Home / Politika / Rama: Gati për kantierin e ndërtimit të shtëpisë së kuqezinjve në Shkodër

Rama: Gati për kantierin e ndërtimit të shtëpisë së kuqezinjve në Shkodër

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se është gati rindërtimi i stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër.

Shefi i qeverisë postoi edhe një foto të projektit të ri në rrjetin social duke deklaruar se “gjithçka është gati për kantierin e ndërtimit të shtëpisë tjetër të kuqezinjve në Shkodër”.

Stadiumi i rikonstruktuar i Shkodrës, ndryshe nga ai i Elbasanit, do të ketë dhe muzeun e skuadrës së Vllaznisë, e cila ka 9 tituj kampion.

Në stadiumin e ri “Loro Boriçi”, përveç pistës së atletikës, mësohet se do të ketë dhe ambiente stërvitjeje edhe për sportet e tjera.

Sipas projektit, pritet që të shtohen 5112 vende të reja për tifozët, nga të cilat 2500 pas portave.

Me këto shtesa, kapaciteti i stadiumit të ri do të shkojë në rreth 17 mijë tifozë dhe rikonstruksioni i tij pritet të kalojë shumën e 12 milionë eurove.

Një vit më parë gjatë një deklarate për shtyp, Kryeministri Edi Rama, shpalli publikisht se më 11 tetor 2015 do të jetë gati ndërtimi i stadiumit të Shkodrës sipas standardeve të UEFA-s, dhe ku do të jenë prezentë 20 mijë zemra kuqezi, në të cilin do të zhvillohet ndeshja e kthimit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Projekti i arkitektit të famshëm Peter Wilson është miratuar edhe nga Këshilli  Kombëtar i Territorit gjatë mbledhjes së zhvilluar në fillim të këtij muaji në Shkodër , ku kryeministri Rama deklaroi se  kjo vepër është një premtim i mbajtur, përkundrejt mashtrimeve të cilat qyteti i Shkodrës i ka dëgjuar mjaftueshëm nga qeverisja e mëparshme. “Unë di të them vetëm që në Shkodër janë mësuar ta kenë 1 prill gjithë vitin se i ka dërrmuar PD çdo ditë në rrena dhe i siguroj që edhe pse kjo është dita e PD, 1 prilli në kuptimin e lidhjes së saj me rrenën, kjo nuk është gënjeshtër. Kjo është një tjetër e vërtetë e rëndësishme, në kuadrin e mbajtjes së të gjithë atyre zotimeve dhe të këtij zotimi të rëndësishëm që ne kemi bërë përpara publikut shkodran , por edhe në funksion të një interesi të madh publik që e përfaqëson kombëtarja e Shqipërisë. Të jeni të bindur se nëse “Elbasan Arena” ishte një shembulli shkëlqyer i një pune i lëvduar nga të gjithë sportdashësit, nga të gjithë qytetarët dhe nga UEFA, ky do të jetë një shembull edhe më i shkëlqyer. Të jeni të sigurt se Shkodrës do t’i shtohet me këtë stadium një vlerë e madhe publike dhe një vlerë e rëndësishme arkitektonike. E përsëris, bëhet fjalë për një firmë të njohur ndërkombëtare që është firma Peter Wilson, që ka kontribuar me idetë e tij novative. Do ta shikoni vetë që stadiumi është spektakolar”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit, gjatë kësaj mbledhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.