Maqedonia

Jovanovski: Gruevski fajtor për gjendjen e mediave në Maqedoni

Kryeministri Nikolla Gruevski është personi kryesor që po nxitë dhunën në vend. Këto akuza i bëri gazetari Borjan Jovanovski gjatë debatit me temë “Cili është çmimi i lirisë së shprehjes në Maqedoni!”. Sipas tij, cenimi i lirisë së shprehjes nga ana e Qeverisë nuk guxon të lejohet. Heshtja dhe mos kundërshtimi i këtij fenomeni po dëmton rëndë shoqërinë në vend, kurse gazetarët nuk duhet të bëhen pre e presioneve të tilla.

“Cili është çmimi nëse ne nuk luftojmë cenimin e lirisë së shprehjes? Po shoh se disa kolegë gazetarë të mediave pro-qeveritare, të paktën kështu kam dëgjuar, veç kanë nisur të shkojnë në LSDM dhe të ankohen se edhe ata kanë fëmijë dhe të thonë se atë që po bëjnë është për shkak se kanë fëmijë! Edhe ne kemi fëmijë, nuk i kemi gjetur në Vodno, edhe ne duhet të kujdesemi për fëmijët. Dua të porosisë kryeministrin se është ai që po nxitë dhunën me deklaratat e tij. Atë që institucionet po e heshtin, përkatësisht në një mënyrë po lejojnë fjalorin e urrejtjes, po hap hapësirë për një tip të tillë të eskalimit të dhunës që u manifestua në rastin tim, atë të Nikolla Naumovskit, në rastin e Sllavçes”, deklaroi Borjan Jovanovski, gazetar.

Ndërkohë, kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska thotë se është deklasuese që në këto momente të diskutohet për liri të shprehjes. Pirovska thotë se kryeministri sistematikisht gjatë fjalimeve të tij shkel prezumimin e pafajësisë. Rast i fundit ishte fjalimi i tij në Ohër ku lëshoi akuza të rënda në adresë të gazetarëve kritikë.

“Që nga fillimi i paraqitjes së ndonjë rasti, menjëherë kërkohen tendenca që ai të paraqitet në opinion sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë beninje lidhur me kryerësit e veprave. Për Borjan Jovanovskin tendenca është e qartë, kryeministri me atë çka deklaroi në Ohër, veç më dërgoi porosi të qartë se si duhet të kualifikohet ajo vepër dhe përsëri këtu ai shkeli prezumimin e pafajësisë! Kryeministri gjatë atij takimi dërgoi porosi të qartë deri tek gjyqësia, se si duhet ata të veprojnë dhe të vendosin me këtë rast”, u shpreh Uranija Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit.

Gazetarët dhe aktivistët për të drejta të njeriut gjatë debatit me temë “Cili është çmimi i lirisë së shprehjes në Maqedoni!” vlerësuan se edhe lustrimi i disa gazetarëve dhe shpallja e tyre si bashkëpunëtor bëhet për qëllime politike me çka rrënohet liria e shprehjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button