët që të ishin dakord?

Me Berishën çdo kohë në kallo isha unë, nuk anatemohesha vetëm unë, por të gjithë ministrat.

Si e shihni rolin e SHISH-t sot?

Puna e SHISH është sekret. Në ligj nuk është ndërruar. S’di absolutisht asgjë. Nëse ato që thotë ministri i Brendshëm se s’ka dhënë informacion për dinamitet, s’po bën detyrën.

Çfarë firmosët?

Në Kasafortë kishte para që kishin ardhur për të ndihmuar Shërbimin. Ma dorëzoi dikush, Karkini dhe unë vura firmat. SHIK-n e ndërtuam nga fillimi. Përveç Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, SHIK-un e gjetëm të djegur. Ndërsa për arkivat po, ishte bërë një punë e mirë, kishin ardhur në Tiranë.

Dmth në ’97 s’kanë humbur gjë?

Jo, s’kanë humbur gjë, vetëm në Sarandë dhe Vlorë u hapën.

Leave a Reply

%d bloggers like this: